Të shtunën e kaluar, më 31 korrik 2021, në fashit Vuthaj të Komunës së Gucisë, në mënyrë solemne u shënua 85-vjetori i lindjes së akademik Rexhep Qosjes.
Salla e Shtëpisë së kulturës, ku u mbajt akademia solemne e manifestimit, ishte e ngushtë dhe e pamjaftueshme për kah hapësira, për t’u vendosur të gjithë ata që kishin ardhur nga Vuthajt, por edhe nga të gjitha vendbanimet me popullatë shqiptare në trevën e komunave Plavë dhe Guci e më gjerë, e në veçanti një numër i konsiderueshëm mërgimtarësh në Diasporë, për të marrë pjesë në akademinë solemne të bashkëvendësit e bashkëkombësit të nderuar e respektuar, kolosit dhe veprimtarit të denjë e të pa epur të letërsisë shqipe, akademik Rexhep Qosjes, në shënimin e 85-vjetorit të lindjes së tij, mu në vendlindje ku i ka filluar hapat e parë të jetës dhe dijes.
Ceremonialin e rastit solemn në fjalë, e filluan gjashtë të rinj dhe të reja me recitalin gjithëpërfshirës nga veprimtaria letrare e profesor Qosjes, kurse atë e hapi moderatorja e programit, Arbenita Vukaj, e cila i përshëndeti të pranishmit, kurse akademik Qosjes ia uroi përvjetorin e 85 të lindjes së tij, duke i dëshiruar shëndet të mirë e jetë të gjatë, që mu në këtë vend sërish të tubohemi për të shënuar vitin jubilar – 100 vjetorin e lindjes së tij.
Profesori i gjuhës dhe letërsisë shqipe, publicisti e përkthyesi dhe ish studenti i profesor Qosjes, dhe organizuesi kryesor i manifestimit në fjalë, Binak Ulaj, me admirim dhe dinjitet elaboroi mbi jetën dhe veprimtarinë e bujshme të akademik Rexhep Qosjes.
Fjalën e rastit në tubimin madhështor e filloi me shprehjen: “Është gëzim dhe nder i veçantë për mua, që së bashku me ju dhe profesorin tonë emërndritur, ta shënojmë 85-vjetorin e lindjes së tij”.
“Vepra të shumta letrare, vepra të artit muzikor, të artit figurativ dhe të artit pamor, u janë kushtuar gjeneralëve të luftërave çlirimtare, por ja, ndodhë edhe e kundërta. Gjenerali i luftës dhe i paqes Kudusi Lame, do t’ia kushtojë një vepër vëllimore monumentale prej 700 faqesh profesor Qosjes, në të cilën ndër të tjera shkruan: ‘Filozofia e Qosjes ka dhënë prova të pakontestueshme të saktësisë së mendimit parashikues dhe të ideve vizionare’ “, ka theksuar Ulaj dhe në vazhdim është shprehur: “Një vlerësim i tillë i gjeneralit Lame, nuk është i rastësishëm. Jo! Duke qenë ushtar me përvojë profesionale, pjesëmarrës në Luftën e UÇK-së, syrit dhe vëmendjes së tij, nuk do t’i shpëtojë qëndrimi dhe veprimtaria e personaliteteve të politikës dhe të artit në Kosovë. E prof. Qosja, me punën e vet krijuese, mendore e shpirtërore, letërsisë, historisë dhe kritikës së letërsisë, polemikës dhe publicistikës politike e shoqërore, veçmas publicistikës dokumentare shqiptare, i ka dhuruar 50 vepra të botuara, një numër i të cilave janë përkthyer në disa gjuhë kryesore të huaja. Së shpejti do ta kemi në dorë edhe Ditarin e tij – të nëntin me radhë”.
Duke elaboruar për veprimtarinë letrare të akademik Qosjes, Ulaj ka thënë se “temë kryesore në veprat e Qosjes është fati i popullit tonë, i popullit të pambrojtur, siç e quan ai, përpjekjet dhe lufta e tij për liri, lufta kundër dhunës dhe të keqes. Se me çfarë përkushtimi janë shkruar gjithë këto vepra të denja edhe për një institucion të mirëfilltë shkencor, mësojmë nga jetëshkrimi i profesorit, i cili nuk kursen as shëndetin e vet, as përkushtimin e pazëvendësueshëm të familjes së vet. ‘Çdo ditë e kaluar pa shkruar më bëhet si një copë e shqyer e mishit të trupit që më sjell dhëmbje’ – shkruan ai dhe të gjithë këtë jo për një javë, muaj apo për një vit, por për afro shtatë dekada.
Duke elaboruar për veprimtarinë letrare të profesor Qosjes, Ulaj konfirmon se Qosja sjell një frymë të re, moderne, çfarë nuk i kishit hasur më parë në letërsinë dhe studimet letrare. Përveç kësaj fryme, ajo që e karakterizon veprën e Qosjes, veçmas prozën e tij, është përzgjedhja dhe shtjellimi i temave të ndaluara për atë kohë, për të cilat askush nuk kishte guxim të shkruante më përpara.
Përveç krijimtarisë letrare, profesor Qosja është studiuesi më i dalluar dhe më gjithëpërfshirës i historisë së letërsisë shqipe. Vepra e tij kapitale “Historia e letërsisë shqipe”, e botuar në tri vëllime dhe “Porosia e madhe”, janë kryevepra të kësaj fushe, pohon Ulaj.
Prof. Binak Ulaj në elaborimin e vet konciz shprehet se: “Kritika letrare e Rexhep Qosjes kundër skematizmit, anakronizmit, folklorizmit, kiçit në art, është shprehje e vetëdijes së tij të lartë kritike”.
Ulaj po ashtu bën me dije se prof. Qosja krijimtarinë e vet mendore – intelektuale ia kushton edhe publicistikës dhe shkrimit të veprave dokumentare. Vepra publicistike e dokumentare e prof. Qosjes shtjellon tema për veprime e ngjarje historike vendimtare për fatin e popullit shqiptar. Vet titujt e këtyre veprave tregojnë për përmbajtjen që kanë. Ja disa prej këtyre titujve: “Populli i ndaluar”, “Strategjia e bashkimit kombëtar”, “Çështja shqiptare – Historia dhe politika”, “Shqipëria dhe Kosova”.
“Me demonstratat e vitit 1981, dhe me botimin e këtyre veprave publicistike të Qosjes, fillon dejugosllavizimi i mendimit politik shqiptar në Kosovë”, thekson Ulaj dhe në vazhdim shton: “Përveç polemikave me intelektualët kundërshqiptar, serb, malazez e maqedonas, me shkrimet publicistike, Qosja do të jetë zë i fuqishëm kundër veprimeve të dëmshme çintegruese edhe në të dy krahët e atdheut tonë”.
Përveç rolit vendimtar të demonstratave të vitit 1981, shkrimet e prof. Qosjes dhe intervistat e tij dhënë mediave të huaja, do të jenë zë i pazëvendësueshëm vendimtar për aktualizimin e çështjes së Kosovës në botë.
Binak Ulaj në elaborimin e vet konfirmon se Qosja nuk është shkrimtar që shkruan me porosi. Jo, sepse është i vendosur ta thotë të vërtetën, me këtë ta ruajë ndërgjegjen e vet.
Duke i mbetur besnik misionit të tij për vetëdijesimin e popullit, prof. Qosja edhe sot shkruan e kritikon ashpër dukuritë që cenojnë rend ndërtimin e shtetit demokratik, si në Shqipërinë shtetërore, ashtu edhe në Republikën e Kosovës.
Në fund të Elaborimit, Binak Ulaj theksoi se akademik Qosja i kushton kujdes të jashtëzakonshëm gjuhës. Para se t’i publikojë shkrimet e veta, ai do t’i lexojë e rilexojë nga disa herë. Ndaj, mendimet e tij dalin aq të sakta dhe të ngjeshura. Përveç kësaj, prof. Qosja ka krijuar shumë fjalë e nocione të reja ashtu siç vepronin edhe rilindasit tanë. Në veprën e Qosjes ka shumë aforizma, dëshmi kjo e përvojës së tij krijuese.
Në njërën prej veprave dokumentare të tij, Qosja shkruan: “Nuk i kushtoj rëndësi ditëlindjes. Dhe, kurrë s’i kam kushtuar. Jam lindur rastësisht, ka mundur të mos lindem”, thekson Binaku dhe shton: “Po sikur mos të lindej, kultura shqiptare do të mbetej pa krijuesin më të përkushtuar dhe më të dinjitetshëm shqiptar”.
Prof. Binak Ulaj, elaborimin e vet mbi jetën dhe veprimtarinë e akademik Rexhep Qosjes e përfundoi me shprehjen shumëpërfshirëse: “Gjenerali i mendjes profesor Qosja. E ka përfunduar misionin e vet intelektual. Ndaj na mbetet t’i urojmë të ketë edhe mëtej shëndet fizik e mendor për ta përplotësuar misionin e tij dhe përjetuar Rilindjen e tretë – atë të bashkimit kombëtar.
Për jetën dhe veprimtarinë letrare të akademik Rexhep Qosjes, me admirim dhe mënyrë koncize e analitike, foli edhe bashkëvendësi i tij i mirënjohur, epidemiologu vuthjan në pension, prof. dr. Jusuf Dedushaj, i cili Qosjes i dhuroi veprën e vet voluminoze “Enciklopedia e mjekëve shqiptar”.
Akademik Rexhep Qosja në fjalën e vet të rastit, falënderoi parafolësit bashkëvendës Ulaj e Dedushaj për evokimet e shprehura kushtuar jetës dhe veprimtarisë së tij letrare, kurse të pranishmit i përshëndeti dhe i falënderoi për pjesëmarrjen në akademinë solemne në 85-vjetorin e lindjes së tij.
Në elaborimin e vet konciz e dinjitoz, profesor Qosja u përqendrua kryesisht në kohezionin e popullit shqiptar. Në këtë drejtim ai është shprehur: “Këtu kam një pyetje: A ka kohezion sot populli shqiptar, d.m.th. unitet? Kohezion do të thotë për bashkësi shpirtërore, shoqërore e kombëtare e një populli. A e kemi sot këtë kohezion të zhvilluar sa duhet, e para? Dhe e dyta, a mos kemi veprimtari të bëra. Do sjellje, do ide e do mendime që e cenojnë këtë kohezion shpirtëror, shoqëror de kombëtar? Mos harroni se kohezioni është një gjendje shumë, shumë e rëndësishme e një populli. Populli që s’ka kohezion nuk mund të arrijë qëllime të mëdha, të rëndësishme historike, shoqërore e kombëtare”, është shprehur profesor Qosja.
Akademik Rexhep Qosja, në mënyrë koncize dhe dinjitoze, është përgjigjur edhe në shumë pyetje të publikut të pranishëm. Ai në fund ka iniciuar mundësinë që në të ardhmen fshati Vuthaj të bëhet qendër e rëndësishme kulturore.
Piktorja e mirënjohur nga Hoti i Kujit i Komunës së Plavës, Kaltrina Hoti, profesor Qosjes i dhuroi pikturën e vet të kornizuar, kurse autori i këtij teksti, Qosjes ia dhuroi katër numrat e gazetës “Koha Javore”, në të cilat në vazhdime kishte shkruar për veprimtarinë e tij letrare, me theks të veçantë në veprën vëllimore “Ditar – dëshmitar në kohë historike”, si dhe ia dhuroi librin e vet të posabotuar “Gjurmë në kohë dhe refleksione”, për të cilat prof. Rexhep Qosja përzemërsisht u falënderua.

Sh. Hasangjekaj

/Koha Javore/

By admini