( Vetëm një komunitet i bashkuar dhe mbipartiak mund t’i ndihmoi çështjes së vet kombëtare)

Nga Xheladin Zeneli

Është fakt i pamohuar se zgjedhjet e këtij viti ishin një ndër zgjedhjet më të polarizuara në historinë e SHBA dhe si të tilla ato do të vazhdojnë t’a mbajnë të ndarë politikisht shoqërinë amerikane për një kohë të caktuar edhe në të ardhmen, pa marrë parasysh se cili nga dy kandidatët do të jetë president në katër vitet e ardhshme.
Ky polarizim dhe këto ndasi politike janë reflektuar dukshëm dhe si asnjëherë më parë edhe te një pjesë e komunitetit shqiptar në SHBA, me ç’rast një numër i konsiderueshëm i tyre u pzicionuan në krahun e dy kandidatëve presidencial, pra në njërën anë përkrahësit e presidenti i tanishëm Donald Trump dhe në anën tjetër përkrahësit e ish z/presidentit Joe Biden.
Në çdo shoqëri demokratike siç janë SHBA, çdo qytetar i saj gëzon të drejtën e angazhimit në proceset zgjedhore dhe në këtë aspekt ishte krejtsisht normale angazhimi i pjesëtarëve  të komunitetit shqiptar në fushatën zgjedhore duke përkrahur njërin nga dy kandidatët .Por sipas mendimit tim ajo çfarë nuk ishte normale dhe e pakuptimtë ishte krijimi i tensioneve dhe përçarjeve  të panevojshme në mesin e pjesëtarëve të komunitetit shqiptarë në baza të bindjeve të tyre politike. Shpresoj që me përfundimin e këtyre zgjedhjeve shqiptarët megjithate do ti tejkalojnë mospajtimet e tyre politike dhe ideologjike që dominuan gjatë fushatës zgjedhore, mospajtime këto  të cilat u manifestuan në mënyra të ndryshme, sidomos përmes rrjeteve shoqërore në internet, ku kryesisht dominoi  retorika negative dhe fjalori  urryes dhe fyes ndaj njëri-tjetrit.

Komunineti shqiptar në SHBA duhet të jetë shembull i tolerancës politike ashtu si i ka hije një mërgate e cila jeton në vendin i cili njihet si vendi më të avancuar vlerave dhe kulturës demokratike në botë. Gjithashtu kumuniteti shqiptar duhet të jetë shembull i tolerancës dhe harmonisë politike edhe për një arsye tjetër.
Mërgata shqiptare e Amerikës gjithëmonë është angazhuar  që të luaj rolin e unifikuesit në raport me atdheun, vendlindjen dhe trojet tona të origjinës .
Pra, jemi ne ata të cilët gjithëmonë kemi kritikuar ashpër dhe fuqishëm ndasitë politike  e politikanëve të dy  shteteve tona  dhe vazhdimisht kemi bërë  thirrje, qoft kjo në mënyrë individuale apo përmes organizatave dhe shoqatave tona ,për bashkimin e faktorit relevant politik të atjeshëm, si në Shqipëri, Kosovë si dhe te politikanët dhe liderët e mbarë hapësirës shqiptare në Ballkan.
Prandaj është me rëndësi që mesazhet dhe këshillat tona ndaj të tjerëve të jenë njëkohësisht në përputhje me parimet dhe me veprimet tona.

Për nga numri i pjesëtarëve të komunitetit tonë në SHBA , ne nuk jemi faktor demografik i cili mund të kenë efekt në rezulltatin e zgjedhjeve presidenciale, por e kemi dëshmuar në të kaluarën se kur jemi të bashkuar dhe të organizuar, mund të jemi faktor i fuqishëm  lobist për çështjen tonë kombëtare.

Historia e Mërgatës Shqiptare në Amerikë dhe roli ndërgjegjësues i saj që nga koha e presidentit Wilson e deri te presidenti Clinton, na mëson dhe na tregon  qartas se kur kjo mërgatë është e bashkuar dhe flet një zëri, mund të kenë ndikim vendimtar për fatin e kombit tonë.

Çdo president amerikan, bashkë me administratën e vet, pa marrë parasysh se cilës parti politike ajo i takon, do të jetë e gatshme të n’a ndihmojë  aq sa jemi ne gati t’a ndihmojmë vetëvehten, pra përkrahja e Washington-it zyrtar do të mvaret gjithëmonë prej nesh dhe nga ajo se sa kemi ne vullnet dhe sa jemi të përgatitur që në mënyrë të organizuar të angazhohemi në ndërgjegjësimin e çështjes dhe aspiratave tona kombëtare.

Një riorganizim dhe bashkëpunim mbipartiak i komunitetit shqiptar në SHBA  tani është më së i nevojshëm se kurr me qëllim që të fokusohemi në qëllimet dhe interesat tona të përbashkta kombëtare.
Aq më tepër kur dy shtetet tona kombëtare si dhe trojet tjera shqiptare jashtë kufijëve të tyre administrativ, po ballafaqohen me sfida të reja dhe të vështira, me theks të veçantë ngjarjet e fundit në Kosovë të cilat kërkojnë nji rimobilizim të Mërgatës Shqiptare në SHBA dhe një ndërgjegjësim të ri për çështjen tonë të administratës së ardhshme por edhe të Kongresit dhe Senatit amerikan.

6 Nëntor 2020

By admini