Qeveria e Malit të Zi, siç thuhet në deklaratën zyrtare të dërguar mbrëmë për media, në seancën e djeshme ka miratuar propozimin për tekstin e dakorduar të Marrëveshjes Themeltare ndërmjet Malit të Zi dhe Kishës Ortodokse Serbe.

Nga 18 ministra të pranishëm, 13 votuan pro Marrëveshjes me KOS-in, përfshirë kryeministrin Dritan Abazoviq dhe pesë kundërshtuan. Pas kësaj, Abazoviqi tha se votimi do të mbahet sërish javën e ardhshme, shkruan Ulqini Online.

Për miratimin e këtij dokumenti kërkohet shumicë e cilësuar, d.m.th. të paktën 14 vota. Pasi ministrat nga SDP-ja theksuan se nuk ka shumicë të cilësuar, kryeministri Abazoviq njoftoi se marrëveshja do të votohet në njërën nga seancat e ardhshme të Qeverisë ose në mënyrë elektronike.

Për miratimin e tekstit të dakorduar të Marrëveshjes Themeltare ndërmjet Malit të Zi dhe KOS-it votuan: Dritan Abazoviq, Vladimir Jokoviq, Aleksandar Damjanoviq, Marko Kovaç, Dragoslav Shqekiq, Miomir Vojinoviq, Vasilije Llallosheviq, Ana Novazhuroviq, Gjuroviq, Filip Axhiq, Zoran Miljaniq, Fatmir Gjeka dhe Biljana Shqepanoviq.

Mendimet e veçuara janë shprehur nga ministrat Ranko Krivokapiq, Rashko Konjeviq, Ervin Ibrahimoviq, Admir Adroviq dhe Adrijan Vuksanoviq.

Në seancë nuk morën pjesë ministrja e Integrimeve Evropiane Jovana Maroviq, Ministrja e Kulturës dhe Mediave Masha Valovic dhe ministri i Administratës Publike Marash Dukaj.

By admini