Përpjekje për ndriçimin e mistereve të Shasit
(Muhamet Nika, Shasi – e vërteta që na e fshehën, SHAI “Art Club”, Ulqin, 2021)
Autori Muhamet Nika i është paraqitur lexuesit para do kohësh me librin “Shasi – e vërteta që na e fshehën (trokitje në mite dhe realitet)”. Libri paraqet një qasje shumëdisiplinare të autorit duke e trajtuar objektin e studimit nga këndvështrime të ndryshme. Ai përbën një përpjekje për të ndriçuar misteret e shumta të Shasit, duke nisur që nga lashtësia e tij, emri, orvatjet për të fsheur iliricitetin në këto hapësira etj. Nika hedh tezën se emri i mëparshëm i Shasit ka qenë Rrizanë. Duke i kundërvënë mitet dhe legjendat që ekzistojnë për Shasin përballë realitetit, Nika e nxit lexuesin të gërmojë në burime të tjera.
Autori tregon se libri ka lindur si reagim dhe kundërargument ndaj përpjekjeve të Kishës Ortodokse Serbe për të përvetësuar trashëgiminë e Qytetit të vdekur të Shasit nga banorët vendas dhe fetë tjera monoteiste. Në libër autori ka përdorur referenca të shumta, që i japin atij karakter shkencor.
Libri është botuar nga Shoqata e Artistëve dhe Intelektualëve “Art Club”, ndërsa është shtypur në shtypshkronjën IVPE – Cetinë. Redaktor teknik i librit është Qazim Muja.
Muhamet Nika ka botuar më herët librat: “Brenda etnisë” dhe “Reflekse politike”. /i. k. Koha Javore/