Ka përfunduar edicioni i 8-të i Manifestimit Letrar Trekufitar “Muzat e Alpeve 2020”, në kuadër të të cilit karvani i Shoqatës Rajonale të Shkrimtarëve “TEUTA” duke respektuar masat kundër shtrirjes së pandemisë globale, me 30 dhe 31 tetor 2020 zhvilloi aktivitetet në Pejë, në Kllinë dhe në Petnjicë.

Dhjetëra piktura që sjellin poaq dimenzione, forma e ngjyra jete nëpër qytete të ndryshme të Kosovës , përbëjnë ekspozitën “Gjurmë Kosovë”, të akademikut Zuvdija Hoxhiq Berisha, në Galerinë e Arteve në Pejë, me të cilën Shoqata Rajonale e Shkrimtarëve “TEUTA”, hapi  Manifestimin e Përvitshëm Letrar Trekufitar “Muzat e Alpeve 2020”.
Shatrolli: “Ekspozita e Hoxhiqit prek gjenezën e kulturës shqiptare”
Filozofia e burimit ideor dhe artistic e kësaj ekspozite, sendërtohet mbi njollat e mbetura të lapsit arkitektonik të një qytetarie të vjetër e cila ne kuptimin e peshës trashëgimore, do të matej me ngjyrat e tokës, para së gjithash, me kutin e letërsisë, tha me rastin e hapjes kuratori I ekspozitës Naser Shatrolli. ”Objektet me te cilat është paraqitur autori ,vetëm sa e përfytyrojnë mënyrën e të jetuarit të paraardhësve tanë, por jo vetëm, gjersa prek në gjenezën e kulturës shqiptare. Ndërsa kultura e minaresë dhe e subjekteve të tjera në këtë formulim artistik, në kontekstin filozofik janë vlera që ngacmojnë nervin e komunikimit me rrethin dhe rrethanat, transmetojnë ide, pikëpamje, harmoni, mesazhe bashkërenduese në bashkësi dhe përtej.”
Drejtoresha Syka Kelmendi: “Peja mbështet bashkëpunimin ndërkufitar”
Drejtoresha Xhenet Syka –Kelmendi, e cila paraprakisht priti në zyrën e saj përfaqësuesit të “TEUTËS” e tha se: ”Ekspozita e parë e akademikut Hoxhiq në Kosovë është e para edhe në përiudhën e pandemisë, e cila anuloi kalendarin e aktiviteteve te planifikuara në komunën tonë. Por, së bashku me kolegët e respektuar kemi bërë të pamundurën që edicionin e 8-të i manifestimit trekufitar “Muzat e Alpeve” ta fillojmë nga Peja. Se, politikat tona lokale më së tepërmi janë të përqëndruara në bashkëpunimet ndërkufitare dhe rajonale dhe vetëm kështu mund të integrohemi dhe të prezantojmë diversitetin tonë në të gjitha sferat e jetës, e në veçanti në atë të kulturës”.


Limani: “Peja dhe “TEUTA”, shembull se si duhet prezantuar kultura”
“Forma instiucionale të cilën ka krijuar komuna e Pejës për të prezantuar veprat e artit është ajo që duhet krijuar për t’u shijuar ato, cfarë është edhe misioni I artit. Ndërsa “TEUTA” ka vizion dhe poashtu ka një mision për të lënë gjurmë në kohë. Sepse, detyra e krijuesve është që ta shënojnë kohën në të cilën jetojnë, që të mos mbeten figurantë anonimë e vetëm numra nëpër institucione të ndryshme. Ndërsa, ky artikulim konkret i shënimit kulturor sa është një sprovë e sfidë, poaq duhet të jetë provokim që të vazhdojnë në këtë formë, që të nderojmë veten, kulturën, kombin dhe kuptimin e jetës”- tha me këtë rast Xhevat limani, shkrimtar dhe themelues I “Teatrit Shqiptar në Amerikë”.
Hoxhiq: “Pejën e dua dhe e përjetoj si atdhe”   “Kur zhduket shtëpia, është njësoj si kur digjet biblioteka. Ndërsa unë, duke i vizatuar ato pothuajse me naivitet fëminor, besoj se i kam ruajtur sa për veten time poaq dhe për ata për të cilët kanë domethënien e njëjtë. Sepse, këto piktura më lidhin me rrënjët me të cilat degëzohem, me Berishët e mi nga Kodralia e Deçanit, me Kosovën, e veçanërisht me Pejën, ku kalova disa prej viteve më të bukura të jetës; fëmijërinë time. Prandaj, unë Pejën e përjetoj dhe e dua si atdhe dhe çdo rikthim atje është sikur të mos kisha ikur kurrë . Ndaj, me keqardhje të sinqertë pse edhe sot nuk jam në qyttin tim të dashur dhe me ju- ju kujtoj me dashuri”- shkruan mes tjerash në letrën falenderuese enkas për këtë rast,  akademiku Zuvdija Hoxhiq Berisha të cilit rritja e përnjëhershme e numrit të të prekurve nga pandemia në Kosovë ia pamundësoi pjesëmarrjen në ekspozitën e tij të parë, në Kosovë. “TEUTA”hapi ekspozitën e parë të akademikut Hoxhiq në Kosovë
Ekspozita, e cila do të qëndroj e hapur për dy javë në Galerinë e Arteve në Pejë, është e para e akademikut Zuvdija Hoxhiq Berisha në Kosovë, si dhe e dyta e “TEUTËS” pas ekspozitës fotografike “Motive nga Kruja e Skenderbeut”, me 2018. Me këtë rast, shkrimtarja dhe gazetarja Ajetë Beqiraj kryetare e Shoqatës Rajonale të Shkrimtarëve “TEUTA”, e cila me këtë ekspozitë filloi edicionin e 8-të të Manifestimit Letrar Trekufitar “Muzat e Alpeve 2020”, falenderoi Ministrinë për Kulturë, Rini dhe Sport të Rebulikës së Kosovës dhe Komunën e Pejës për mbështetjen e vazhdueshme ndër vite, për të shtuar se dëshirë e “TEUTËS” por edhe e akademikut Hoxhiq është që këto piktura të mbesin tek këto dy institucione si shenjë mirënjohjeje e “TEUTËS” dhe gjurmë e çmueshme e aktivitetit shumëkulturor “Muzat e Alpeve”.
Në Klinë mbahet mbrëmja poetike “TEUTA” për laureatët e saj”
Karvani i “Muzave të Alpeve” aktivitetet në komunën e Klinës i filloi me vizitën në muzeun privat “LYRA”,  ku u pritën nga shkrimtarët e kësaj komune si dhe pronari i muzeut Gjon Gjergjaj, kryetar i Klubit Letrar “Vorea Ujko”. Ndërsa, bashkarisht realizuan mbrëmjen poetike “TEUTA” për laureatët e saj”, dedikuar Xhevahir Spahiut si dhe poetit erudit Moikom Zeqos, për ikjen e hershme të të cilit mbrëmja u fillua me një minut heshtje.


“Tehut të shpatës kemi ecur rrufé./ Pastaj shpata ka ecur mbi ne”
Në emër të “TEUTëS”, për poetin e shquar dhe laureatin e sivjemë të Cmimit për Vepër Jetësore “TEUTA”, Xhevahir Spahiun kumtoi prof. Agim Vinca, i cili e vlerësoi ndër poetët më të talentuar dhe më origjinal të poezisë shqipe. “Poezia e Xhevahir Spahiut është e gjërë, nga pikëpamja tematike, artistike e shrehjes. Poezia e tij është univers i tërë që prek problemet qenësore të mbijetesës tonë si komb, por edhe të natyrës njerëzore në përgjithësi. Sepse, Xhevahir Spahiu përveç se është një poet shumë shqiptar është edhe poet universal. Është kryesisht poet i vargut të lirë që i përgjigjet më shumë temperamentit të tij krijues, por e kultivon me sukses edhe vargun e lidhur. Xhevahir Spahiu është poet i cili godet me forcë të madhe shprehëse dhe hyn në grupin e krijuesve që e ruajtën dinjitetin e fjalës edhe në kohën e monizmit. Por, shkëlqimin e plotë e arritën pas vitit 1990 kur ra diktatura dhe sistemi letrar i imponuar nga realizmi socialist”-shtoi prof.Vinca, sipas të cilit, Xheavir Spahiu është jo vetem poet briliant, sikurse Kadareja Agolli, Arapi etj.  , por edhe përkthyes i shkëlqyer  i poezisë.  
“Dhe kridhem në gjumë krejt i sigurt, se zgjimi do të jetë ringjallje…!”
“”TEUTA” sa pasurohet duke nderuar vit pas viti përfaqësuesit e denjë të letërsisë sonë, poaq po varfërohet e me ikjen e tyre, siç ndodhi sivjet me laureatin e 5-të, eruditin e rrallë të historisë e traditës së qytetërimit shqiptar, Moikom Zeqon, tha në kuadër të kësaj mbrëmjeje shkrimtarja dhe gazetarja Ajetë Beqiraj e cila shtoi se: “Poeti mendimtar e njihte vdekjen ndaj triumfonte përtej bindjes: “Do vdes shpejt…Por edhe i vdekur do vazhdoj të shkruaj…!”Per te lene pas vetes edhe vargjet monumentale si Amanet të fundit: “Dhe kridhem në gjumë krejt i sigurt, se zgjimi do të jetë ringjallje…!” – tha Beqiraj, kryetare e “TETëS” për të shtuar se Moikom Zeqo, në strukturën poetike të tjerrur me atë filozofike, dëshmoi se është vetvetja, i papërsëritshëm dhe titan i rrallë, ndërsa vepra e tij u ngrit si obelisk dritërues i tingullit, fjalës, mendimit dhe bindjes SHQIP me të cilën fshikulloi guximshëm të gjithë ata që heshtin për trinomin Pellazgo-Iliro-Shqiptar. “Moikom Zeqo – Portat e hapura te artit dhe dies”
Ndërsa, studiuesi letrar Prend Buzhala, në kumtesën e tij “Moikom Zeqo-Portat e hapura të artit dhe dies” tha se:”Ndonëse këtë vit Moikom Zeqo kaloi në përjetësi, pas vetes na la një thesar të madh veprash të publikuara që kalojnë numrin mbi 100 tituj. Moikom Zeqo është njëra ndër figurat epiqendrore të letrave shqipe dhe humbja e tij është e pazëvendësueshme për  kulturën dhe letërsinë tonë në përgjithësi. Është e rëndësishme se në të gjithë librat e tij spikat fuqishëm ideniteti kombtar shqiptar dhe rrënjët e tij të lashta deri më sot. Shkrimi nuk mbyllet kurrë siç nuk do të pushojë vepra e Moikom Zeqos së lexuari asnjëherë”. Në Klinë, artistë të fushave të ndryshme në një tryezë
Mbrëmja vazhdoi me këmbime kulturore, humor e poezi mes artistëve të fushave të ndryshme, së cilës e udhëhequr nga shkrimtari Vilson Culaj i priu artisti Xhevat Limani, në të cilën foli shkurt rreth përzgjedhjes së poezive të ciklit poetik “Moji dugovi”(Borxhet e mia) të Xhevahir Spahiut të cilën “TEUTA” e nxori nga shtypi këto ditë. “Ndonëse si autor i 12 librave dhe si aktor ,shkrimtar, dramaturg dhe regjisor,  nuk e di ku notoj më shumë, ne liqen, në det apo edhe në oqean, në të cilin u mësova të notoj me themelimin e Teatrit Shqiptar në Amerikë, të përzgjedhësh një cikël poetik nga tërë vëllimet dhe botimet e poetit kombëtar Xhevahir Spahiu, është njësoj si nga ujët e oqeanit të zgjedhësh ujin e Drinit dhe të Vjosës. Mirëpo përzgjedhja ka qasje dhe përgjegjësi subjektive andaj le të na falin ajo duzinë e madhe perlash poetike që nuk mund të përmblidhen në kuadër të librit Moji dugovi (Borxhet e mia) zgjedhjen e të cilave e bëmë me Ajetë Beqirajn, në koordinim me Orgesin , birin e denjë të Xhevahir Spahiut dhe me pelqimin e autorit, sigurisht”-tha në fjalën e tij të shkurtër Xhevat Limani, i cili në kuadër të mbrëmjes poetike deklamoi poezinë-titull të kësaj përmbledhjeje “Borxhet e mia”. Në fund të mbrëmjes u shfaq edhe rezymeja e edicionit të 7-të “Muzat e Alpeve 2019”, i mbajtur në Tivar, në Lezhë dhe në Prizren, me luareat akademikun Zuvdija Hoxhiq Berisha.
Karvani i “TEUTËS” nga Peja dhe Klina në Petnjicë
Të nesërmen karvani i shkrimtarëve nga Kosova u bashkua me shkrimtarët e Malit të Zi në Qendrën e Kulturës në Petnjicë dhe duke respektuar masat kundër shtrirjes së pandemisë globale , organizuan ceremoninë qedrore të manifestimit.  “Komuna jonë me kryetarin  Samir Agovic do të jetë gjithëmonë aty për të mbështetur ativitete të këtij niveli, shumëkuturore dhe gjithpërfshirëse nga karvani rajonal i “TEUTËS””- iu tha përfaqësuesve të “TEUTëS” që në pritje sekretari i komunës së Petnjicës, Ziko Aliloviq. Dhe, falë kësaj mbështetjeje të institucioneve tona, artistëve dhe dashamirëve të artit, kultura mbijeton edhe ne gjëndje pandemie, tha shkrimtarja dhe gazetarja Ajetë Beqiraj, kryetare e Shoqatës Rajonale të Shkrimtarëve “TEUTA”, në hapjen e ditës përmbyllëse të manifestimit “Muzat e Alpeve 2020”,  të cilin e udhëhoqi shkrimtari i mirënjohur, Safet Hadroviq-Verbiçki. Përderisa, drejtori i Qendrës së Kulturës, duke përshëndetur pjesëmarrësit në rolin e nikoqirit tha se “dyert e kësaj qendre do të jenë gjithnjë të hapura për aktivitete të tilla të cilat vendosin marrëdhenje të mira dhe shtrinë ura mes njerëzve dhe kulturave të këtij rajoni, duke praktikuar në vepër misionin që ia kanë vënë vetes e që është respektimi i vlerave tradicionale, i diversitetit etnik dhe natyrisht, lidhjes kulturore me vendet e rajonit”-tha Tiganj për të shtuar se Qendra e Kulturës në Petnjicë ishte organizatore e parë në rajon e takimeve letrare kushtuar Esad Mekulit. Promovohet libri “Andjeli propovedaju jutrom” i prof.Agim Vincës
Programit i parapriu promovimi i librit me poezi të përzgjedhura i prof.Agim Vincës, “Andjeli propovjedaju jutrom”, në përkthim të Smajl Smakës, redakturë të Hasnija Muratagiq Tunës dhe me parathënie të Mirash Martinoviq, i cili në fjalën e tij ndër të tjera tha se:”Kosova, ka sjell shumë poet të spikatur, si Azem Shkreli, mikun im i dashur Ali Podrimja e të tjerë, por kur lexova poezitë e përzgjedhura të Agim Vincës e kuptova se fjala edhe Vinca është një shkrimtar i madh. Poet, i cili poezinë e kërkon në jetë dhe kjo është poezia madhështore e cila sjell frymën e kohës”.
Për sfidat e përkthimit të këtij libri, Smajl Smaka tha se të gjithë jemi të vetdishëm domethënjes së prezantimit të një vepre. Por, përkrah dimenzioneve kuturore e politike, këtu ka një matematikë të thjeshtë sepse nga një vepër e përkthyer përfitojnë të dyja palët. Ndërsa, me përkthimin e kësaj përmbledhjeje jam gjetur para sprovës që të mos degradoj, depoetizoj dhe që kjo poezi majash të mos humbas shkëlqimin me rastin e përkthimit, se sipas mendimit të një teoricienti, në përkthim nuk humbet asgjë tjetër përvec vet poezisë”.
Vinca: “Fjala dhe kultura shpirtërore afron popujt dhe shemb paragjykimet
Përderisa, autori i kësaj përmbledhjeje prof. Agim Vinca në fjalën e tij ndër të tjera tha se: “Unë edhe vet përkthej, sepse vetëm vlera e fjalës së shkruar dhe  kultura shpirtërore mund të afrojë popujt dhe të shemb paragjykimet”. Ndërsa, falenderoi së largu, sic u shpreh, zonjën e vërtet të letrave Hasnija Muratagiq Tuna pa dorën e së cilës ky libër nuk do të ishte i tillë cfarë është. “TEUTA” këto ditë nxori nga shtypi librin e përkthyer në gjuhë malazeze me poezi të përzgjedhura nga opusi poetik i Xhevahir Spahiut, “Moji dugovi” në përzgjedhje të Xhevat Limanit dhe të Ajetë Beqirajt, në përkthim të Nikollë Berishajt, me parathënie të Jevrem Brkoviqit si dhe me redakturë të Zuvdija Hoxhiq Berishës.


“Moji dugovi”-Kurorë e perlave poetike
Në poezinë monumentale “Borxhet e mia”,  e cila u vendos edhe si titull i kësaj përmbledhjeje të parë të Xhevahir Spahiut përkthyer në gjuhën malazeze, poeti spikat rrëfimin e tij makabër duke klithur publikisht,” Gurin e varrit e shes të paguaj borxhet”, në vitin 1989 si vit përmbysës dhe kthesash të mëdha. Kur fjala në vend të tingujve kullonte gjak, pse nuk e ndjente ende çmimin e lirisë së ëndërruar, thuhet ndër të tjera në parathënjen e Xhevat Limanit, i cili shton se: “Gjuha poetike e Xhevahir Spahiut është një ujvarë margaritarësh që bien emocionalisht mbi shtyllën vertebrale dhe ngjyrimet emocionale të gjuhës së bukur shqipe. Ai kultivon gjuhë të kulluar dhe fjalëqëndisur sikur humanistët dhe poetët e Renesancës. Është më i veçanti poet që shpirtërisht noton pellgjeve të gjenetikës dhe reliefit kombëtar dhe universit poetik njerëzor. Rroftë poezia…Rroftë poeti…!”


Bërkoviq: “Kur do të fillojnë vendet tona t’u ngjasojnë poetve të vet?”
Në esenë hyrëse të librit”Me poezinë e xhevahir Spahiut”, akademiku Bërkoviq thotë se herë-herë, një poezi është e mjaftueshme ta duani poetin. “Xhevahir Spahiu është një poet i mençurisë dhe ndjenjës së fortë. Por, me të, këto nuk janë botë të kundërta, por fytyra që nuk bëjnë dot pa njëra-tjetrën, fytyra që reflektojnë mbi njëra-tjetrën, duke krijuar një substancë unike, poetike – një para-element të vetë poezisë. Më bën të lumtur që, në sajë të këtij përkthimi, Mali i Zi mund të takojë një poet si ky, një zë autentik të tragjedisë së përjetshme ballkanike”-shkruan ndër të tjera në esenë hyrëse të librit “Moji dugovi”, akademiku Jevrem Bërkoviq duke ilustruar vargun e Xhevahir Spahiut:” Kur do t’u ngjajë/simboleve të tij/Njerëzimi?”, me pyetjen: “Kur do të fillojnë vendet tona t’u ngjasojnë poetve tanë…?”


Berishaj: “Përkthimi i poezisë së Spahiut sfidë në vete”
Përkthyesi i librit Nikollë Berishaj ndër të tjera tha se:” Xhevahir Spahiu para së gjithash me një lehtësi të jashtëzakonshme përdor shprehje  burimore të gjuhës shqipe, e cila shpesh tejkalon gjuhën e standardizuar. Kjo ishte ndër sfidat me të cilat u ballafaqova gjatë përkthimit të kësaj përmbledhjeje”, tha nder te tjera perkthyesi Berishaj, i cili lexoi dy vjersha te Xhevahir Spahiut ne gjuhen malazeze. Përderisa forca e vargut shqip të Xhevahir Spahiut u përjetua nga artdashësit edhe në këtë komunë të vogël të Malit të Zi, në jehonën e zërit të artistit të madh Xhevat Limani.


Arsyetimi për “TEUTëS” për Spahiun: “Skalitës i shkëlqyer i vargut shqip”
Tradicionalisht manifestimi u mbyll me ndarjen e Çmimit për Vepër Jetësore “TEUTA” i cili sivjet nga Mali i Zi kaloi në Shqipëri, gjëgjsisht nga Zuvdija Hoxhiq Berisha tek Xhevahir Spahiu, me motivacion: “Skalitës i shkëlqyer i fjalës dhe i zbulimeve të papritura të thellësive të saj, si rrënjë dhe qiell në botën shqiptare, “edhe në lëvizjen e saj nga një pikë e vdekur”, siç thotë vetë një varg i poetit. Poezia e Xhevahir Spahiut, shoqëron breza të tërë si shprehës i mbijetesës dhe i modernizmit, si shpirt dhe krenari për të qënë bir i një toke të përndritur nga bukuria njerëzore. Adhuruesi i tekstit poetik dhe teksteve të këngës së Xhevahir Spahiut, do të ndjejë gjithëmonë fuqinë për ta transformuar fjalën dhe për të arritur së bashku me poetin në majat e artit poetik të shqipes”(Arsyetim i “TEUTËS”,përg.Natasha Lako).


Xhevahir Spahiu:”TEUTA” po afron krijuesit dhe po bashkon zemrat”
Meqënese masat kundër shtrirjes së pandemisë globale Sars/Covid 19 pamundësuan ardhjen e laureatit paraprak të “TEUTËS” Zuvdija Hodjiq Berisha ne Pejë e poashtu, bashangjitjen e laureatit të sivjemë Xhevahir Spahiut në ceremoninë e ndarjes së Çmimit të Petnjicë, poeti shqiptar  iu drejtua të pranishmëve me anë të një letre falenderimi, në të cilën thuhet: “Të dashur miq, jam shumë i emocionuar me nderimin e krijimtarisë sime me çmimin rajonal te shoqatës “TEUTA”. Do të kisha dashur të jem pranë jush të përjetoja këto çaste emocionuese bashkë me ju. Megjithëse situata e pandemisë e bëri të pamundur praninë time në ndarjen e këtij çmimi, zemra dhe mendja ime janë aty. Një falenderim të veçantë Shoqatës “TEUTA” për aktivitetet e saj që sjellin së bashku krijuesit dhe kulturat e këtij rajoni kaq të pasur, duke ndarë emocione e bashkuar zemrat e njerëzve. Faleminderit nga zemra! Me dashuri, Xhevahir Spahiu”.


“TEUTA” dhuroi libra në tri komunat nikoqire
Me 2019, “TEUTA” doli me dy botimet e para: antologjinë dygjuhëshe “Muzat e Alpeve-Alpske Muze”, me krijimtari të përzgjedhur të të 5 laureatëve parparak të Cmimit për Vepër Jetësore “TEUTA”: Jevrem Berkoviq, Dritëro Agolli, Ramiz Kelmendi, Mirash Martinoviq dhe Moikom Zeqo, si dhe me poemën dramatike “Gjergj Kastrioti Skenderbeu”, të autorit Xhevat Limani, të cilat u promovuan në Tivar, në Lezhë dhe në Prizren. Ndërsa këto ditë nxori nga shtypi përmbledhjen e poezive të zgjedhura të Xhevahir Spahiut “Moji dugovi”, i cili u promovua në Klinë dhe në Petnjicë. Në kuadër të manifestimit “Muzat e Alpeve 2020”, “TEUTA” dhuroi libra nga tri botimet e veta për shkrimtarët  pranishëm si dhe për bibliotekën e Pejës, të Klinës dhe të Petnjicës. Manifestimi u përmbyll me lexim poezishë nga poetët e kësaj ane, si dhe me një vizitë të shkurtër në këndin muzeal ku prezantoheshin relikte të trashegimisë kulturore të këtij qyteti.


Për 8 vite “TEUTA” shtriu aktivitetet në 17 qytete dhe dekoroi 8 shkrimtarw eminentw me Cmimin “TEUTA”
Karvani i “TEUTËS” “Muzat e Alpeve” përgjatë viteve 2013-2020 ka përshkuar 18 komuna dhe bashki të Kosovës, Malit të Zi dhe të Shqipërisë, si: Pejë, Kotorr, Rozhajë, Bajram Curr, Plavë Guci, Junik, Istog, Shkodër, Tuz, Gjakovë, Ulqin, Krujë, Tivar, Lezhë, Prizren dhe sivjet, Kilnë dhe Petnjicë. Laureatë të deritanishëm të Çmimit për Vepër Jetësore “TEUTA” janë shkrimtarët e shquar të letërsisë shqipe dhe malazeze: Jevrem Brkoviq, Dritëro Agolli, Ramiz Kelmendi, Mirash Martinoviq, Moikom Zeqo, Nazmi Rrahmani, Zuvdija Hoxhiq Berisha përkrah të cilëve sivjet u radhit edhe laureati i denjë, Xhevahir Spahiu. “TEUTA”, mbështetur nga institucione vendore dhe ndërkombtare, me 2014 implementoi edhe turin 4 ditor “Shkrimtarët lobojnë për Kosovën”, në Rumani; njëri ndër të 5 shtetet e BE-së që nuk e ka njohur Kosovën shtet. Ndërsa, realizimin e edicionit të 8-të të Manifestimit Letrar Trekufitar “Muzat e Alpeve 2020”, i cili u mbajt me 30 dhe 31 tetor 2020, në Klinë dhe në Petnjicë e mundësuan Ministria për Kulturë, Rini dhe Sport e Republikës së Kosovës, Komuna e Pejës dhe Komuna e Petnjicës. Aktivitetet u zhvilluan në bashkënim me Drejtorinë për Kulturë, Rini dhe Sport të Komunës së Pejës, me shkrimtarë, artistë e aktivistë të komunës së Klinës si dhe me Komunën e Petnjicës, gjegjsisht, Qendrën e Kulturës dhe për të gjithë “TEUTA” ndau mirënjohje. Ndërsa, poetit Xhevahir Spahiu, Çmimi për Vepër Jetësore “TEUTA” do t’i dorëzohet së shpejti në rezidencën e tij, në Tiranë.
/Shoqata Rajonale e Shkrimtarëve “TEUTA”/

By admini