AMERIKA PËR NËNË TEREZËN – RASTËSI APO DORA E ZOTIT NË VEPRIM “PREJ SOT JE BIJË E AMERIKËS”


Nga Frank Shkreli

“Me gjak, unë jam shqiqptare…”

Javën që kaloi filloi periudha, gjatë së cilës, jo vetëm bota shqiptare, por e mbarë bota, kujton më intensivisht jetën dhe veprimtarinë e Nënë Terezës. Murgesha shqiptare me famë botërore, ka lindur më 26 gusht, 1910 dhe ka ndërruar jetë më 5 shtator, 1997. Këtu në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ky vit ka shënuar një numër veprimtarishë kulturore dhe fetare kushtuar Shënjtëreshës shqiptare, Nënë Terezës, në 25-vjetorin e kalimit të saj në amshim, (5 Shtator, 1997), që festohet edhe si Dita kushtuar Shën Nënë Terezës. Deri më tani, komuniteti shqiptaro-amerikan ka organizuar një numër veprimtarishë në kujtim të Nënë Terezës. Disa prej të cilave jam munduar, modestësisht, t’i pasqyroj për lexuesit gjatë muajve të kaluar, si për shembull, Nga Frank Shkreli/ Aktivitete kushtuar Shën Nënë Terezës,“dashuri më të madhe nuk ka” | Gazeta Telegraf Komuniteti shqiptaro-amerikan, pa dallim feje a krahine, sa ishte gjallë Shënjtëresha shqiptare, por edhe në tani, vazhdon ta kujtojë ndërsa ruan një respekt të veçant për Nënë Terezen. Gjatë dekadave të shekullit të kaluar, ajo vizitonte shpesh motrat e saja në Nju Jork, në Washington, por dhe bënte shpesh vizita edhe komunitetin tonë këtu.

Por, jo vetëm komuniteti shqiptaro-amerikan kishte lidhje të ngushta, dashuri dhe respekt, pa kushte, për veprimtarinë në shërbim të varfërve në botë dhe për personin e Nenë Terezës gjatë afër 50-viteve të fundit të shekullit të kaluar. Në të vërtetë – dukej sikur e mbarë Amerika – pa dallim feje dhe pa dallime politike — ishte në dashuri me këtë murgeshë shqiptare, me trup të vogël, por me shpirt dhe zemër të madhe – e cila i kishte caktuar vetes misionin e jetës së saj për t’u kujdesur për “më të varfërit e të varfërve në botë.” Kjo dashuri e Amerikës me Nënë Terezën kishte filluar në vitin 1960 – që shënon vizitën e parë të saj në Shtetet e Bashkuara. Vizita e parë e Nenë Terëzës në Amerikë është e datës 7
Nëntor, 1960, kur Nënë Tereza kishte ardhur në Nju Jork të takohej me udhëheqësen e “Motrave të Misionit Mjekësor” (Medical Missions Sisters”, Anna Dengel. Këtë të dhenë e mësova nga një faturë e hotelit ku kishte qëndruar Nenë Tereza, në Nju Jork. 7 Nëntori 1960 ka qenë — rastësisht ose jo – edhe dita e zgjedhjeve presidenciale në Amerikë, kur votuesit amerikanë, për herë të parë në historinë e SHBA-ave, kanë zgjedhur presidentin e parë katolik, Xhon F. Kenedi.

Për më tepër, mësova gjithashtu nga libri i shoqërueses së Nenë Terezës dhe autores së librit të saj kushtuar murgeshës shqiptare, “Such A Vision of the Street”, Zonjës Eileen Egan se vizita e Nenë Terezës në Amerikë, shënonte herën e parë që ajo po largohej nga India për një vizitë jasht vendit, që nga Janari i vitit 1929. Nënë Tereza pra, kishte zgjedhur që vizitën e parë jashtë Indisë t’a bënte në Amerikë. Sipas autores, Eileen Egan, Nënë Tereza e ka filluar vizitën e saj të parë në Shtetet e Bashkuara në qytetin Las vegas, në përgjigje të një ftese për të marrë pjesë në Kuvendin vjetor të Këshillit Kombëtar të Grave Katolike, në atë qytet. Gjatë asaj vizite, Nënë Tereza vizitoi gjithashtu edhe qytetin Peoria të shtetit Illinois, Washingtonin dhe Nju Jork-un.

NENË TEREZA SHKON NË WASHINGTON
Kështu, pra filloi një marrëdhënie dashurie e Shteteve të Bashkuara me murgeshën shqiptare, Nenë Terezen – jo vetëm me popullin amerikan të të gjitha shtresave dhe etnive, por dhe me përfaqsuesit më të lartë të politikës amerikane, për më shumë se një gjysëm shekulli.

Shën Tereza e Kalkutës, e njohur në jetë si Nënë Tereza, ka vizituar Shtetet e Bashkuara disa herë, zakonisht për të hapur shtëpi të reja të rendit të saj, Misionaret e Bamirësisë. Por, ajo ka vizituar edhe për raste të tjera, kur ka folur për detyrën që kemi të gjithë ndaj të tjerëve — për të ndihmuar njëri – tjetrin. Ajo ka vizituar herë të tjera e ftuar nga entet më të larta politike dhe fetare të këtij vendi për takime me të dhevendit për të marrë prej tyre çmime dhe dekorata për puën e saj dhe të urdh[rit të , në shërbim të varfërve anë e mbanë botës. Ndikimi i veprës së Nenë Terezes njihej tanimë, jo vetëm në Kalkuta të Indisë, por edhe anë e mbanë botës, e sidomos këtu në Shtetet e Bashkuara, ndërsa mori hov gjatë dekadave pas vizitës së saj të parë në Amerikë, në nëntor të vitit 1960.

Amerikanët e kanë vlerësuar dhe e vlerësojnë gjithnjë veprën dhe personin — Gonxhen e shqiptarëve dhe shën Nënë Terezën e Amerikës dhe të botës. Ajo ishte shpallur Qytetare Nderi e SHBA, një titull i dhënë Nenë Terezës shumë vite më parë nga Presidenti republikan Ronald Reagan. Presidenti Reagan e adhuronte shumë Nenë Terezën për punën e saj në shërbim të të varfërve amerikanë dhe botës. Gjatë viteve, pas vizitës së parë në Amerikë në vitin 1960 — ajo ka vizituar shpesh Shtetet e bashkuara dhe është takuar më personalitetet më të larta të fushës politike, kishtare, dhe përfaqësues, pothuaj, të gjitha shtresave të shqoiërisë amerikane, pa dallim. Përveç Presidentit Reagan, Nënë Tereza është takuar edhe me Presidentin Xhorxh H. Bush i vjetër dhe me Presidentin Bill Clinton, por edhe me udhëheqsit më të lartë të Kongresit amerikan të dy partive politike kryesore të Amerikës dhe me përfaqsues vendorë dhe shtetërorë, anë e mbanë Amerikës.

Siç shihet edhe nga takimet e tyre, Nenë Tereza kishte një marrëdhënie të ngushtë me Presidentin republikan, Ronald Reagan, në krahasim me të tjerët. Me Presidentin Bush të vjetër kishte marrëdhënie korrekte, ashtu edhe me Presidentin Bill Clinton, megjithëse Nenë Tereza nuk ngurronte të kritikonte politikat pro-abortit të administratës së Z. Clinton.

Megjithë ndonjë kundërshtim ndaj qendrimit të Nenë Terezës kundër abortit, respekti dhe mirënjohja amerikane për këtë bijë të Kombit shqiptar ishte e gjithanëshme dhe e pa dyshimtë. Shtetet e Bashkuara kanë vlerësuar Nenë Terezën me medaljet dhe titujt më të lartë që Amerika rezervon për personalitetet më të njohura dhe më të merituara, për kontributet e tyre ndaj këtij vendi dhe në botën mbarë:

Më 1985 presidenti Ronald Reagan ka nderuar Nenë Terezën me Medaljen Presidenciale të Lirisë. Nëna Tereza është ndër personalitetet e rralla – amerikane dhe botërore — të cilës në vitin 1996, presidenti Bill Clinton i dha titullin Qytetar Nderi i Amerikës. Në vitin 1997, Kongresi Amerikan ka nderuar Nënë Terezën me Medaljen e Artë. Pasi Kongesi amerikan nderoi atë me medaljen e Artë, Posta Amerikane më 2010 nxori pullë postale me portretin e Nënës Terezë, një tjetër nder prej shumë vlerësimeve që i janë berë asaj nga ente të ndryshsme amerikane qeveritare dhe private, anë e mbanë këtij shteti planet. Është e vështirë të thuhet se cila ishte përmbajtja e vërtetë e bisedimeve kokë-më kokë të Nenë Terezës me udhëheqsit më të lartë politikë amerikanë, përfshirë presidentët e këtij vendi dhe ata botërorë, por sipas Dr. Lush Gjergjit, i cili e ka shoqërurar shpesh Nenë Terezën në udhëtimet e saja anë e mbanë botës, ka shkruar se ajo e kujtonte gjithmonë popullin e vet. Nëna Tereze na ka përcjellë vazhdimisht me uratën e saj – dhe ajo, duke filluar nga Papa, prej Sekretarit të Përgjithëshëm të Organizatës së Kombeve të Bashkuara, kryetarëve të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, apo kudo në botë, porosia e saj drejtuar udhëheqsve më të lartë amerikanë dhe botërorë, ishte: “Ju duhet të bëni diçka për t’a shpëtuar popullin tem shqiptar, e në veçanti Kosovën”, ka shkruar Dom Lush Gjergji, biografi autor i 25 librave mbi jetën dhe veprimtarinë e Shën Nënë Terezës.

Presidenti Ronald Reagan në Shtëpinë e Bardhë – Qershor, 1985 duke i dorëzuar Nenë Terezës “Medaljen Presidenciale të Lirisë. Presidenti Reagan: “Nenë Tereza është një heroinë e kohëve tona. Kështuqë, përveç shumë nderimeve dhe dekoratave që i janë dhënë asaj, përfshir Çmimin Niobel për Paqë — me dashuri të madhe dhe me respekt të pafund, i dorëzojmë Nenë Terezës, Medaljen Presidenciale të Lirisë.”

Nenë Tereza: “Unë nuk jam e denjë e kësaj dhurate fisnike nga Presidenti ynë, nga bashkshortja e tij dhe nga populli i Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Por unë e pranoj për glorifikimin më të madh të Zotit dhe në emër të miliona njerëzëve të varfër…”.
Z. Reagan ka thënë me atë rast se ndonëse kjo medalje tradicionalisht u jepet shtetasve amerikanë, Z. Reagan shpjegoi se në shenjë nderimi dhe admirimi të thellë për punën e saj, kjo dekoratë po akordohet Nënë Terezës, pasi “Shpirtmirësia në zemrat e disa individëve, i kapërcen të gjithë kufijtë kombëtar dhe tejkalon të gjitha konsideratat e vogla nacionaliste”, u shpreh ish-presidenti amerikan Regan, duke iu drejtuar Nënë Terezës.

Janë absolutisht të pazakonta marrëdhëniet që Presidenti Regan dhe bashkëshortja e tij Nancy – që konsideroheshin si ndër çiftet më aristokratë në Amerikë dhe ndoshta në botë – kishin vendosur me Nënë Terezën, përfaqësuesen dhe mbrojtësen e më të varfërve në botë. Anë e mbanë botës, Nënë Tereza kishte takuar shumë udhëheqës politikë e fetarë. Por dalloheshin marrëdhëniet e saja me Presidentin Ronald Regan dhe me Papa Gjon Palin e dytë, sidomos gjatë dekadës së Luftës së Ftoftë të 1980-ve. Ishin këta të dy, protagonistët kryesorë të luftës kundër komunizmit, Presidenti Regan dhe Papa Gjon Pali i dytë, me të cilët dukej sikur Nënë Tereza kishte lidhje të ngushta me ta.

Për Papën Gjon Palin e dytë, ish-udhëheqësi sovjetik Mikhail Gorbachov është shprehur se shembja e komunizmit do të kishte qenë e pamundur pa kontributin e Papa Gjon Palit të dytë. Ndërsa për Presidentin Regan, Nënë Tereza ka thënë: “Kur presidenti amerikan ishte plagosur në një atentat kundër tij, ajo ishte e bindur se shpëtimi i jetës së Presidentit Regan nga plagët që kishte marrë nga atentati”, në të vërtetë ishte “Një akt hyjnor”.

Admirimi dhe respekti për Nenë Terezen tejkalonte oborrin e Shëpisë së Bardhë dhe mjediset e presidentëve të dy partive politike. Ky admirim shtrihej edhe tek Kongresi amerikan dhe në mbarë shoqërinë amerikane. Në foto, 5 Qershori, 1997, Nënë Tereza falënderon udhëheqsit e Kongresit për nderimin që i kishin bërë duke ia akorduar asaj Medaljen e Artë të Kongresit të Shteteve të Bashkuara – medalja më e lartë që jep Kongresi.

Unë besoj se — ishin vlerat amerikane ato që admironte Nenë Tereza dhe vlerat e Nenë Terezës që admironin amerikanët — arsyeja e kësaj lidhjeje të ngusht të Nenë Terezës dhe Amerikës. Ishte 16 Nentori, 1996 — Nënë Tereza me deklaratën në dorë të nenshtetsisë së saj amerikane, nënshkruar nga Presidenti Bill Clinton me 1 Tetor, 1996. “Të jesh një shtetas amerikan, do të thotë se ndajmë disa vlera themelore: Se ne kemi për detyrë t’i ndihmojmë të tjerët të jetojnë në lartësinë e premtimit të dhënë nga Perëndia. Se ne kemi përgjegjësinë për të ndërtuar dhe përforcuar lidhjet në komunitetin ku jetojmë, Se ne kemi detyrim të ofrojmë ndihmën ndaj atyre që nuk mund të ndihmojnë gjithmonë vet-veten”, ka shkruar Presidenti Clinton në shpalljen e Nenë Terezes, shtetase amerikane e nderit. Me këtë masë, Nënë Tereza tashmë është një qytetare amerikane. Dokumenti i nënshtetsisë i është dorëzuar Nënë Terezës nga Ambasadori i atëherëshëm amerikan në Indi, Z. Frank G. Wisner – edhe ky një mik i vjetër i shqiptarëve, ç’prej fillimit të viteve 1950-ata e deri më sot. Dorëzimin e dokumentit të shtetësisë amerikane të nderit nga Ambasadori Wisner, Nenë Tereza e ka cilësuar si një, “Dhuratë nga Perëndia. Kam drojë se nuk e meritoj atë”, është shprehur ajo për mediat në atë kohë. Ndërsa Ambasadori amerikan, Wisner e ka siguruar Nenë Terezës duke i thenë se: “Prej sot, ti je bijë e Amerikës”.

Nënë Tereza nuk ngurronte t’i kritikonte as personalitet e larta të politikës amerikane. Në tubimin vjetor “The National Prayer Breakfast” në Washington, 5 Shkurt, 1994, në mbrojtje të parimeve të saja, Nëna Terezë u ngrit në këmbë para Presidentit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Bill Clinton dhe Zevendës-Presidentit, Al Gore dhe bashkshorteve të tyre si dhe 4000 personaliteteve pjesëmarrës në atë tubim – nga e gjithë bota – duke deklaruar se, “aborti është vrasje”.
Edward Kennedy

                            Koincidencë apo vullneti i Zotit në veprim?

Po kush është kjo bijë e Kombit Shqiptar e cila admirohej nga Papët e Romës dhe Presidentët e fuqive më të mëdha të botës, përfshir presidentët e Amerikës, të cilët kërkonin jo vetëm të takoheshin me të por donin edhe këshillat e saja? Lind pyetja se çka dinte kjo bijë shqiptare për këta burra të mëdhenj të shekullit 20-të dhe çfarë frymëzimi prisnin këta prej kësaj murgeshe të thjesht me origjinë shqiptare – kujdestarja e më të varfërve në botë – gjatë një periudhe historike dhe aq vendimtare për fatin, e jo vetëm Europës, por të mbarë njerëzimit? Çfarë roli mund të kenë luajtur Presidenti Reagan dhe Papa Gjon Pali i II për realizimin e vizitës së parë të Nënë Terezës në Rusi, në Gusht të vitit 1987? Dhe a ishte ajo vizitë 5-ditëshe e Nenë Terezës në Rusi në përputhje me përpjekjet e Presidentit Reagan dhe të Papa Gjon Palit II për t’a tundur njëherë e mirë nga rrënjët komunizmin ruso-sovjetik? Po cili ishte roli i udhëheqsit sovjetik, Mikhail Gorbachev – një protagonist tjetër i Luftës së Ftohtë, i cili meriton gjithashtu kredi për kontributin e tij historik në shembjen e komunizmit sovjetik, për realizmin e asaj vizite?
Sipas të dhënave në media të asaj kohe, Raisa Gorbachev, bashkshortja e ndjerë e Mikhail Gorbachev, i cili ndërroi jetë këtë javë, ka lujtur rol vendimtar në përgatitjet e vizitës së Nenë Terezës në Moskë, në vitin 1987?

Unë nuk besoj se sot për sot i dijmë të gjitha dimensionet e jetës dhe të veprimtarisë së Nënë Terezës, por as influencën që ajo mund të ketë ushtruar në takimet e saja me më të fuqishmit e botës, sidomos gjatë 1980-ave. Uroj që një ditë – me deklasifikimin e dokumenteve të fshehta të asaj kohe — të mësojmë më shumë, sidomos për trekëndshin e lidhjeve dhe të bashkpunimit – në kulmin e Luftës së Ftohtë – midis Presidentit amerikan Ronald Reagan, Papa Gjon Palit të II dhe Nënë Terezës. A ishte kjo lidhje e rastësishme, apo ishte dora e Zotit në veprim? “Unë jam vetëm një laps i vogël në duart e Zotit…” – (Nena Tereze)

Në këtë 25-vjetor të shkuarjes në amshim të Nenë Terezës me mall kujtoj dhe si privilegj të madh e bekim të jetës time e konsideroj takimin me Nenë Terezën – një takim që mund të ndodh — nëqoftse dikush është me fat — vetëm njëherë në jetën e një njeriu. Autori me kolegun dhe mikun e ngusht të familjes, Dr. Elez Biberaj me familjet tona në vizitë me Nenë Terezen – në kryeqendrën e Motrave të Dashurisë të Nenë Terezës, në Washington DC.

By admini