Bota ka disa mijëra vjet që lufton për të zgjidhur dilemën mes fytyrës dhe pasqyrës. Me pak fjalë, shumica e mendjeve të hapura dhe popujve të civilizuar kanë ecur përpara përmes të vërtetës. Kur e vërteta nuk thuhet, kur fshihet dhe deformohet, popujt nuk ecin përpara. E vërteta është busulla e popujve. Për të vërtetën ka pasur njerëz që kanë shkuar në turrën e druve. Ata janë djegur, por e vërteta jo. Ajo ka mbetur dhe sot na ndriçon rrugën edhe kur rrugë nuk ka.
Historia jonë dëshmon se ne kemi pasur një marrëdhënie të shtrembër me të vërtetën. Me pak fjalë, sa herë që nuk na ka pëlqyer e vërteta e fytyrës, ne ia kemi hedhur fajin pasqyrës. Ende këtu jemi. Jemi duke thyer pasqyrën për të mbrojtur fytyrën. Unë këtë nuk e pranoj. Unë nuk besoj se fuqia e fytyrës është t’i shpëtojë pasqyrës. Dua që ta detyroj fytyrën të shohë pasqyrën. Siç është.
Ben Blushi, pjesë nga shkrimi ”Letër një socialisti”