Nga Gjekë Gjonaj
Komuniteti i biznesit në Ulqin është në këmbë të qelta, që nga muaji mars kur u shfaq pandemia e Covid-19. Ky virus po shkatërron ekonominë e Ulqinit. Po varfëron qytetarët dhe po rrezikon falimentimin e biznesit të vogël dhe të mesëm. Pandemia i dha goditje të fortë të gjitha degëve ekonomike. Por ajo që pësoi më rëndë është dega kryesore e ekonomisë së Ulqinit – turizmi, nga i cili jetojnë afro 90 për qind e qytetarëve. Edhe pse nuk janë bërë analizat përfundimtare të sezonit të sivjetshëm turistik tashmë është e sigurt që humbjet do të jenë mbi 90 për qind në krahasim me vitin e kaluar. Ekspertët ekonomik pohojnë se do të jetë e nevojshme shumë vite të rimëkëmbet. Dështimi i sezonit turistik mund të krahasohet me katasrofën elementare natyrore e cila goditi rëndë Ulqinin më 15 prill 1979, kur shumica e objekteve hotelierike u shembën.
Pasojat e krizës së thellë ekonomike veç janë të pranishme. Mjaft punëtorë sezonalë në sektorin e turizmit mbetën pa paga. Numër i madh i qytetarëve që merren me strehim privat kësaj verë kanë mbetur pa të ardhura. Disa as që që i kanë hapur fare dyert e apartamenteve të tyre, sepse të hapur dhe të zbrazët sjellin vetëm shpenzime.
Të gjhithë punonjësit turistikë janë të një mendimi se sezoni veror turistik ka pësuar kolaps të plotë. Domethënë pandemia e virusit korona ka paralizuar turizmin. Masat e deritashme të qeverisë ishin të mirëpritura, mirëpo të pamjaftueshme për përballimin e krizës. Sipërmarrësit e vegjël vuajnë mungesën e mbështetjes së duhur financiare nga qeveria gjatë pandemisë për të tejkaluar krizën ekonomike. Faturat e larta të energjisë dhe të ujt, tatimet dhe taksat lokale po i detyrojnë bizneset e vogla të ulin prodhimet dhe të shtojnë numrin e të papunëve.
Rreziqet dhe efektet negative në ekonominë e Ulqinit sa vijnë e shtohen nga kohëzgjatja e situatës së virusit. Mbyllja e para pak ditëve të kafeneve dhe restoranteve për shkak të shtimit drastik të të sëmurëve në këtë qytet ka ngjallur pesimizëm shtesë. Afaristët ulqinakë kanë frikë ekzistencën dhe askush prej tyre nuk është i gatshëm për çfarëdo lloj investimesh. Sfida më e madhe e këtij dimri është që ata të ruajnë fuqinë punëtore. E kjo nuk do të jetë shumë vështirë nëse qeveria të mos marrë masa konkrete për shpëtimin e ekonomisë.
Fitorja kundër Covid-19 nuk është afër parashikojnë mjekët epidemilologë dhe infeksionistë. Deri atëherë, pohojnë afaristët, masat për t’u zbutur humbjet ekonomike duhet të jenë më të mëdha dhe të menjëhershme. Në rast të vazhdimit të shkatërrimit ekonomik për shkak të masave në kuadër të luftës kundër koronavirusit, kjo mund të shkaktojë një dimër kurrë më të vështirë për ekonominë ulqinake.