Nga Qani Osmani
Përgjatë historisë sëmundjet ngjitëse kanë shkaktuar vdekjen e miliona njerëzve dhe kanë ndikuar në rrjedhën e jetës dhe identitetit njerëzor. Nën ndikimin e këtyre rrethanave apokaliptike janë ngritur e shembur me lehtësi mbretëritë, përhapeshin me lehtësi religjionet, nisnin ose pushonin luftërat e përgjakshme.
Në veprën “Iliada” Homeri shkroi për murtajën që përgjismoi ushtrinë greke gjatë luftës së Trojës në sh. XII para erës së re. Në kohën antike mendohej se epidemitë i shkaktojnë perenditë për t’i dënuar njerëzit. Përndryshe, në librat e vjetër janë përplot të dhëna lidhur me mënyrën e trajtimit të njerëzve të infektuar nga “lebra”, lidhur me këshillat për izolimin e tyre dhe kontrollin e përjavshëm nga ana e priftërinjëve për të mos marë hov sëmundja. Edhe mjeku grek Hipokriti, që e përkufizoi i pari epidemin, fliste për domosdoshmërinë e izolimit të njerëzve të infektuar..
Murtaja e Peloponezit – Pandemija më e vjetër u paraqit gjatë Luftës së Peloponezit në sh. V para erës së re. Sëmundja u përhap nga Libia, Etiopia dhe Egjipti nëpërmjet mureve të Athinës së rrethuar nga spartanët. Sipas shënimeve historike, kjo murtajë mori jetën e dy të tretave të popullatës. Për të ka shkruar dhe historiani i famshëm Tukididi, sipas të cilit kjo pandemi mori dhe emrin “Murtaja e Tukididit”.
Murtaja e Antoninit, viti 165: Mendohet se fruthi u paraqit së pari tek Hunët, të cilët i infektuan fiset gjermane, kurse këta të fundit e bartën sëmundjen mes ushtarëve romakë, që e përhapën më pas në gjithë mbretërinë. Epidemia në fjalë zgjati 15 vjet. Sipas historianëve, në Romë vdisnin nga 2.000 njerëz në ditë, kurse nimri i përgjithshëm i të vdekurve qe mbi 5 milionë. Në mesin e të vdekurve ishin edhe mbretërit Lucije Veri dhe Mark Aureli i dinastisë Antonina, sipas së cilës dhe u pagëzua sëmundja.
Murtaja e Justinianit, viti 541: “Murtaja e Justenianit” për herë të parë u paraqit në Egjipt, duke u përhapur pastaj në Palestinë dhe Mediteran. Sëmundjen e bartnin mijtë dhe pleshtat e tyre. Kjo murtajë u rikthye disa herë gjatë dy shekujve në vijim. Gjithnjë sipas tyre (studiuesve të kohës) vetëm në Konstandinopojë (Stambollin e sotëm) vdisnin nga 5-10 mijë njerëz, kështu që, për tre vjet u zhduk një e treta e popullatës. Kishte aq viktima sa nuk mund të varroseshin, ndaj i palosnin nëpër obore kishash e kullash, sepse krishterimi nuk e lejonte djegien e kufomave. Sipas historianit bizantin Prokopius, epidemia “ pothuajse e zhduku njerëzimin”. Kronikanët thonë se “Murtaja e Justinianit” e lehtësoi përhapjen e Krishterimit, po ka dhe autorë që pohojnë se murtaja ndihmoi ngritjen e Islamit…
Vdekja e zezë, viti 1347: Mendohet se vatra e parë e saj u paraqit në Azi, kurse në Evropë e sollën pushtuesit tatarë. Murtajën e ndihmoi jeta nomade po dhe lëvizjet kryqtare, që ktheheshin nga Jeruzalemi. Historianët thonë se Vdekja e zezë mori jetën e 60 % të popullatës evropiane dhe një të tretën e popullatës së atëhershme botërore. Skenat e tmershme të sëmundjes në fjalë i përshkroi Xhovani Bokaço në “Dekameronin” e tij të famshëm…Sipas “National Geographik” kjo pandemi e frikshme jeton në mbi 200 lloj brejtësish të përhapur në gjithë planetin dhe mund të paraqitet edhe në kohën tonë.
Fruthi dhe murtaja e brumbujve, viti 1492: Ekspozitat e spanjollëve në Karaibe bartën te popullata autoktone sëmundje gjer atëher të panjohura, si fruthi dhe murtaja e brumbujve. Kjo zhduku 90 % të popullatës vendase. Sipas kronikëve, në vitin 1492 Kristofor Kolombo e gjeti ishullin Hispaniola me 60.000 banorë të popullit Taino, numër ky i cili në vitin 1548 mezi arrinte në 500 frymë. Ky skenar ndodhi në gjithë kontinentin amerikan, të populluar me afro 60 milion banorë vendës, 56 milion prej të cilëve vdiqën brenda 2-3 dekadave.
Në vitin 1665, murtaja e brumbujve vrau 20 % të banorëve të Londrës (afër 100.000 njerëz). Meqë mendohej se e përhapën macet dhe qent, u therën me mijëra prej tyre me qëllim të ndaljes së përhapjes së murtajës.
Pandemia e parë e kolerës, viti 1817: E para nga 7 pandemitë e kolerës në 150 e ardhshme u paraqit në Rusi, ku vdiqën një milion njerëz. Nëpërmjet ujit të infektuar nga jashtëqitjet dhe ushqimi, sëmundja u përhap mes ushtarëve britanik, që më pas e dërguan në Indi, ku gjithashtu vdiqën mbi një milion njerëz. Mbretëria e madhe britaneze e përhapi kolerën edhe në Spanjë, Afrikë, Indonezi, Kinë, Japoni, Itali, Gjermani dhe Amerikë, ku gjithashtu pati shumë të vdekur. Vaksina kundër kolerës u zbulua në vitin 1885, por pandemia u paraqit edhe shumë herë të tjera…Pandemia e tretë e kësaj murtaje u paraqitnë vitin 1855 në Kinë dhe u bart në Indi dhe Hong Kong, ku vdiqën 15 milionë njerëz. Sëmundja qe aktive gjer në vitin 1960…
Ethet spanjolle, viti 1918: Nga kjo epidemi u infektua një e treta e popullatës botërore, kurse numri i të vdekurve ishte mbi 50 milionë njerëz, për shumëkë edhe mbi 100 milionë. Mendohet se virusi H1N1 të cilin e bartin shpezët, së pari u paraqit në Kinë, pastaj nëpërmjet punëtorëve kinezë në Kanada dhe Evropë. Nga këto ethe njerëzit sëmureshin në mbrëmje dhe vdisnin në mëngjes, duke shkuar në punë. Ethet spanjolle shkatërronin me shpejtësi marramendese mushkërit e të infektuarve.
HIV-AIDS, viti 1981: AIDS-i është vdekjeprurës, sepse shkatërron sistemin imunitar të njerëzve. Sëmundja u paraqit në bashkësit homoseksuale amerikane, por mendohet se është zhvilluar nga një virus në trupin e shimpanzës në Afrikën Perendimore që në vitin 1920. Janë të shumta njohësit e këtij virusi që pohojnë se në vitin 1960 u paraqit në Haiti, kurse në vitin 1970 në Nju Jork dhe San Francisko. Gjer me sot AIDS-i ka marë 35 milion jetë njerëzish.
SARS-i, viti 2002: U paraqit në Kinë si sëmundje që sulmon mushkëritë. Më 2017 u zbulua se burimi i këtij virusi të rrezikshëm janë kolonitë e lakuriqëve të natës të krahinës Junan. Meqë Kina kurseu fillimisht informacionet rreth virusit në fjalë, pjesa tjetër e botës nisi të dyshojë në këtë shtet…
Gripi i shpezëve, viti 2003: Virusi i gripit të shpezëve H5N1 u paraqit në Kinë në vitin 1996,. Nga viti 2003 ai u përhap në Korenë e Jugut, në Tajland fhe në Vietnam, fillimisht te shpezët pastaj te njerëzit. Për ta ndërprerë përhapjen e virusit u eliminuan miliona shpezë. Nga H5N1 kanë vdekur gati 300 mijë njerëz.
Gripi i derrave, viti 2009:H1N1 është tip i ri virusi, i panjohur paraprakisht te kafshët dhe njerëzit. U paraqit pas mutacionit të virusit të shpezëve, fillimisht në SHBA, pasta nëpër botë. Ky lloj gripi mori afër 600 mij jetë njerëzish, ose 1 % të të infektuarve.
MERS-Cov, viti 2012: Për herë të parë u identifikua në Arabinë Saudite. Njësoj si SARS-i edhe ky virus sulmon mushkëritë, por edhe veshkët dhe organet tjera. Në dallim prej virusave tjera, MERS-Cov nuk u përhap përtej kufijve të Arabisë Saudite, ku infektoi 2.5 milionë njerëz dhe vrau afër mijë prej tyre.
Dhe i fundit në listën e viruseve të rrezikshëm është COVID-19 (koronavirusi), që tash e një vit të plotë e ka gjunjëzuar botën. Ku për fat të keq, aktualisht numri i të infektuarve është më i madh se kapacitetet e spitaleve nëpër botë, kurse numri i të vdekurve në 1.000 banorë është ndër më të lartit. Në këso rrethanash, lindin e përhapen vetvetishëm parashikimet e zymta për të ardhmen e jetës, e cila, me gjasa, nuk do të jetë më kurrë ashtu si ishte para kësaj pandemie.
Sidoqoftë, vend për panik nuk duhet të ketë, sepse kjo vetëm mund ta përkeqësojë gjendjen edhe ashtu të rënd. E vetmja gjë që na ka mbetur është të ndjekim rekomandimet e mjekëve dhe të bëhemi heronjë kokëbosh, prapa trimërisë verbale të të cilëve fshihen frikacakët më të mëdhenj, që s’kanë vlerë tjetër për të rënë në sytë e botës.