Nga Gjekë Gjonaj
Për ata që jetojnë në fshat, toka është ushqimi i bukës. Falë tokës pjellore dhe kushteve të përshtatshme klimatike në fshat mund të organizohen një larmi biznesesh të vogla. Gjëja kryesore është të vendosni se cilat synime do t’i ndiqni, respektivisht cilin investim do ta zgjidhni në vëllime të ndryshme prodhimi dhe lloje të ndryshme të tij. Duke filluar nga produkte të ndryshme në sektorin e bujqësisë dhe blegtorisë. Këto lloj veprimtarie fitimprurëse mund të organizohen me mjaft sukses edhe në fshatin Mal të Brisë, i cili ndodhet afro 10 kilometra larg nga qyteti i Ulqinit.
Fermeri më i suksesshëm i këtij fshati malor Pero Nikprelaj, me origjinë nga fshati Bëkaj të Trieshit-Malësi kaherë e ka kuptuar se ajo që është fitimprurëse është ajo që bëni më së miri, ajo që është e pamjaftueshme në fshatra dhe ajo që paguhet shpejt. Ky ndërmarrës 50 vjeçar, ushtron me sukses tri biznese të ndryshme. Ai njihet si prodhues i mirë i rrushit, bletar dhe fermer i lopëve.
Në saje të nismës së tij vetanake ai para 13 vitesh ka krijuar plantazhin në parcelën e tij prej 10 mijë metër katrorë me 4000 fidanë të rrushit. Këtë veprimtari e filloi për nevoja të veta, kurse më vonë e zgjeroi atë, duke u bërë kështu prodhues i suksesshëm i rakisë dhe verës. Ky vit për fermerin Nikprëlaj ishte shumë i suksesshëm sa i përket vjeljes së rrushit, pasi arriti që në një hektar vreshta të vjelë afër 8.000 kilogramë rrush. “ Kushtet e përshtatshme klimatike kësaj verë dhe kujdesi që i kam kushtuar vreshtës kanë ndikuar që të kem rendimente më të mëdha të rrushit sesa vitin e kaluar. Ky vit ka qenë i mbarë jo vetëm nga sasia por edhe nga cilësia. Të gjithë sasinë e rrushit e kam vjelë para dy tri ditësh dhe ndodhet në procesin e fermentimit. Nga vjelja e sivjetme e rrushit shpresoj të prodhoj 500 litra raki dhe 2.000 litra verë të cilësisë së mirë, në mënyrë që konsumatorët e mi të kënaqen me shijen e tyre”, thotë Pero Nikprëlaj. Shton se vreshtaria kërkon shumë punë e përkujdesje dhe se nuk ka pasur mbështetje të duhur nga shteti. “ Gati të gjitha investimet në sektorin e bujqësisë, me përjashtim të një subvencioni simbolik nga Ministria e Bujqësisë, i kamë bërë me mjete të mia financiare. Në këtë mënyrë kam blerë makinerinë dhe mjetet e nevojshme bujqësore. Së fundmi kam zgjidhur edhe problemin e furnizimit me ujë, duke e sjellë atë përmes tubacioneve nga Liqeni i Shasit. Kjo gjë më mundëson rendimente më të larta të produkteve bujqësore”, shprehet Nikprëlaj.
Krahas vreshtarisë Nikprëlaj merret edhe me bletari. Pasioni i tij për bletën thotë se e ka bërë që të merret me këtë veprimtari bujqësore pasi kjo zonë malore ofron kushte të mira për kultivimin e bletëve. Shton se aktualisht ka 60 koshere me bletë nga të cilat do të prodhojë afro 400 kilogramë mjaltë. Për shkak të cilësisë së mirë të rakisë, verës dhe mjaltit, ai ka siguruar një treg të dëshiruar . “ Kam prodhim cilësor. Konsumatorit i ofroj produkte të sigurta dhe me vlera shëruese. Prandaj asnjëherë nuk kam pasur problem me shitjen e produkteve të mia ”, pohon Nikprëlaj .
Ky fermer ushtron edhe një biznes tjetër në fshatin e tij të lindjes. Ka fermën prej 20 lopësh. Ato nuk i mban për qumësht, por për rritjen e viçave. Gjatë gjithë verës lopët e tij i kullotë në fushat e Kripores së Ulqinit, kurse muajve të tjerë i kullotë në Mal të Brisë.” Kopeja e lopëve të mia krejt vitin ushqehet në ambient të hapur, ku qëndrojnë me javë e me muaj pa u interesuar fare për to, derisa ato të kthehen vetë kur bie borë dhe mbeten pa ushqim në mal. Vetëm në atë kohë lopët, viçat dhe mështjerrat i mbajë në stallë. Lopët nuk i mjelë aspak. Qumështin e tyre e pinë viçat dhe mështjerrat, të cilat i shes për mish”, thekson Nikprëlaj.
Ky bujk i vyeshëm, i cili ka hobi gjuetinë, është një shembull për të gjithë ata që jetojnë në fshat se është i mundshëm organizimi i bizneseve të vogla të cilat mund të jenë fitimprurëse, nëse jeni përcaktuar për atë veprimtari bujqësore të cilën e bëni më së miri dhe nëse e punoni me dëshirë, vullnet e përkushtim.