Nga Frank Shkreli
Javën që kaloi, Autoriteti për Informim mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit 1944÷1991, (AIDSSH) organizoi tryezën e rrumbullakët, “95 vjet Martin Camaj — vepra dhe përndjekja”, siç duket në përgjigje të shpifjeve dhe aludimeve të kohëve të fundit, të Auron Tares — publikuar në një portal të quajtur “Peisazhe të fjalës” — ndaj Ernest Koliqit dhe Martin Camajt, si poliagjentë në dëm të interesave kombëtare, bazuar siç pretendon ai, në dokumenta të ndryshëm arkivore, përfshir edhe ato të Sigurimit të Shtetit të regjimit komunist të Enver Hoxhës. AIDSSH bëri shumë mirë që organizoi tryezën e rrumbullakët për jetën dhe veprimtarinë e Martin Camajt, me qëllim për të hedhur poshtë shpifjet dhe aludimet ndaj këtyre dy shkrimtarëve të mëdhej. Mori pjesë edhe Kryeministri i vendit, Z. Edi Rama. Mirë bëri që mori pjesë. Diskutime të tilla në publik e bëjnë shoqërinë shqiptare pak më humane.
Por ajo që më çudit është mungesa në këtë debat e Akademisë së Shkencave të Shqipërisë. Është e vërtetë se fillimisht, Akademia e Shkencave e Shqipërisë, reagoi ndaj publikimit të këtyre shpifjeve dhe aludimeve me një deklaratë të shkurtër, duke përdorur një citim të Ismail Kadaresë në mbështetje të Martin Camajt, por nuk bëri asnjë koment në emër të vet, si Akademi Kombëtare e Shkencave. Si është e mundur që Akademia e Shkencave e Republikës së Shqipërisë, si institucioni më i lartë shkencor i vendit të mos ketë diçka për të thenë në lidhje me këto shpifje, por jo vetëm ajo. Ku ishte Akademia e Shkencave e Republikës së Kosovës, ku janë organizatat e ndryshme shkrimtarësh në trojet shqiptare dhe në diasporë? A nuk është misioni i tyre mbarëkombëtar për të mbrojtur krijimtarinë dhe vlerat letraro-artistike të shkrimtarëve shqiptarë të gjitha kohërave dhe pa dallime ideologjike, si një dëshmi dhe pasuri e përbashkët e Kombit shqiptar? Heshtja e dy akademive dhe e shoqatave të shkrimtarëve të dy vendeve, në këtë rast, të sjellë ndërmend kujtimet e At Zef Pllumit, sipas të cilit kur oficerët e Sigurimit të Shtetit bastisën Kuvendin Françeskan dhe thyen derën e zyrës së At Gjergj Fishtës në Kuvendin Françeskan në Shkodër dhe së bashku me agjentët jugosllavë plaçkitën të gjitha librat dhe shkrimet dhe i morën me vete në drejtim të panjohur, ndërkohë që përhapën shpifje se françeskanët po grumbullonin armë për të luftuar regjimin. At Zef Pllumi shkruan se ajo që nuk mund ta kuptonte gjithë jetën ishte fakti se si nuk u gjet asnjë nga oficerët e Sigurimit, disa sipas tij edhe të arsimuar madje edhe jashtë vendit, që të thonin, ore ndal se këto janë pasuri e kulturës kombëtare, duhet t’i mbrojmë. “Si ishte e mundun që në këtë popull nuk u gjet kurrnji trim që të shtrinte dorën për të shpëtue kulturën, por të gjithë, ishin o aq të trullosun, o aq idiotë, o aq servilë e frikacakë?” ka shkruar At Zef Pllumi. “A thue ndoshta ndër foletë e blindueme të geneve të këtij populli të mjerë, janë shartue të gjitha vetitë destruktive e barbare të Orientit e Oksidentit dhe vetëm ne, vetëm ne, posaçëm gjithkujt në Evropë, do të ecim symbyllë e të vërbët?!”, ka pyetur Zef Pllumi, në kujtimet e tija.
Deri kur kështu, more njerëz? Pse nuk reagojnë siç duhet dy akademitë e dy shteteve shqiptare kur botohen shpifje siç ishin ato të Auron Tares, kundër shkrimtarëve Martin Camajt dhe Ernest Koliqit. Ose shpifjeve ndaj prejardhjes së Gjergj Kastriotit Skenderbeut, nga individë me motive të mbrapshta? A po në mbrojtje të veprës së At Gjergj Fishtës, në mos tjetër, të kujtohet, zyrtarisht, në këtë 80-vjetor të vdekjes së tij. A nuk janë edhe këta pjesë e vlerave kulturore dhe njerëzore të shqiptarëve? Por nuk është se nuk dinë të reagojnë kur është nevoja. Edhe me këtë rast dinë si të reagojnë, por nuk duan, për arsye që është vështirë të merret me mend, tre dekada par shembjes së Murit të Berlinit.
Tetorin që kaloi, Akademia e Shkencave e Shqipërisë me të drejtë dhe plot me me vend reagoi pas dhënies së çmimit Nobel për letërsi, shkrimtarit austriak Peter Handke. Në një letër, drejtuar Akademisë së Shkencave në Suedi thuhej se ky ishte një akt i rëndë i dhunimit të vlerave njerëzore. “Akademia e Shkencave e Republikës së Shqipërisë paraqet mospajtimin dhe indinjatën e saj, pasi në vlerësimin tonë ky është një akt i rëndë i dhunimit të vlerave njerëzore”, thuhej në letër. Peter Handke njihet për inkurajimin e hapur që ai i ka ofruar makinerisë së urrejtjes etnike ndaj shqiptarëve të kriminelit serb Millosheviq, gjatë luftës në Kosovë.
Në letrën drejtuar Akademisë së Shkencave të Suedisë, Akademia e Shkencave e Shqipërisë shprehet mëtej se me dhënjen e çmimit prestigjoz Nobel për letërsi Peter Handke-it, ajo akademi po vepronte me “standarde të dyfishta dhe shpërfillëse ndaj dukurive më të refuzuara europiane, si hate speech, përkrahja e krimeve kolektive, mbështetja publike e urrejtjes kombëtare, gjuhësore, fetare, racore, gjinore e kulturore, me shkelje të dukshme të kodit të etikës. E njëjta Akademi që akordon vit për vit çmimin Nobel të Paqës nuk mund t’i lejojë vetes të inkurajojë me Nobelin e Letërsisë urrejtjen dhe konfliktin”.
Në atë reagim shumë me vend, Akademia e Shkencave e Shqipërisë thotë se nuk gjykon vlerën e veprës letrare të fituesit të Nobelit të sivjetëm, por thotë se i “dëshpëron braktisja e parimësisë në gjykim nga juria e këtij çmimi, duke mbyllur sytë para inkurajimit të hapur që ai i ofroi makinerisë së urrejtjes etnike ndaj shqiptarëve të frymëzuar prej një njeriu të dënuar për krime të rënda kundër Njerëzimit nga Gjykata Ndërkombëtare e Hagës”. Ndaj pyetja që ngre Akademia është: A mund të besohet më kjo “parimësi”? “Ka ndodhur që juria e këtij çmimi të lartë ka konsideruar edhe opinionet; ka ndodhur edhe e kundërta, që, në emër të idealeve, ideologjive, qendrimeve vetjake politike, të bëhet para-përzgjedhje, duke përjashtuar edhe kryemjeshtër të artit të fjalës …. Por nuk ka ndodhur ndonjëherë që frymëzuesit e ideologjisë primitive të urrejtjes dhe armiqësisë etnike të laureohen duke ua amnistuar përgjegjësitë e tyre të mirënjohura si famëkeqe prej kohësh botërisht”, sqaron Akademia e Shkencave e Republikës së Shqipërisë, në letrën dërguar Akademisë të Shkencave të Suedisë. Me atë rast, pati edhe reagime të ashpra dhe gjithashtu plot me vend edhe nga akademikët e Republikës së Kosovës.
Fatkeqësisht, nuk mund të injorohet hipokrizia e Akademisë së Shkencave të Shqipërisë kur krahasohet qendrimi i saj në këtë letër dhe mënyrës se si sillet ajo vet me shkrimtarët shqiptarë të një kombi: At Gjergj Fishta, Ernest Koliqi, Martin Camaj, e të tjerë më pak të njohur, por të përjashtuar nga ish-regjimi komunist.
Bir Selman i nenës, kë të qajë më parë, thotë fjala popullore, politikanët a po akademikët shqiptarë, bartës të “frymëzimeve të një ideologjie primitive të urrejtjes”, në këtë rast urrejtjes brenda kombëtare. Duket sikur politikanët dhe akademikët shqiptarë, në të dy anët e kufirit shqiptaro-shqiptar vazhdojnë të jenë gjithnjë bartës të porosive të Enver Hoxhës, i cili e kishte përcaktuar këtë politikë mohuese dhe shpifëse ndaj shkrimtarëve anti-komunistë si At Gjergj Fishta e të tjerë, ç’prej Plenumit të IV të Rinisë Popullore me 22 Gusht, 1947: “…Miqësinë me popujt e Jugosllavisë nuk mund ta errësonte shërbetori i imperializmit dhe fashizmit Italian, shovinisti At Gjergj Fishta me Lahutën e Malcisë, ku ai nga një vepër kusare të thjeshtë, kërkon t’i bejë apologjinë shovinizmit më të tërbuar dhe të ngrerë armiqësinë që nuk ka ekzistuar në mes të malësive të veriut dhe Malit të Zi, në një teori të çmendur…”, sipas Gazetës Bashkimi të njëjtës datë.
Të nderuar akademikë shqiptarë në Tiranë dhe në Prishtinë: a vazhdoni ju të jeni të mendimit se Lahuta e Malëcisë e At Gjergj Fishtës është vërtetë, “vepër kusare e thjeshtë”, siç ka lenë amanet Enver Hoxha? Mua më “dëshpëron braktisja e parimësisë në gjykim” nga ana e juaj dhe “inkurajimi i hapur” që më duket se ju – me mbështetjen e heshtur të politikanëve post-komunistë në dy shtetet shqiptare — vazhdoni t’i jepni urrejtjes midis shqiptarëve në baza ideologjike – një trashëgimi tragjike e regjimit komunist të Enver Hoxhës.
Deklaratat e një politikani të papërgjegjëshëm “shqiptarë”, pa përvojë dhe pa identitet në Mal të Zi, në lidhje me preardhjen e Heroit Kombëtar Gjergj Kastriotit – Skenderbe, është fyese për të gjithë shqiptarët kudo. Por, heshtja, dështimi dhe mungesa e vullnetit të akademive të shkencave të Shqipërisë dhe të Kosovës — për të mbrojtur krijimtarinë dhe vlerat letraro-artistike të shkrimtarëve shqiptarë të gjitha kohërave dhe pa dallime ideologjike, si një dëshmi dhe pasuri e përbashkët e Kombit shqiptar — është një akt i pafalshëm dhe anti-kombëtar.
A nuk është misioni i juaj mbarëkombëtar për të mbrojtur krijimtarinë dhe vlerat letraro-artistike të shkrimtarëve shqiptarë të gjitha kohërave dhe pa dallime ideologjike, si një dëshmi dhe pasuri e përbashkët e Kombit shqiptar?
Gjatë një konferencë shkencore sot në kujtim të Luftës së Vlorës, Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Z. Ilir Meta bëri thirrje për vlerësimin e figurave kombëtare, “pavarësisht dritëhijeve që mund të kenë”, tha presidenti. Uroj që thirrja e Z. Meta të merret seriozisht dhe që lista e vlerësimit të figurave kombëtare të jetë pak më e gjatë se Ahmet Zogu dhe Avni Rrustemi.
Frank Shkreli