Nga Ismet Kallaba*
Mali i Zi është bërë ditëve të fundit skenë e teatrit absurd me personazhe reale politike. Kriza politike që ka përfshirë tash disa muaj politikën malazeze, konkretisht shumicën qeverisëse, pritet që në ditët në vazhdim të marrë epilogun e saj me formimin e qeverisë së re, qoftë të pakicës, teknike apo kalimtare.
Qeveria aktuale e Malit të Zi është një aksident politik që i ka ndodhur këtij shteti. Në historinë e tyre shteteve u ndodhin “aksidente” të tilla, siç është ai i Kuvendit të Podgoricës në vitin 1918, me ç’rast u suprimua pavarësia e Malit të Zi nga Serbia, ndërsa Mbreti Nikollë u rrëzua nga froni dhe u detyrua të largohej nga vendi. Por në historinë më të re, ky është aksidenti më i madh politik që i ka ndodhur Malit të Zi.
Në parim, aksidentet (fjala është për aksidentet e komunikacionit) nuk janë të mira, sepse me vete bartin pasoja. Ato mund të sjellin viktima, të vdekur apo të lënduar, dëmtime të automjeteve etj. Por në anën tjetër, aksidentet (automobilistike) janë edhe të mira, sepse njeriu shpesh nuk do ta ndërronte makinën e tij apo të blente një tjetër (të re), vetëm kur t’i prishej. Ndërsa pas aksidentit i duhet shpesh medoemos të blejë një makinë të re dhe kjo është gjëja pozitive. Prandaj edhe ky aksident politik mendoj se është i mirëseardhur për Malin e Zi pasi që i ka provuar pasojat e tij.
Për të mos u keqkuptuar, aksident politik për Malin e Zi është edhe qëndrimi 30-vjeçar në pushtet i PDS-së, pasojat e të cilit po i përjetojmë. Mbase do të kishte qenë shumë më mirë sikur aksidenti i fundit politik, dhe jo vetëm, t’i kishte ndodhur më herët Malit të Zi.
Qeveria e tanishme e Malit të Zi mund të krahasohet me një marrëdhënie bashkëshortore apo martesë me zor. E vetmja gjë që i bashkon tre koalicionet që përbëjnë shumicën ka qenë lufta për rrëzimin nga pushteti të Millo Gjukanoviqit dhe partisë së tij. Por ashtu si te një çift bashkëshortor, ku pas dashurisë fillestare fillojnë të shfaqen problemet, në qeverinë e Malit të Zi ato kanë filluar që në fillim të formimit të saj, duke kulmuar ditëve të fundit me akuza për tradhti. Besimi është gjëja kryesore në një marrëdhënie bashkëshortore. Nëse humb besimi, të dy (të gjithë) e akuzojnë njëri-tjetrin për tradhti (bashkëshortore), duke i nxjerrë tjetrit të palarat. Situata aktuale politike në Mal të Zi tregon se deri në çfarë niveli të paskrupullsisë janë në gjendje të shkojnë politika dhe politikanët.
Për dallim nga marrëdhënia bashkëshortore, në politikë nuk ka lidhje të përjetshme. Në politikë palët martohen dhe divorcohen sipas interesave politike, shpesh edhe të momentit.
Kriza e fundit politike ka sjellë me vete edhe rritjen e urrejtjes dhe përdorimit të gjuhës së urrejtjes ndaj pakicave, sidomos ndaj shqiptarëve, si “fajtorë kujdestarë” që Malit të Zi i shkaktojnë vetëm të këqija. Kjo nuk përbën diçka të re, por është pasojë e urrejtjes patologjike që ekziston tradicionalisht ndaj shqiptarëve dhe pakicave të tjera, sidomos nga ajo pjesë që është aktualisht në pushtet. Prandaj nuk kemi pse çuditemi nga deklaratat e ministres së Arsimit, Kulturës, Shkencës dhe Sportit, Vesna Bratiq, dhe të protestuesve ndaj Abazoviqit, sepse kjo është fytyra e tyre e vërtetë. Pas hyrjes së Dritan Abazoviqit në pushtet, ka qenë e kuptueshme që gjuha e urrejtjes ndaj shqiptarëve të zvogëlohet, duke qenë se e kanë konsideruar si pjesë e tyre. Por pas lëvizjeve të tij të fundit, retorika shoviniste e qarqeve proserbe ndaj shqiptarëve është riaktivizuar. Të gjithë shqiptarët, pavarësisht ngjyrimeve politike, e dinë mirë se sa i don ajo pjesë proserbe, të cilën e përfaqëson Bratiq dhe protestuesi kundër Abazoviqit. Ata nuk janë kurrsesi raste të veçuara, siç përpiqen të arsyetohen, por janë pjellë e atmosferës së përgjithshme të krijuar nga ideologjia hegjemoniste dhe shoviniste serbe. Dhe nuk ka asgjë të keqe të mos e duash dikë, në këtë rast shqiptarët, por të paktën duhet t’i respektosh.
Ditët e ardhshme pritet të jenë shumë dinamike në skenën politike të Malit të Zi. Qeveria e pakicës, e propozuar tashmë për daljen nga kriza, është një zgjidhje e imponuar, një eksperiment që i ofrohet Malit të Zi. Në rast të formimit të qeverisë së pakicës, ajo do ta ketë shumë të vështirë, sepse do të pengohet në format më të ndryshme, pa përjashtuar edhe trazirat dhe konfliktet. Por gjëja pozitive është se një qeveri e tillë ka mbështetjen e bashkësisë ndërkombëtare. Sidoqoftë, një qeveri e tillë ka pak gjasa që të ketë jetë të gjatë, por do të jetë një qeveri kalimtare që do të përgatisë zgjedhjet e reja. Sepse vështirë të besosh se dikush do të ofrojë mbështetje dhe krijojë shumicën pa kusht, me përjashtim nëse në të ardhmen krijohet një shumicë tjetër e qëndrueshme.
Marrë nga Koha Javore