
Sot, në Shtëpinë e Kulturës në Vuthaj, nxënësit e shkollës së mesme në gjuhën shqipe në Plavë zhvilluan një aktivitet falënderues, të organizuar nga Tina Sinanaj Qosaj, me rastin e pranimit të një donacioni të çmuar nga Fondacioni “Plavë Guci”.
Ky gjest fisnik, që siguron pagesën e transportit për nxënësit shqiptarë që ndjekin mësimet në Plavë, u prit me shumë emocion e mirënjohje nga të rinjtë, të cilët në këtë mënyrë ndihen të mbështetur dhe të vlerësuar nga bashkëvendasit e tyre në diasporë.
Fjalimin e rastit e mbajti profesoreshë Hasnije Kukaj Gjonbalaj, e cila në emër të stafit arsimor dhe nxënësve shprehu mirënjohje të thellë për ndihmën e Fondacionit, duke theksuar rëndësinë e këtij kontributi në motivimin e nxënësve dhe mbështetjen e arsimit në gjuhën shqipe në këtë trevë.
Në këtë organizim u lexua edhe një mesazh falënderues, ku ndër të tjera thuhet:
⸻
Falënderim për Fondacionin “Plavë Guci”
Të dashur bashkëvendas dhe ju njerëz të vullnetit të mirë,
Ne, rinia e Plavë-Gucisë, sot pranuam dhuratën tuaj të çmuar për ne që kemi lindur e jemi rritur në këto troje. Pagesa e transportit tonë për në shkollën e mesme të Plavës nga ana juaj është një vepër e madhe dhe një madhështi në vetvete.
Fjalët janë të pakta për të shprehur mirënjohjen ndaj kësaj vepre të lartë që keni bërë për ne. Ne do të rritemi e do të vazhdojmë përpara, por veprat tuaja dhe dashuria juaj për vendlindjen do të mbeten përgjithmonë në zemrat tona.
Faleminderit shoqatës sonë të çmuar, të vlerësuar e të dëshmuar — Fondacionit “Plavë Guci”, kryesisë së saj, donatorëve dhe të gjithë atyre që pa ngurrim përkrahën këtë nismë.
Me mirënjohje të përhershme,
Nxënësit shqiptarë të Shkollës së Mesme të Plavës
