Shoqata e Artistëve dhe Intelektualëve “Art Club” shënoi të martën 31-vjetorin e themelimit të saj, me ç’rast ka ndarë Çmimin Tradicional për arritje të jashtëzakonshme në shkencë, kulturë dhe art, si dhe është shfaqur dokumentari “30 vjet kulturë”.

Juria e përbërë nga Dr. Haxhi Shabani, Vahida Nimanbegu dhe Dr. Zhilbert Tafa ka vendosur që Çmimi Tradicional i “Art Club”-it t’i ndahet profesorit të muzikës Jusuf Lika, me motivacionin “për përpjekjet këmbëngulëse në themelimin dhe udhëheqjen e suksesshme të Shkollës së Muzikës në Ulqin, arritjet e këtij institucioni – sukseset e nxënësve të kësaj shkolle si dhe për organizimin e jetës muzikore e kulturore në komunën e Ulqinit, përkatësisht për ndihmesën në fushë të fotografisë dhe botimeve”.

Çmimi i SHAI “Art Club” është themeluar në vitin 1991 si Shpërblim Vjetor, kurse që nga viti 2009 jepet për çdo tre vjet. Këtë Çmim deri tani e kanë fituar: Rudi Goga, Dom Simon Filipaj, Basri Çapriqi, Asllan Bisha dhe redaksia e revistës “Fati”, Këshilli i Simpoziumit “Meshari i Gjon Buzukut – monument i kulturës shqiptare 1555-1995”, Ali Salaj, Nail Draga, Riza Rexha, Emin Halili, Cafo Boga, Bajram Rexha, Ruzhdi Ushaku, Gjelosh Gjokaj, Hajro Ulqinaku, Mehmet  Kraja, Fiqiri Hasanaga (pas vdekjes), Simë Dobreci, Hajrullah Koliqi, Haxhi Shabani dhe Jusuf Lika. “Art Club”-i është subjekti i vetëm ndër shqiptarët në Mal të Zi, i cili ndan Çmim për krijuesit shqiptarë.

Me këtë rast është shfaqur dokumentari “30 vjet kulturë”, i cili përmes fjalëve të drejtuesve të “Art Club”-it ndër vite flet në mënyrë të përmbledhur për rrugëtimin e kësaj shoqate që nga themelimi deri në ditët e sotme, si dhe për kontributin e saj për artin, kulturën dhe shkencën shqiptare në Mal të Zi dhe më gjerë në botën shqiptare. Dokumentari me autor gazetarin Ali Salaj është realizuar në kuadër të projektit të mbështetur nga Fondi për Mbrojtjen dhe Realizimin e të Drejtave të Pakicave.

Në fjalën e tij, kryetari i SHAI “Art Club”, Ismet Kallaba, ka prezantuar aktivitetet kryesore të realizuara gjatë këtij viti. Ai ka thënë se përkundër situatës pandemike dhe rrethanave që e kanë kushtëzuar punën tonë, sidomos në pjesën e aktiviteteve publike, janë përpjekur dhe kanë arritur të ruajnë vazhdimësinë e veprimtarisë gjithëpërfshirëse dhe cilësore të “Art Club”-it.

SHAI “Art Club” është themeluar më 28 dhjetor 1990 nga një grup i dalluar i krijuesve të Ulqinit dhe përbën njërën prej organizatave joqeveritare më të vjetra jo vetëm në komunën e Ulqinit dhe ndër shqiptarët në Mal të Zi, por edhe në tërë Malin e Zi.

CV E FITUESIT TË ÇMIMIT TRADICIONAL TË “ART CLUB”-it

Jusuf  – Cufo Lika ka lindur më 5 nëntor të vitit 1953 në Ulqin. Shkollën fillore e ndoqi në qytetin e lindjes. Dy klasat e para të shkollës së mesme të muzikës i kreu në Prishtinë, ndërsa të tretën dhe të katërtën në Dubrovnik. Akademinë e Muzikës e vazhdoi në Lubjanë dhe Prishtinë. Si absolvent i Akademisë së Muzikës në Prishtinë, në vitin 1979 u pranua me kohë të pacaktuar në Redaksinë e muzikës në TVP (Televizioni Prishtina).

Pas kryerjes së shërbimit ushtarak u kthye në Ulqin, ku në Qendrën Shkollore “Vëllazërim – Bashkim” punoi si profesor një vit shkollor (1981-1982). Pas kësaj kyçet në biznesin familjar në kuadër të të cilit, në intervalin kohor 1982-1995, punoi me sukses në studion e tij private për fotografi në Tivar.

Dëshirën e vet shumëvjeçare, të orientuar në hapjen e shkollës për arsimim muzikor në qytetin e Ulqinit, përfundimisht e realizoi në vitin 1995. Shkolla për Arsimimin Fillor të Muzikës, Ulqin, në fillim funksionoi si paralele e ndarë e Shkollës për Arsimim Fillor të Muzikës “Petri II Petroviq Njegosh” – Tivar.

Jusuf – Cufo Lika me punën vetëmohuese dhe angazhimin, si dhe me investimin e mjeteve të veta materiale dhe të instrumenteve muzikore, doli si donator i parë i shkollës. Zhvilloi vullnetarisht mësimin në gjuhën shqipe dhe malazeze.

Shkolla e Muzikës në Ulqin u bë institucion i pavarur në vitin 2000. Jusuf – Cufo Lika u emërua drejtori i parë dhe me sukses e kreu këtë funksion deri në pension.

Kontributi i Jusuf – Cufo Likës në ruajtjen dhe zhvillimin e kulturës dhe arsimimit muzikor në Ulqin është i pamatshëm. Gjatë punës së tij si drejtor realizoi bashkëpunime multikulturore dhe ndërkombëtare në mes të Malit të Zi dhe një vargu shtetesh evropiane. Në veçanti dallohet shkëmbimi kulturor me Shkollën e Muzikës “Alterlaa” nga Viena.

Falë punës së Jusufit dhe stafit që ai udhëhoqi, Shkolla e Muzikës në Ulqin ka realizuar rezultate të rëndësishme dhe ka arritur sukses në procesin mësimor, ka ringjallur jetën kulturore dhe artistike etj. Jusuf Lika, në vitin 2020, disa muaj para shkuarjes në pension, arriti edhe një sukses të jashtëzakonshëm – themelimin e Shkollës së Baletit pranë Shkollës së Muzikës, prej kur edhe shkolla quhet – Shkolla për Arsimimin Fillor të Muzikës dhe Baletit – Ulqin, e dyta si e tillë në Mal të Zi, ndërsa e para dhe e vetmja në gjuhën shqipe.

Duhet të theksohet se Jusuf – Cufo Lika është edhe bashkautor i monografisë shkencoro-artistike “Ulqini nga dritaret e kohës” dhe autor i monografisë për Shkollën për Arsimim Fillor të Muzikës në Ulqin. Është themelues dhe kryetar i Fondacionit “Lika”, të themeluar me qëllim të ruajtjes së identitetit, veçantisë së pasurisë kulturore të shqiptarëve në Malin e Zi, si dhe zhvillimit të institucioneve kulturore dhe arsimore. Përveç kësaj, Fondacioni është përpjekur të mbështesë zhvillimin e të gjitha formave autentike të kulturës dhe shkencës, dhe në veçanti trashëgiminë e pasur muzikore në Mal të Zi, si dhe t’i ndihmojë talentet e reja, nxënësit dhe studentët që të shprehen dhe të arrijnë në formë të kompletuar qëllimet e veta. Fondacioni deri më tani ka botuar 16 publikime nga shumë fusha të veprimtarisë së vet.

Jusuf – Cufo Lika është laureat i çmimeve dhe mirënjohjeve të shumta për punën e tij kulturo-artistike dhe veprimtarinë botuese.

By admini