Krojet e Rudinës dhe Nikmarashit. Foto: Natasha Gjeloshaj

Nga Gjekë Gjonaj

Krahina e Trieshit përveçse është një vendbanim i hershëm malor me një thesar të pasur trashëgimor  ka një traditë të veçantë edhe sa i përket krojeve publike, që rrezikojnë zhdukjen nga faqja e dheut.

Këto objekte kulturore  me vlera  të mëdha  historike e kulturore  gjinden  në secilin fshat të Trieshit. Në këtë trevë  ka 15   kroje publike dhe disa  kroje familjare.  Në fshatin Rudinë janë   pesë kroje:  Kroni i Lekashit, Gurra e  Margilajve, Saranxha e Sërdanit,  Gurra e Thanzës dhe Kroni i Llogzës mbi Malin Qyteza e Madhe. Në fshatin Nikmarash ndodhen dy kroje: Kroni i Nikmarashit  dhe Kroni i Bështjerrës. Në katundin Muzheçk  janë dy kroje: Kroni i Muzheçkut dhe Gurra e Muzheçkut. Në katundin Budzë  është Kroni i Liqëthit.  Në  vendbanimin Bisaq ndodhet Kroni i Bisaqit. Në fshatin Stjepoh është Kroni i Stjepohit. Në fshatin Bëkaj është Kroni i Bëkajve,  kurse në fshatin Poprat është Kroni   i Popratës.

Krojet publike burimore  në Triesh kanë ekzistuar mjaft herët. Por, nuk dihet saktësisht  se kur janë ndërtuar ato  pasi nuk ekzistojnë   të dhëna të  sakta   e as shënime  historike. Mendohet se janë qindravjeçar – shekullor.    Vetëm në njërin prej tyre  figuron  data e ndërtimit.  Ai është Kroni i Nikmarashit, i ndërtuar në  qendër të fshatit me të njëjtin emër në vitin 1882.  Krojet  në Triesh janë ndërtuar me gur gëlqeror të gdhendur në madhësi të ndryshme. Ndërtuesit e tyre sipas  gojëdhënave kanë qenë vetë trieshjanët.  E përbashkëta e krojeve të Trieshit është  thjeshtësia në realizim, pa pretendime në vështrim arkitektonik dhe shpesh edhe pa instalime shoqëruese të lidhura me funksione të tjera,  por që në ndërtimin e tyre kane gjetur zbatim koncepte të qarta të natyrës teknike.

Jeta në Triesh pa kroje,  gurra e saranxha   ka qenë e pamundshme.  Uji nga krojet dhe gurrat ka shërbyer për  furnizim   të banorëve dhe kalimtarëve me ujë të pijshëm,   për nevoja higjenike dhe për ujitjen e bagëtive. Ky ujë flori, siç e quajtën gjeneratat e vjetra  të Trieshit,  ka qenë burimi kryesor i jetës. Krojet gjithmonë kanë qenë faktor vendimtar për ekzistencën e trieshjanëve. Ato kanë qenë edhe   vendtakimi  i banorëve dhe kalimtarëve të ndryshëm.   Fshatarët  në buzëmbrëmje pranë krojeve të tyre zhduknin lodhjen e ditës. Bisedonin dhe argëtoheshin  derisa binte mbrëmja.  Krojet   veçmas gjallëronin  nga zërat e grave  dhe vajzave   të cilat kur afrohej të perëndonte dielli  në çdo fshat  vinin  të veshura e të stolisura me mbushë ujë me buljera  në shpinë e kova në dorë. Kovat me ujë të ftohtë  i merrnin në dorë dhe me to u jepnin për të pirë ujë  atyre që takonin rrugës apo burrave të vjetër  të cilët  dilnin buzëmbrëmjeve në vende të caktuara në këto fshatra.  Takimet dhe shoqërimet  e burrave, djemve, grave dhe vajzave ishin mjaft  të gëzuara. Banorët e sotëm, e më shumë  ata të larguar veçanërisht për krojet  e vjetra  kane dashuri edhe si vende të rëndësishme takimi që zgjojnë kujtime, nostalgji dhe mall.

Të gjitha këto kroje, të cilat ishin një element i rëndësishëm i përditshmërisë së trieshjanëve,  kanë mbetur edhe sot. Një numër i  vogël i tyre është në funksion, ndërsa pjesa tjetër jo. Shumica e  banorëve të dikurshëm  janë  larguar nga Trieshi, prandaj tani nuk ka kush të përkujdeset për to.  Ato janë lënë në mëshirën e kohës dhe të fatit. Si të tilla sot janë dëshmi e  kujdesit të munguar të banorëve,  mërgimtarëve e pushtetarëve.   

Pushteti i ri në Komunën e Tuzit do të ishte mirë sikur të fillojë zbatimin e  projektit për pastrimin e krojeve publike jo vetëm në Triesh, por në krejt territorin e Malësisë, pasi të konstatojë dëmtimet e theksuara  në sipërfaqet e krojeve të gurit nga faktorët  atmosferik, mbetjet e pluhurit, ngjyra, myshqet, njollat dhe papastërtitë tjera.  Përkujdesja institucionale ndaj objekteve  të trashëgimisë kulturore në Malësi  me aplikimin eventual  të metodave profesionale do të mundësonte jetëgjatësinë e tyre duke e ruajtur origjinalitetin që kanë.

By admini