Nga Gjekë Gjonaj

Nëse ju bie rruga pranë fshatit Amull, në Anë të Malit, afër  kufirit me Shqipërinë, mund të takoni herët në mëngjes Dedë Shkrelin dhe bashkëshorten e tij Valbonën, pranë një ferme të vogël, duke u kujdesur për lopët e tyre  si të ishin njerëz.  I përkëdhelin  e i pastrojnë ato duke iu transmetuar shumë dashuri, sepse vetëm kështu mund të marrin  çdo ditë qumështin  me freskinë e cilësinë e duhur. Edhe Deda edhe Valbona janë merakli  dhe adhurues të lopëve. Historia e kësaj familjeje  punëtore e të suksesshme në  fushën e blegtorisë është pak më interesante , sepse  kryesisht flitet  për fermerë burra e djem, kurse në këtë rast  flasim  për një grua shumë punëtore   ndoshta edhe  më e përkushtuar, më  e adhurueshme  dhe më e respektueshme se burrat.

Punën që bëjnë sot  pronarët e kësaj ferme  të lopëve qumështore  e kanë filluar para disa vitesh. Këtë  veprimtari  familjare, nga e cila sigurojnë ekzistencën e tyre,  më seriozisht e  filluan pas martesës së tyre. E nisën  me dy tri lopë, kurse  nga viti në vit e shtuan numrin e krerëve. E kanë rritur kapacitetin e stallës së lopëve, e kanë  modernizuar atë , kanë    blerë  makinat për mjeljen e lopëve, dhe së fundmi   kanë blerë edhe një enë  të madhe ( kazan)  me kapacitet prej afro 35o litrash për mirëmbajtjen  e qumështit. “ Ne menaxhojmë  me një fermë të vogël me 13 krerë lopë qumështore të  racës  mesatare bardhë e zi. Kjo racë është treguar  mjaft e mirë dhe e suksesshme  për  zonën ku ne jetojmë.  Në fillim të pranverës  rendimenti i tyre mesatar është  afro 250 litra qumësht në ditë, kurse tani  prodhimi mesatar i qumështit shkon deri në 140 litra  në ditë.   Shumicën e investimeve   të  deritashme për krijimin, zgjerimin dhe modernizimin   e kësaj fermë i kemi siguruar  nga buxheti familjar. Vetëm një herë kemi kërkuar mbështetje financiare ( grante)   nga Ministria e Bujqësisë.  Vlera e mbështetjes  së ministrisë  në këtë grant me të cilin kemi blerë kazanin për mirëmbajtjen e qumështit  ka qenë  75 për qind , ndërsa vetë financimi  ka qenë 25 për qind”, thotë Deda.  Shton se çdo veprimtari ( biznes) i ka vështirësitë e veta, por duhet me qenë këmbëngulës  që të arrish qëllimet. “ Puna në fermë fillon në ora pesë të mëngjesit e përfundon në ora tetë të mbrëmjes.  Kjo është punë mjaft e vështirë me shumë sakrificë  dhe nuk të lejon kohë për asgjë tjetër. Sepse mirëqenia e lopëve dhe viçave është përparësia   kryesore. Unë dhe bashkëshortja  kalojmë çdo ditë  duke u kujdesur për kafshët tona, me të cilat kemi  ndërtuar marrëdhënie të forta, të cilat janë të pajisura me hapësira të pastra, të rehatshme dhe të thata për të jetuar. Ne me to kemi  qaje gjatë gjithë ditës. Ne përpiqemi dhe  kemi arritur  t’i mbajmë lopët tona të shëndetshme, sepse është ajo që e meritojnë. Dhe në këmbim ato na japin qumësht ushqyes të cilësisë së mirë.”, thotë Deda. Ai shprehet i kënaqur  me Qumështoren “ Srna” e cila  që nga fillimi i bashkëpunimit të ndërsjellët  bën me rregull grumbullimin e  qumështit dhe shlyen me kohë të gjitha detyrimet  e saj financiare ndaj  kooperuesve”, thotë Shkreli. 

Fermeri 52 vjeçar   pohon se  nuk ka problem  me sigurimin e ushqimit të lopëve. “ Për të siguruar ushqimin me cilësi të mirë dhe të garantuar morëm përsipër që një pjesë të  konsiderueshme të ushqimit ta siguronim vetë.  Shfrytëzuam tokat e   amullakëve  të cilët kaherë i kanë lëshuar shtëpitë e tyre dhe kanë migruar e emigruar  në kërkim të një jete më të mirë .  Pjesën tjetër të ushqimit  të lopëve e blejmë. Prandaj  deri më tani  nuk kemi  pasur problem me sigurimin e ushqimit të lopëve”,   thekson Shkreli.

Ky sukses i kësaj familje të vyer, të sjellshme e të ndershme fshatare nuk erdhi krejt lehtë e papritur. Por nga  vullneti, puna, përkushtimi, nga këmbëngulja e tyre e vazhdueshme, nga shitja e qumështit  në qumështore dhe nga shitja e viçave.  Njëkohësisht planifikojnë  edhe shtimin e krerëve të lopëve dhe modernizimin e mëtejshëm të fermës.   

By admini