Shkruan: Ismet Karamanaga
Për Çinarin nuk ka të dhëna, por për dheun mbi Çinar kanë ekzistuar gjithmonë tregime dhe legjenda, të cilat shekuj me radhë janë përcjellur te ne, brez pas brezi. Më kujtohet se, për çdo herë, kur kemi shkuar si fëmijë në ullishtën e “Anës së Malit”, kalimi pranë Çinarit ka qenë gjithmonë i posaçëm. Pranë Çinarit është dashur të kalohet me shumë kujdes, me shikim në ato vrimat në trupin e madh, dhe gjithmonë kemi pasur frikë t’i afrohemi, pasi që kemi menduar se aty brenda ka diçka. Më vonë, si fëmijë më të rritur, kemi shkuar në “arra”, pasi që në afërsinë e tij ka pasur arra, por nga “frika” kurrë nuk kemi qëndruar gjatë aty. Në mitologjinë tonë kanë ekzistuar gojëdhëna, sipas të cilave aty banojnë apo jetojnë xhindët! Frika ka qenë gjithmonë ajo që na ka bërë që të mos ndalemi shumë “ke Çinari”. Bile pa një hok, askush nuk ka pasur guxim të kalojë vetëm rrugës e cila kalon pranë Çinarit.
Sot, rruga nga ana e Limanit është fare e mbyllur dhe e vetmja mundësi për t’u afruar Çinarit është rruga nga Mahalla e Re.
Çinari është shumë i vjetër, por është vështirë të përcaktohet saktë se nga cila kohë daton! Mendoj se është mijëravjeçarë i vjetër. Kur njeriu i afrohet dhe e sheh brendësinë e Çinarit, ku është një hapësirë e madhe si një dhomë, mund të imagjinojë se sa është i vjetër.
Bile, ka informata se në vitet ‘90 të shekullit të kaluar, një njeri i çmendur është munduar t’ia vë flakën, dhe për këtë arsye brendësia është ende e zezë, por nuk është djegur, nuk ka mundur ta djegi. Populli thotë se e kanë shpëtuar “xhindët”.
Çinari i ka rrënjët në ujë, pasi që pranë tij kalon uji që rrjedh nga kroi, i cili gjithashtu ka një histori të veçantë. Kroni i Çinarit, në formën e tashme, daton nga koha e Perandorisë Otomane. Me ardhjen e tyre në vitin 1571, në tërë Ulqinin u ndërtuan shumë kroje, sidomos në vende ku ka pasur burime natyrore, siç ka qenë ai te Çinari.
Ekzistojnë hipoteza se ky ujë është përdorur shumë më parë nëpërmjet ujësjellësit “aquadukta” deri te kroi në ala. Kjo është vetëm një hipotezë.
Çinari mund të bëhet një atraksion për turistët nga vendi dhe bota. Por, ne duhet të hapim rrugën, ashtu siç ka qenë dikur, ta mirëmbajmë më mirë mjedisin jetësor dhe në ofertën tonë turistike t’i shkruajmë disa rreshta edhe për gjëra të cilat duhet t’i ruajmë dhe t’i nxjerrim nga harresa.
Temë nga projekti “”Ruaj dhe zhvillo identitetin kombëtar duke shkruar, lexuar dhe folur shqip’’ – Informimi në gjuhën shqipe i shqiptareve në Mal të Zi dhe diasporë përmes faqes së internetit 2021”, pjesë e të cilit është përkrahur nga Fondi për mbrojtjen dhe realizimin e të drejtave të pakicave në Mal të Zi.