Nga Qani  Osmani

   Paraqitja e partive politike shqiptare në Mal të Zi, nuk është dhe nuk guxon të trajtohet si çështje teknike, vetëm si rezultat i ndryshimeve në ish-Federatën jugosllave. Në qoftë se kemi një qasje sipërfaqësore ndaj organizimit politik të shqiptarëve në Mal të Zi, shumë lehtë mund të gjendemi në grackën e mosnjohjes së realitetit të kësaj pjese të kombit që jeton në trojet e veta shekullore dhe luan rol tepër të rëndësishëm në mbrojtjen e kauzës kombëtare. Organizimi i shqiptarëve në parti politike nuk guxon të kuptohet si trend i kohës së atëhershme, por si angazhim i logjikshëm i popullit shqiptar në Mal të Zi, për mbrojtjen e qenies kombëtare dhe krijimit të parakushteve të duhura për një perspektivë më të sigurt.

   Nismë e themelimit të partive politike shqiptare të reja në përmasa të mëdhaja u nxit edhe nga mosrealzimi i objektivave partiake dhe dështimi i shumë partive të mëparshme. Është fakt i pamohueshëm se partitë politike shqiptare për një kohë të shkurtër të jetësohen dhe më pasë të dështojnë. Qysh në fillim u pa qartë se partitë politike shqiptare në Mal të Zi, dëshiruan që të jepnin pak ndërsa të përfitojnë shumë nga trupi zgjedhor shqiptar në Mal të Zi. E gjithë kjo i çoi drejt një rruge të vetme, që të veprojnë kokë më vete.

   Me legalizimin e pluralizmit politik në Mal të Zi, dhe me participimin e faktorit politik shqiptar në pushtetin qendror dhe lokal, të gjithë e dinin (por të gjithë heshtnin) se edhe ato pak përfaqsues të partive politike shqiptare që ishin në poste drejtuese kishin individ-hije që kontrollonin çdo veprim të tyre. Pra, nuk kishin pavarsi në punën e përditshme, që rreptësisht kontrollohej. Të gjitha këto i shërbenin vetëm arsyetimit të pjesëmarrjes në pushtet, që në shumë raste u tregua se ishte pjesëmarrje e dhunshme, pjesëmarrje inati, pjesëmarrje për interesa klanore, kurse në fakt, ishte hapi i parë i defaktorizimit të vetëdijshëm të partive shqiptare, që asnjëherë partisë më të madhe që ushtroi pushtetin shtetëror për tri dekada nuk i kishin qëndruar përballë me ndonjë letër, që do të shndërrohej në dokument veprimi.

   Andaj, në vend që përfaqësuesit e popullatës shqiptare të kishin rolin e rëndësishëm në aparatin shtetëror, ata në fakt kishin marrë rolin e figurantëve, pra të figurave që nuk flasin, por vetëm lëvizin, duke u bërë pjesë e një kallaballëku të parandësishëm të quajtur multi-etnik, por që përdorej si një kozmetikë e shkëlqyeshme në demostrimin e vlerave demokratike, qytetëruese dhe njëkosisht për t’i bindur edhe vetë shqiptarët se ata janë të përfaqësuar në të gjitha segmentet të funsionimit të pushtet shtetëror dhe lokal. Shqiptarët, fatkeqësisht, shërbyen vetën si numra në llogaritjen e përqindjeve të përfaqësimit të tyre, që zakonisht i nevojitej vetëm partisë politike shqiptare në qeveri për të pasur alibi në arsyetimin e qëndrimit në pushtet.

   Dyshimi permanent ndaj shqiptarëve ishte një lloj lajtmotivi që përshkonte tërë administratën shtetërore dhe të gjitha nivelet ku, sa për sy e faqe, ishin të përfaqësuar shqiptarët. Dyshimi ndaj shqiptarëve ishte (dhe është) një kod i pazbërthyeshëm, edhe atë me vetë fajin e shqiptarëve, sepse asnjëherë nuk ishte shtruar si problem, si diçka që duhet trajtuar në formën: “ose do të jetë kështu ose ndryshe s’bën”. Kjo, gjithsesi kishte të bëjë me ate filozofinë e mjerë “më mirë pak se aspak”. Në të vërtetë, në atë kënaqësi me pak, askush nuk e çante kokën për marrjen e rolit të figurantit. Çdo kritikë në adresë të pushtetit, pasohej me një kundërkritikë bombarduese që i jepte forcë mbajtjes vertikalisht efektit dehës. Argumenti i qëndrueshëm dhe i justifikueshëm nuk kishte vlerë, sepse kundër një kritike të argumentuar sajoheshin dhjetëra kundër-argumente me elemente që ndërlidheshin me fatin e popullit.

   Sajuesit e manipulimeve dilnin në sipërfaqe dhe sakaq mjegullonin gjithçka që nuk i shkonte për shtati partisë në pushtet. Pra, kritika nuk kishte vend në ambientin që pretendohej të jetë demokratik. Thjeshtë ngulfatej. Servilët mundoheshin ta bindnin opinionin se “përfaqësuesit shqiptarë në pushtet janë të pagabueshëm, kurse të tjerët duhet të heshtin”.Por, koston e një atmosfere të tillë të turbullt e paguanin shqiptarët, roli i të cilëve u minimizua në përmasa ekstreme. Fatkeqësia bëhej edhe më e madhe kur të miret parasysh fakti se një atmosferë të tillë të turbullt, faktorët politik shqiptar në pushtet vazhdonin ta thellonin hendekun e ndasisë, gjë që ishte e mjaftueshme për partinë shtet që ta mbajë anash (faktorin politik shqiptar) jo vetëm në vendim-marrje, por edhe në projektet e shumta që eliminonin politikën, historin e kulturën tonë.

   Shqiptarët arritën në stadin më të lartë të hutesës pikërisht me kontributin e tyre. Pra, u bënë e keqja e vetvetes. Ndërkaq, hutesa, sipas një interpretimi logjik, është e barasvlershme me pasivitetin. Më nuk ndihmonte edhe aktrimi i herëpasëhershëm, sepse ishte sipërfaqësor dhe mbi të gjitha i tejdukshëm. Kontribuesit e kësaj injorance ishin pikërisht ata që kishin arritur ta mjegullojnë atmosferën dhe që pritnin momentin që sërish të dalin dhe të notojnë në ujërat e politikës, duke u paraqitur si shpëtimtarë të shqiptarëve, të cilët pothuaj ishin fundosur në baltën e rërës.

   Zgjimi i vetëdijes së fjetur shqiptare dukej si një proces i dhimbshëm. Duhej shpresuar se veprimet e këtilla do t’u jepnin forcë që të vërtetën ta shikonin në sy dhe se do të përcaktoheshin për një alternativë që nuk do të ishte e çastit, por e përhershme. Këtë do të duhej ta përcaktonte edhe vetëdija dhe ndërgjegjja e përfaqësuesve të shqiptarëve, të cilët do të duhej të kishin vetëm një alternativë: t’i kthehen interesit të popullit dhe t’i lënë pas interesat personale dhe grupore.

    Andaj, lufta politike e ardhshme e partive politike shqiptare, e inteligjencës së frikësuar do të duhet të jetë luftë për ngjalljen e shpresave të popullit, për kthimin e besimit, optimizmit. Duhet të marrë fund funksionimi i oligarkive dhe i klaneve partiake, duhet të marrë fund mentaliteti provincial, bajraktarizmi, duhet demaskuar përfituesit që keqpërdorin emocionet e popullit, si dhe spiunët e shumtë që janë përpunuar nga shërbimet sekrete. Shqiptarët s’do të humbin asgjë nëse ia fillojnë nga pika zero. Duhet të merret qëndrim i prerë: në të ardhmen, çdo koalicion ndërmjet partive shqiptare dhe participimi në pushtet, do të duhet ta ketë çmimin e vet. Duhet të bindet pala tjetër se shqiptarët më nuk do të jenë “dekor” i qeverisë dhe justifikim para ndërkombëtarëve, të cilët dotë duhet të binden se shqiptarët asnjëherë nuk kanë hezituar që problemet t’i zgjedhin në mënyrë institucionale. Por, gjithashtu, të gjithë duhet ta dinë se politika institucionale humb kuptimin kur në vendimarrje vazhdimishtë je i mbivotuar (një vlerë absurde e demokracisë ballkanike) dhe natyrisht, nuk duhet që vazhdimisht konstruktiviteti të kërkohet vetëm nga shqiptarët.

     Qani  Osmani

By admini