qarri shumevjecar i mark pjetrit
Nga Gjekë Gjonaj

Njëri prej tre lisava (qarreve)  të mëdhenj  në Triesh, i cili i ka mbijetuar kohës është  qarri i familjes së Mark Pjetrit Gonaj, në fshatin Rudinë. Ky qarr  të thuash se  në gjithë letërsinë gojore të kësaj trevë është një lis i veçuar. Sipas familjarëve ky lis është shumë i vjetër, nga se përmendet brez pas brezi , por  në mungesë të dokumenteve nuk dihet saktësisht  vjetërsia e tij.  Rëndësia e tij është e madhe. Shumë njerëz e konsiderojnë të shenjtë . Ky lis sa ka hijeshi aq ka edhe freski. Bukuria e tij mahnitëse, me degë të shpërndara  u merr vëmendjen  edhe kalimtarëve të rastit. Qarri ka hije të mirë  dhe dikur moti shfrytëzohej jo vetëm për nevojat e familjarëve Gjonaj ,  por edhe për ndeja të mira  apo  raste të tjera. Po ashtu është përdorur edhe për pushimin e tufës së bagëtive  gjatë  verës.

Familjes Gjonaj  ky lis u ka bërë gjithmonë përshtypje.  Për  këtë familje të madhe, dikur  prej  tridhjetë anëtarësh, është një simbol i fuqisë  dhe pjellorisë. Mund të thuhet se ky  “ mbret” i pyjeve   është dhe ka mbetur pjesë  përbërëse   e pasurisë  së Mark Pjetrit. Ky qarr ka pasur gjithmonë lidhje shumë të forta  me familjarët.  Kur isha i vogël, mbaj mend, se në shumë raste familjare mblidheshim të gjithë  nën degët e lisit, për ta admiruar, për ta riafirmuar lidhjen tonë me të. Nëna  dhe babai im e donin dhe e adhuronin  shumë këtë lis. Ata shkonin shpesh të pushonin  nën hijen e tij, me vëllezërit, motrën dhe kushërinjtë e mi. Babai më ka treguar shumë  për këtë lis  sepse është rritur bashkë me të.  Edhe  na tregonte për bukurinë e këtij qarri, por edhe për fuqinë dhe madhështinë e tij.  Mes shumë rrëfimeve të saj, po tregoj vetëm një, i cili mendoj se është  interesant e domethënës.

 “  Një prej ditëve të nxehta  të gushtit  nëna ime  18 vjeçare  merr në duar   foshnjën e saj  të parë ( mua) në djep  për t’u freskuar nën hijen e lisit.  Atë  e shoqërojnë edhe kushërirat e  bashkëshortit të saj, Lula dhe Hana. Të  tria  bashkë  bisedojnë dhe kënaqen  duke shijuar freskinë e  mrekullueshme të qarrit. Pas pak i nxë gjumi. Kur zgjohen  çohen në këmbë për t’u kthyer në shtëpi. Po  çfarë ndodh?  Nga trupi i nënës sime  shkëputet dhe bie gjarpri në tokë, i cili derisa ishte në gjumë kishte hyrë nën teshat e trupit të saj. Thonë  për shkak se gjarpri e ndien ( nuhatë)  aromën e qumështit të gruas së re.  Lula dhe Hana nxituan  ta vrasin ( mbysin) gjarprin), por nëna  nuk i lejon, duke u thënë mos e vrisni se ai sa ka qëndruar në trupin tim  ka mundur të më pickojë. Dhe e gjithë kjo histori e frikshme  përfundoi pa pasoja për nënën, foshnjën e saj, shoqërueset dhe gjarprin”.

Unë jam 64 vjeç dhe e kam parë  qarrin  të rritet dhe të ndryshojë me kalimin e viteve dhe stinëve. Në pranverë, verë, vjeshtë dhe dimër. Lidhja me këtë lis dhe natyrën  mua dhe  krejt familjes  Gjonaj  në njëfarë mënyre na dha forcë të madhe për të jetuar. Ai ndjeu edhe lidhjen tonë me të, për të cilin janë përkujdesur dhe e kanë menaxhuar  kushërinjtë e mi.  Kur ishim të vegjël vinim shpesh këtu dhe përpiqeshim ta ngjitnim. Por nuk ishte e lehtë, sepse tashmë ishte shumë i madh.

Ne e përjetojmë praninë e këtij lisi  mes nesh si dëshmi e gjallë e ekzistencës sonë në këtë zonë. Mund të themi se është kujtimi ynë.  Për ne është shumë  i bukur. Është një prani miqësore që sjell siguri. Ai është i gjallë,  sepse ngrihet kur fryn era. Ai jeton. Rrënjët e  tij rriten para nesh. Ai ekziston me ne. Ai është pjesë  e familjes,  është aq i vjetër sa mund ta konsiderojmë  si baba, sepse jemi rritur nën hijen  e tij dhe e njohim veten tek ai. 

Sot e shikoj me dhembshuri e nostalgji.  Të vetmuar.  E dëgjoj atë që ai ka për të thënë.  Sa herë ndalem pranë tij  për ta parë  më tregon  diçka të  re.  Ky qarr  është gjithmonë i pranishëm  në mendimet e mia. Ai  po rritet dhe po rritet vazhdimisht. Kjo duhet t’u shpjegohet fëmijëve në mënyrë që ata të kuptojnë rëndësinë  e këtij lisi dhe të dinë  ta vlerësojnë atë.  

Unë rrallë vij këtu. Mirëpo, kur i dal përballë, harroj të gjitha problemet e të tjerëve dhe kthehem në shtëpi me shpirt të qetë. Kështu e shikoj unë. Të tjerët  ndryshe. Ne kemi një marrëdhënie me të që të tjerët sigurisht që nuk e kanë. Ai për familjen  Gjonaj është monument.

By admini