Nga Gjekë Gjonaj
Në një atmosferë festive, në praninë e prindërve, mësimdhënësve, nxënësve dhe stafit drejtues të “ SHF “ Bedri Elezaga” në Katërkollë, ka filluar mbarë viti i ri shkollor 2022/2023. Me punën e saj ndër vite është shndërruar në shkollë të suksesshme në Komunën e Ulqinit, duke qenë alternativa më e mirë për shkollimin e fëmijëve të Anës së Malit. Drejtori i shkollës , Mustafë Bardhi thekson se për këtë fillim janë bërë përgatitjet e duhura, për një vit të suksesshëm shkollor. “ Ky institucion edukativo-arsimor sivjet ka mbledhur rreth vetes 81 punonjës dhe 390 nxënës, 9 më shumë se vitin e kaluar shkollor. Në bankat e kësaj shkollë për herë të parë janë ulur 42 nxënës fillestarë, të shpërndarë në nëntë paralele, të cilët u pritën duar hapur me dhurata, me çertifikata mirëseardhjeje, me ndarjen e teksteve shkollore falas e befasi të tjera joshëse për moshën e tyre. E veçanta e këtij viti të ri shkollor në shkollën tonë është përmirësimi i kushteve mësimore në shkollën amë, ku është rinovuar tërësisht salla e edukimit fizik, ndërsa në paralelen e ndarë në fshatin Krythë vazhdojnë punimet në riparimin e saj të plotë, e cila me një pamje të re dhe të bukur, do të jetë një vend i cili do të ndikojë që mësimnxënia dhe mësimdhënia të kthehen në kënaqësi e argëtim”, shprehet Bardhi. Ai shton se sivjet kjo shkollë , për dallim nga viti i kaluar shkollor kur mësimi është zhvilluar në dy turne për shkak të pandemisë, mësimi do të zhvillohet në një ndërrim , ndërsa orët do të zgjasin 45 minuta, ashtu siç ka vendosur Ministria e Arsimit për të gjitha shkollat në Mal të Zi.

Drejtori njoftoi se në ceremoninë e fillimit të këtij viti shkollor ishte i pranishëm edhe kryetari i Komunës së Ulqinit, Omer Bajraktari i cili i dhuroi shkollës 350 libra dhe u dëshiroi nxënësve e mësimdhënësve fillim të mbarë dhe suksese në procesin e mësimit.

Mësimdhënësit dhe nxënësit pohuan se mezi pritën të takohen sërish në sistemin e rregullt mësimor, pa orë të shkurtuara, maska dhe masa të tjera epidemiologjike.

By admini