Përgatiti: Gladiola Jorbus
Dafina (Laurus nobilis) është një bimë e njohur, e përdorur gjerësisht në gatim, pasi shquhet për shijen dhe aromën e saj të këndshme. Ajo e ka origjinën në rajonin e Mesdheut duke u konsideruar si një simbol i rëndësishëm i fitoreve, i arritjeve dhe i statusit. Është një pemë me gjelbërim të përhershëm, deri në njëzet metra e lartë, ku spikat një kurorë e dendur dhe piramidale. Gjethet korren përgjatë të gjithë vitit, por më të parapëlqyerat janë ato të muajve korrik dhe gusht.
Grekët dhe romakët thurnin kurora dafine për t’ua dhuruar fituesve; shumë statuja dhe bazorelieve të kohës dëshmojnë për këtë traditë.
Duket se vetë Jul Cezari, për të maskuar shogëtinë e tij, e rrethoi kryet me një kurorë dafine. Duke qenë e lidhur me perëndinë e ndritur Apolon, mbetet një simbol i fitores së dritës mbi errësirën. Bima e dafinës konsiderohej në Greqinë e lashtë si një bimë e shenjtëruar nga ky perëndi.
Sipas legjendës, nimfa Dafne u shndërrua në dafinë për të shpëtuar nga përndjekjet e Apolonit. Ai endej dëshpërimisht nëpër pyje në kërkim të nimfës. Ajo iu lut Gjeas, nënës së saj që ta ndihmonte. Pasi dëgjoi lutjen e së bijës, perëndesha e ngadalësoi vrapimin e Dafnes dhe në të njëjtën kohë transformoi trupin e saj: flokët u shndërruan në fije të lehta; krahët u ngritën lart drejt qiellit, trupi iu mbulua me degë, kurse këmbët iu shndërruan në rrënjë të forta dhe fytyra e përlotuar në kurorën e pemës.
Apoloni e shenjtëroi dafinën në kultin e tij dhe e shpalli si një simbol lavdie për t’u mbajtur nga udhëheqësi i fitimtarëve.
Në kulturën antike greko – romake, dafina asociohej me pavdekësinë, konsiderohej mbrojtëse dhe shërbente për purifikimin e mjediseve të ndryshme, largonte energjitë negative dhe madje kishte nga ata syresh që besonin në vetitë e saj ekzorciste kundër mallkimeve. Ndaj mund të pohojmë se dafina (Laurus nobilis) dallon për përdorimin e saj interesant dhe në nivelin ezoterik që prej shumë shekujsh.
Gjithashtu besohej se dafina të dhuronte kthjelltësinë, aftësinë e parashikimit së të ardhmes dhe vetë priftëreshat e tempullit të Apolonit, përtypnin gjethe dafine për të gjallëruar mendjen e tyre deri në ekstazë që të krijonin lidhje me profecitë e tij, teksa thithnin avujt për të njëjtin qëllim.
Romakët e kurorëzuan perandorin Cezar me gjethe dafine dhe deri më sot, ato mishërojnë çmime, diplomime e triumfe.
Përveçse gjethet e dafinës janë simbol i lavdisë, triumfit dhe nderimit, ato kanë edhe veti medicinale; minimizojnë shanset për sëmundje koronare të zemrës, ndihmojnë në reduktimin e stresit, ankthit dhe presionit të gjakut, shërbejnë për të trajtuar gripin e zakonshëm pasi aroma e tyre e fortë dhe shija e veçantë ofrojnë një efekt qetësues. Vaji i dafinës shërben për tretje, kundër dhembjeve, kundër alopecisë apo rënies së flokëve etj.
Përsa i përket anës shpirtërore, mendohet se dafina balancon dhe stimulon të gjitha chakrat ose qendrat e energjisë, duke vitalizuar shëndetin fizik dhe rrafshin eterik të njerëzve. Ajo nxit përqendrimin dhe meditimin (orakujt grekë mbanin një kurorë dafine mbi krye kur parashikonin fatin) . Dafina gjithashtu ndjell fitoren. Nga pikëpamja e energjive konsiderohet mashkullore, meqenëse është e lidhur me elementet e diellit dhe të zjarrit. Kurora e dafinës përbëhet nga gjethet e bimës me të njëjtin emër, dhe zakonisht u jepej si shpërblim poetëve, atletëve dhe luftëtarëve në antikitet. Në besimet popullore, ndër të tjera përmendet fakti se pema e dafinës nuk goditet nga rrufeja dhe shtëpitë që ngrihen pranë këtyre pemëve gëzojnë mbrojtje dhe siguri.