Nga Xheladin Zeneli

Siç duket “Minishengeni” apo “ Ballkani i Hapur” vazhdon gjithënjë të jetë temë bisede e analize në opinionin shqiptar.
Dihet që kjo Marrëveshje është inicuar dhe nënshkruar nga tre udhëhqësit shtetëror: i Serbisë (Aleksander Vuçiq), i Shqipërisë (Edi Rama) dhe i Maqedonisë Veriore (Zoran Zaev), kurse tre vendet e tjera të Ballkanit Përendimor , (Kosova, Mali i Zi dhe Bosnja e Hercegovina) hezitojnë apo refuzojnë që ti bashkangjiten kësaj nisme.

Në Kosovë, aktualisht ka mospajtime dhe dallime të mëdha  për shumë çështje që preokupojnë këte vend , por kur bëhet fjalë për “Ballkanin e Hapur”, si politikanët e pozitës ashtu edhe ata të opozitës pothuajse të gjithë pajtohen me ate se Kosova nuk duhet të jetë pjesë e kësaj marrëveshje.
Nuk mund të ketë një “Ballkan të Hapur” me një Kosovë të mbyllur!. Kosova ka të drejtë që nuk e pranon ftesën që të jetë pjesë e një asociacioni rajonal ku një prej vendeve inicuese (pra, Serbia) nuk ia njeh asaj sovranitetin shtetëror !.

Në ndërkohë në qarqe të caktuara politike në Serbi po mundohen t’a prezentojnë presidentin e tyre, pra Aleksander Vuçiq si njeri i cili po “krijon paqë dhe po bën marrëveshje me shqiptarët”  (?!).

Nëse ka ndonjë politikan apo udhëheqës shtetëror serb i cili don paqë me shqiptarët atëherë kjo paqë mund të arrihet vetëm përmes Prishtinës. Paqja në mes serbëve dhe shqiptarëve në Ballkan fillon me shqiptarët e Kosovës ,pra duke e njohur Kosovën si shtet të pavarur dhe sovran nga ana e Serbisë.

Me sjelljet e tia  të deritanishme si dhe me qendrimet e prera si ato se “nuk do t’a njoh kurrë pavarësinë e Kosovës “,
apo se “nuk dëshiron që të njihet si president i parë”  i Serbisë i cili do ta njoh shtetësinë e Kosovës, politikani i “paqës me shqiptarët”,  mund të jetë ndoshta dikush tjetër, por në asnjë mënyrë nuk është Aleksandër Vuçiq !.
Është për keqardhje por kur është në pyetje qasja ndaj Kosovës, presidenti i tanishëm  i Serbisë vazhdon gjithënjë të mbetet peng i mentalitetit të kohës së regjimit millosheviqian , të cilit edhe i ka shërbyer dikur.

Megjithate, përmes marrëveshjes së “ Ballkanit të Hapur”, Vuçiq veçse ia ka arritur tre qëllimeve të tia:
1.Duke bërë marrëveshje edhe me Shqipërinë, përmes “ Ballkanit të Hapur”, Vuçiq po i imponohet faktorit ndërkombëtar si njeri i cili din të bëj marrëveshje me shqiptarët duke e minimizuar faktin se ai ,në anën tjetër mundohet që sa më shumë t’a izoloi Kosovën  ku vazhdimisht angazhohet në sabotimin e shtetësisë së saj;

2.Vuçiq me mjeshtri po e zhvendos vëmendjen nga njohja e Kosovës e cila njëherit është një ndër kërkesat kryesore të Brukselit zyrtar në kuadër të dialogut Prishtinë-Beograd dhe po drejton ate te
diçka tjetër, pra për të ashtuquajturin bashkëpunim rajonal, vetëm me qëllim që ti shmanget çështjes kryesore i normalizimit të marrëdhënieve në mes shqiptarëve dhe Serbisë, e që është pra njohja e shtetësisë së Kosovës;

3. Vuçiq duke bërë marrëveshje me Edi Ramën dhe njëkohësisht duke anashkaluar dhe mohuar identitetin shtetëror të Kosovës, në mënyrë perfide krijoj  polarizimin dhe përçarjen e udhëheqësve politik shqiptarë në dy anën e kufirit çka mund të kenë pasoja negative në marrëdhëniet vëllazërore të dy shteteve tona shqiptare.

“Ballkani i Hapur”  është një kurth dhe manipulim i Vuçiqit dhe sa më parë dhe sa më shpejt e kupton këte kryeministri i Shqipërisë ,aq më mirë do të jetë për të gjithë shqiptarët, në dy anët e kufirit administrativ.

Marrëveshja “ Balkani i Hapur” i  treshes Vuçiq-Rama-Zaev,që nga fillimi për  arsy të ndryshme është karakterizuar si kontradiktor me ç’rast njëherit i ka munguar edhe   konsensusi e tre vendeve të tjera të Ballkanit Përendimor, (pra Kosovës, Malit të Zi dhe Bosnjë-Hercegovinës),dhe
mendoj si e tillë kjo nisëm është e destinuar që të dështojë.

Gjithashtu çdo iniciativë apo marrëveshje e këtij lloji e cila përjashton Kosovën apo Shqipërinë, pra një asocion rajonal ku nuk përfshihen bashkarisht të dy shtetet shqiptare , s’ka kurrfarë kuptimi dhe është në kundërshtim të plotë me interesat tona kombëtare.


Gusht 2021

By admini