Nga Nikë Gashaj

Nisem nga njohja se demokracia e plotë përbëhet nga demokracia politike, sociale dhe ekonomike. Nëse ndonjëri nga këto funksione parandalohet dhe nuk realizohet, atëherë nuk kemi të bëjmë me një demokraci të plotë, as jetë të plotë shoqërore. Andaj, në atë situatë janë të mundshme vetëm forma të ndryshme të demokracisë së cunguar.

Demokracia politike cungohet atëherë, kur asgjë nuk mund të ndryshohet, kur farsa e jetës demokratike është e pranishme dhe kur sundon një oligarki politike. Mirëpo, mbetet një kundërthënie e madhe. Në jetën publike ju thoni atë që dëshironi dhe votoni për atë që dëshironi. Në kundërshtim me këtë demokraci politike, në jetën e punës – e cila përfshin pjesën më të madhe të jetës së vetëdijshme dhe në një masë të mirë përcakton mundësitë e vetëvendosjes – sundon shefi në mënyrë autoritare.

Ju duhet të dëgjoni, jo të fantazoni për lirinë dhe barazinë. Dhe, natyrisht, ju jeni subjekt i shfrytëzimit material dhe psikologjik. Politologu amerikan, Robert Dahl përcakton si të drejta themelore politike, të drejtën për të votuar, lirinë e fjalës, lirinë e të provuarit, të drejtën për konkurim në shërbime publike, të drejtë për zgjedhjet e lira, të drejta, të moderuara dhe arsyemisht të shpeshta, si dhe e drejta për themelimin e organizatave politike dhe partive politike. Demokracia politike moderne përfshin dhe të drejta të tjera. Por edhe ato të drejta që janë renditur nuk duhet vetëm të proklamohen, por edhe të realizohen në praktikë.

Imponohet pyetja: çfarë të bëjmë, atëherë dhe kur një uhëheqës politik shfaqet në vend të demokracisë. Nuk ka vend për sens të përbahkët, sepse dikush jeton në trillime. Derivati më i zakonshëm i totalitarizmit është nacionalizmi jotolerant. Kjo është arsyeja pse pavarësia e personit, vetëvendosja, është e rëndsishme për një demokraci të vërtetë. Prandaj, kur bëhet fjalë për demokracinë politike, partitë politike dhe shefat e tyre nuk duhet të imponohen mbi qytetarët(siç bëjnë tani), por duhet t’u shërbejnë atyre. Qytetarët duhet të zgjedhin vetë përfaqësuesit e tyre, jo partinë. Me fjalë të tjera, deputetët nuk duhet t’i zgjedhi  udhëheqësia e partisë, ndërsa qytetarët vetëm të votojnë(siç bëjnë sot), por qytetarët duhen të zgjedhin dhe të votojnë. Deputetët duhen të revokohen sipas një procedure të caktuar. Një profesor universitar i amerikës thotë se, ashtu si qytetarët e tjerë, një ditë mori një letër nga një kongresmen lokal duke shpjeguar se çfarë kishte bërë në Kongres, çfarë kishte ndërmend të bënte dhe duke kërkuar sugjerime. Për më tepër, secili kongresmen ka zyrën e tij ku bisedon me zgjedhësit e tij.

Mirëpo, tek ne nuk ka diçka të tillë. Le ti shikojmë  zgjedhjet lokale, njerëzit në Bashësitë lokale e njohin njëri-tjetrin mjaftë mirë. Prandaj, do të ishte e logjikshme që ata ta zgjedhin përfaqësuesi e tyre në kuvendin lokal dhe kryetarin e tyre, bazuar në punën e tyre të deritashme. Por jo! Ata janë të varur nga partitë politike, respektivisht nga udhëheqësit e tyre të cilat bëjnë përcaktimin se kush do të hyjë në kuvendin lokal dhe kush do të jetë kryetar i kumunës. Prandaj, bëhet e qartë se në vend të demokracisë kemi partitokraci me vendimin e drejtuesve të partive politike. Andaj, vijmë në përfundim se “nuk mund të ndryshosh asgjë”. Sepse, nëse pyesim veten se cili është përfaqësuesi ynë konkret në Kuvend, përgjigja është se ne nuk e kemi atë. Në të vertetë, ekziston disciplina partiake, drejtues partie, centralizim të vendimmarrjes, por jo dhe vendimmarrje të qytetarëve.

S’ka dyshim, se tani demokracia politike në vendin tonë është teje defekte. Po ashtu, është e qartë se një sistem politik demokratik në kohë të tranzicionit nuk mund të funksionojë menjëherë. Por është e nevojshme të kemi një vizion të dëshiruershmërisë së tij, në mënyrë që të mund të ndërtohet sa më shpejt të jetë e mundur. Të drejtat ekonomike, sociale dhe kulturore janë ndër të drejtat më të rëndësishme të njeriut. Në këtë drejtim, Deklarata Universale e të Drejtave të Njeriut e 1948, përcakton në nenin 25: “Çdo person ka të drejtën e një  standardi jetese të mjaftueshëm për të siguruar shëndetin e tij/saj, mirëqenien e familjes së tij/saj, në veçanti ushqimin, veshje, strehim, sigurim shëndetësor dhe shërbime të nevojshme sociale; ai ka të drejtën e sigurimeve shoqërore në rast të papunësisë, sëmundjes, invalidetit, të humbjes së mjeteve për jetesë, për shkak të rrethanave jashtë fajit të tij”. Sigurisht”ai ka të drejtë”, por shumica e popullsisë së botës të drejtat e tilla nuk i gëzon apo sendërton.

Sot mbi 500 kompani transnacionale kontrollojnë shumicën e pasurisë së botës, ndërsa 358 miliarderë, protagonistët e biznesit të madh kanë më shumë pasuri se 45% të popullësisë së botës ose 2.6 miliardë njerëz. Pamje groteske e pabarazisë në botë mund të ilustrohet me sa vijon: 20% e popullsisë së botës ka më shumë se 80% të të ardhurave botërore, pabarazitë e zhvillimit të pasluftës së Dytë botërore në marrëdhëniet “veri-jug” ishin 1:3, kurse sot ato janë 1:100; vendet më të pazhvilluara të botës janë gati 350 vjet me vonesë në zhvillim në krahasim me vendet më të zhvilluara. Të ardhurat mesatare për frymë në vit në vendet më të zhvilluara janë rreth 30.000 dollarë, kurse nga ana tjetër më shumë se një miliard njerëz jetojnë në mjerim dhe luftojnë për të mbijetuar me më pak se 370 dollarë në vit.

Parashtrohet pyetja: Si  është gjendja në Mal të Zi?  Në Mal të Zi, një pjesë e konsiderueshme e popullsisë në moshë pune është e papunë. Përveç kësaj, problem tjetër domethënës janë pagat dhe pensionet e ulëta, pra standardi i ulët i jetesës së qytetarëve.

Pasojat e varfërisë në gëzimin e të drejtave të njeriut janë shumëdimensionale. Varfëria kërcënon të gjitha aspektet e ekzistencës njerëzore, qofshin ato politike, ekonomike, sociale apo kulturore. Për të ndryshuar këtë situatë, para së gjithash, është i nevojshëm zhvillimi më i shpejt ekonomik, efikasiteti ekonomik dhe drejtësia sociale.

Gjithashtu, nga ajo sesi udhheqet politika kuadrovike, në një masë të madhe varet zhvillimi material e shoqëror, cilësia e jetesës dhe prosperiteti i një shoqërie. Andaj, lufta për një jetë më të mirë dhe progres, nuk mund të fitohet me politikanë mediokerë, jo kompetentë, jo profesionistë, pa dije teorike dhe praktike, respektivisht me politikanë llomotitës,  si në kohën e “ bahutës” apo parahistorisë.

Më në fund, fotelet përpa kapacitete profesionale, përpa ekspertë të dëshmuar, meritor dhe të moralshëm, duhet të paraqesin kohën e kaluar dhe për atë duhen të jenë të vetëdijshëm të gjithë, a në veçanti ata të cilët kanë një influencë më të madhe në sendertimin e politikës kuadrovike.

By admini