Partitë shqiptare nuk kanë asgjë të përbashkët me forcat kryesore që përbëjnë koalicionin qeverisës dhe për shumë çështje ndajnë qëndrime të kundërta. Ato nuk guxojnë të lejojnë që të shfrytëzohen si kusur për qërimin e hesapeve ndërmjet partnerëve të koalicionit qeverisës, sepse nuk mund ta shpëtojnë qeverinë e Malit të Zi.
Nga Ismet Kallaba
Ditëve të fundit në media është publikuar lajmi rreth ftesës drejtuar partive të pakicave për të qenë pjesë e Qeverisë, e cila pritet të pësojë ndryshime dhe të rikonstruktohet pas një viti në pushtet të koalicionit qeverisës që përbëhet nga tre grupime kryesore politike. Pavarësisht nëse ky lajm është i vërtetë apo jo, nëse ftesa është formale apo joformale (të paktën deri tani nuk kemi parë ndonjë ftesë formale), kjo ftesë nuk është e sinqertë dhe bëhet për të matur pulsin e partive të pakicave, por edhe për të shuar kritikat dhe për të treguar para faktorit ndërkombëtar se shumica qeverisëse është për përfshirjen e pakicave në qeveri. Në këtë kontekst duhet kuptuar edhe deklaratën e kryetarit të Demokratëve të Malit të Zi dhe kryetarit të Kuvendit të Malit të Zi, Aleksa Beçiq, sipas të cilit “partitë e pakicave duhen të jenë pjesë e çdo pushteti”. Megjithatë, është absurde që shumicës qeverisëse i bjen në mend për partitë shqiptare dhe të pakicave pas një viti në qeverisje?!
Situata e përgjithshme politike në të cilën ndodhet Mali i Zi, sidomos pas ngjarjeve në Cetinë me rastin e shugurimit të mitropolitit të ri të Mitropolisë Bregdetare Malazeze të Kishës Ortodokse Serbe, por edhe kriza ndërmjet partnerëve të koalicionit qeverisës, përbën një moment të ri politik. Frika për dallimet e partnerëve të koalicionit qeverisës në politikën e brendshme, por sidomos sa i përket politikës së jashtme të Malit të Zi kanë dalë në shesh dhe janë shpërfaqur hapur së fundmi.
Gjatë një viti të qeverisjes, pushteti aktual në Malin e Zi ka dëshmuar orientimin e tij proserb dhe kundër gjithçkaje që nuk është serbe. Me veprimet e saj kjo qeveri ka treguar edhe në vepër se është kundër pakicave dhe çdo gjëje që lidhet me to.
Megjithatë, për hir të së vërtetës, duhet pranuar se qeverisja aktuale, sigurisht nën ndikimin e Lëvizjes Qytetare “Ura” dhe kryetarit të saj, ka ndërmarrë disa veprime në favor të qytetarëve të Ulqinit, siç janë rasti i Kripores së Ulqinit dhe i Valdanosit. Me këtë kanë treguar se këto çështje, ashtu si dhe shumë të tjera që presin zgjidhje, kanë qenë peng e politikës 30-vjeçare të opozitës së sotme, të kryesuar nga PDS. Pra, as qeveritë e mëparshme të opozitës së sotme nuk kanë bërë më shumë për shqiptarët, por i kanë trajtuar thjesht si dekor. Shqiptarët nuk kanë përfituar pothuajse asgjë nga pjesëmarrja më herët në pushtetin qendror, madje pozita e tyre vetëm është përkeqësuar. Partitë shqiptare dhe udhëheqësit e tyre janë kënaqur me ndonjë pozitë të ministrit, drejtorit të drejtorive ministrore, sekretarëve shtetërorë etj., që u janë ofruar. Sidoqoftë, politika dhe fryma e përgjithshme e qeverisjes aktuale është e orientuar kundër pakicave, të cilat janë pjesë e revanshizmit politik.
Për shumë arsye, ky nuk është momenti i duhur që partitë shqiptare, gjithnjë në rast të ftesës dhe mundësisë, të hyjnë në qeveri. Edhe sikur të hynin në qeveri, ndikimi i partive shqiptare do të ishte minimal. Pesha e shqiptarëve në një qeveri të tillë do të ishte e papërfillshme duke pasur parasysh forcën politike të dy grupimeve më të mëdha që e përbëjnë qeverinë. Shqiptarët dhe partitë e tyre nuk kanë nevojë të jenë pjesë e drejtpërdrejtë e luftës ndërmjet bllokut malazias dhe atij proserb. Ata po ashtu nuk guxojnë të bëhen pjesë e lojës dhe e luftës ndërmjet partnerëve të koalicionit qeverisës. Kriza politike reale ndërmjet partnerëve të koalicionit qeverisës nuk mund të zgjidhet nëpërmjet partive të pakicave, por atë duhet ta zgjidhin ata që e kanë shkaktuar. Nëse pjesa dominuese e koalicionit qeverisës don t’i ketë votat e partive të pakicave si rezervë në rast të daljes eventuale nga koalicioni të Lëvizjes Qytetare “Ura”, apo edhe më keq për ta shantazhuar atë, atëherë partitë shqiptare dhe ajo boshnjake nuk duhet dhe nuk guxojnë të jenë pjesë e kësaj loje. Në këtë prizëm, për t’i paraprirë një skenari të tillë dhe si kundërpeshë ndaj ftesës ndaj partive të pakicave për t’u bërë pjesë e qeverisë me rastin e rikonstruktimit të saj, duhet kuptuar edhe takimin e kryetarit të LQ “Ura” dhe zëvendëskryeministrit Dritan Abazoviq me krerët e partive të pakicave.
Si përfundim, partitë shqiptare nuk kanë asgjë të përbashkët me forcat kryesore që përbëjnë koalicionin qeverisës dhe për shumë çështje ndajnë qëndrime të kundërta. Ato nuk guxojnë të lejojnë që të shfrytëzohen si kusur për qërimin e hesapeve ndërmjet partnerëve të koalicionit qeverisës, sepse nuk mund ta shpëtojnë qeverinë e Malit të Zi. /Koha Javore/