BOTIM I VEÇANTË  PËR ULQINAKËT E SHKODRËS

Zenepe  Dibra, LIDHJET HISTORIKE MES SHKODRËS E ULQINIT, Botimet”Shkodra”,Shkodër, 2022

Ka vite që opinionit shkencor e kulturor  të Shkodrës  me botime të veçanta i është paraqitur  dr.Zenepe Dibra, me profesion inxhinjere e ndërtimit,  duke ofruar botime me interes për opinion e gjerë. Botimet e publikuara deri me tash trajtojnë tema shumëdimensionale kushtuar gruas shqiptare, ndërtimeve në qytetin e Shkodrës, personaliteteve të ndryshme të hapësirës shkodrane, dibranëve në Shkodër etj. Duke qenë studiuese e pasionuar ajo ditë më parë opinionit i paraqtiet me librin me të ri me titull Lidhjet historike mes Shkodrës dhe Ulqinit(vlera dhe kontribute historike).

Jo vetëm titulli por edhe pamja e dy kalave në ballinën e librit nxitë kureshtjen e lexuesve. Dhe nuk ka si të jetë ndryshe sepse kemi të bëjmë me dy qytete antike ku Shkodra ishte kryeqyteti i Ilirisë, ndërsa Ulqini porti i saj në Adriatik.Kemi të bëjmë me lashtësinë e qytetërimit shqiptar i cili ka sfiduar rrethanat e kohës deri në ditët tona.

Libri është i ndarë ne pesë kaptuj, ku fillimisht trajtohen  lidhjet  në mes Ulqinit dhe Shkodrës në periudha të ndryshme historike, duke vazhduar më pas me përpjekjët e shkodranvëve për mbrojtjen e territorit shqiptar veriperëndimor. Me rëndësi të veçantë është kontributi i shkodranëve në Ulqin si dhe i ulqinakëve në Shkodër duke përfunduar me histori dhe kujtime të ulqinakëve në Shkodër. Libri është i paisur me fotografi të ndryshme si dhe bibliografinë e literaturës së konsultuar.

Kemi të bëjmë me një botim të veçantë që dallohet nga përmbajtja sepse ka të bëjë me popullsinë shqiptare me origjinë nga qyteti i Ulqinit, e cila këtu është vendosur nga viti 1880 e më pas. Kemi të bëjmë me kohën e dekompozimit politik të hapësirës etnogjeografike shqiptare, në sajë të vendimeve të padrejta të Kongresit të Berlinit, por edhe më pas. Rasti i Ulqinit ka mbetur rast tipik i presionëve diplomatike të Fuqive të Mëdha të Europës kundër Perandorisë Osmane, e cila u detyrua të dorëzojë Ulqinin principatës së Malit të Zi(nëntor 1880). Ndonëse ulqinakët luftuan më armë në dorë në mbrojtje të tërësisë tokësore shqiptare, ata nuk mundën të luftojnë kundër të gjithëve, por dëshmuan akt patriotizmi dhe heroizmi në mbrojtje të identitetit kombëtar.

Nga rrethanat e tilla duke mos dashur të jenë nën admnistrimin e Malit të Zi, sipas të dhënave Ulqinin e lëshuan 413 familje ulqinake, të cilat kryesisht u vendosën në Shkodër dhe Durrës. Dhe nga ajo kohë ulqinakët e vendosur në Shkodër u përshtatën dhe bashkëjetuan me shkodranët, duke ruajtur me gjelozi origjinën e tyre.

Pikërisht në këtë aspekt deri në ditët tona na dëshmojnë mbiemrat e  familjeve ulqinake, duke dëshmuar identitetin e tyre siç janë: Beci, Fani, Bilali, Gjyli, Bleta, Broci, Luli, Shazi, Shurdha, Truma, Ulqinaku, Kashi, Kalamishi, Kurtabegu, Hoti, Kadia, Dizdari, Ahmetaga etj.  

Ndërpreja e komunikimit në mes Shkodrës dhe Ulqinit nga viti 1880 e më pas ka lënë pasoja shoqërore e kombëtare në përgjithësi e familjare në veçanti. Ndonëse ka pasur pëngesa të natyrave të ndryshme komunikimi ka vazhduar deri në vitin 1948. Kemi të bëjmë me këtë vit tragjik, sepse Shqipëria ndërpreu marrëdhëniet me ish-Jugosllavinë, duke u izoluar që ishte  me pasoja për shqiptarët brenda dhe jashtë saj. Nga ajo kohë e deri në vitin 1991, shqiptarët jashtë shtetit amë-Shqipërisë mbetën jetim pa mbeshtetje dhe pa interesimin e duhur  duke mbijetuar në hapësirën e tyre etnogjeografike. Kemi të bëjmë me qasjen  ideologjike të pushtetit në Shqipëri e jo të interesave kombëtare shqiptare, duke marrë parasysh se gjysma e popullsisë shqiptare ishte jashtë kufijve politik të vitit 1913.

Vetëm pas dështimit të socializmit si rend shoqëror dhe komunizmit si ideologji  nga viti 1991, filloi komunikimi brenda shqiptarëve. Pasi deri atëherë ne mes Shqipërisë dhe ish-Jugosllavisë nga ana e Malit të Zi kishte vetëm një VKK në Han të Hotit, në këtë aspekt ngjarje të veçantë paraqet rihapja e VKK në Muriqan-Sukubinë, përkatësisht në Bardhoje, me 28 maj 2002, pas 54 viteve.

Ishte ky një moment i rrallë sa emocional dhe kombëtar  për popullsinë e Anës së Malit, Ulqinit, Tivarit dhe  te Krajës, sepse përfundimisht u mundësu komunikimi i mohuar me Shkodrën e tërë Shqipërinë. Dhe nga ajo ditë kemi një komunikim të vazhdueshëm në të gjitha veprimtaritë shoqërore që është në favor të identitetit dhe komunikimit mbarëkombëtar, si kudo në botën demokratike.

Këtë libër e vlersojë një homazh për të gjithë ata të cilët kanë lënë emër me kontributin e tyre në lidhjet shoqërore e kombëtare ne mes Shkodrës dhe Ulqinit. Kujtojmë me këtë rast kontributin e shkodranëve në hapjën e shkollës shqipe në Ulqin në vitin 1941-1944 me emrin “Skanderbeg”, me drejtor shkodranin  Jahja Domnori. Po ashtu nderim  edhe për ulqinakët të cilët kanë dhënë kontribut  në fusha të ndryshme  shoqërore në qytetin e Shkodrës, por në veçanti në veprimtarinë  e detarisë në nivel kombëtar. Në këtë botim janë prezantuar familje dhe individë me origjinë ulqinake në Shkodër duke qenë një leksikon i veçantë me vlera njohëse dhe profesionale.

Në sajë të temës së trajtuar dhe përmbajtjës së prezantuar këtë botim e vlerësojmë  si kontribut me vlerë në hulumtimin e raportëve shoqërore, sociale e kulturore në hapësirën shkodrane në Veriun shqiptar, ku bën pjesë Ulqini dhe rrethina e tij.

Andaj si i tillë ky botim  është i mirë se ardhur  në mënyrë të veçantë   për ulqinakët e Shkodrës por edhe  për të gjithë ata që dëshirojnë të njihen me rrethanat shoqërore në këtë qytet me vlera të mëdha për identitetin kombëtar e kulturor të shqiptarëve duke mbetur model për tërë shqiptarët në tërë hapësirën e tyre etnogjeografike.

Dr. Nail   Draga

(Lexuar më rastin  e përurimit  të librit në Shkodër, më 28 maj 2022)

By admini