“Lufta” të fillojë nga radhët e veta
Nga Ismet Kallaba
Zgjedhja dhe përdorimi i lirë i emrit dhe mbiemrit përbën një nga të drejtat themelore të njeriut, ashtu si dhe shkrimi i tyre në gjuhën amtare dhe alfabetin e vet. Kjo është e sanksionuar edhe me Ligjin mbi të drejtat dhe liritë e pakicave, ku në nenin 10 të tij thuhet: “Pjesëtarët e popujve pakicë dhe të bashkësive të pakicave nacionale të tjera kanë të drejtë që të përcaktohen në mënyrë të pavarur dhe të lirë mbi përkatësinë kombëtare, të drejtën e zgjedhjes dhe përdorimit të lirë të emrit personal dhe familjar si dhe emrit të fëmijëve të vet, si dhe të drejtën e regjistrimit të këtyre emrave në librat e amzës dhe dokumentet personale në gjuhën dhe alfabetin e tyre”. Përkundër kësaj, një pjesë e mirë e shqiptarëve në Mal të Zi vijojnë të mos e shfrytëzojnë këtë të drejtë.
Emri dhe mbiemri simbolizon identitetin dhe përkatësinë kombëtare, fetare etj. të dikujt. Pavarësisht deklarimit zyrtar të dikujt, në bazë të emrit dhe mbiemrit tuaj dikush krijon idenë dhe perceptimin e parë mbi përkatësinë tuaj.
Në të kaluarën, pushteti jugosllav dhe ai malazez kanë zbatuar politika shkombëtarizuese dhe asimiluese ndaj shqiptarëve. Pjesë e kësaj politike ka qenë edhe deformimi dhe përçudnimi i mbiemrave të shqiptarëve, duke ua mveshur dhe imponuar atyre prapashtesën “viq”, pa çka se kjo nuk ka të bëjë fare me shqiptarët, pastaj shkrimi i emrit dhe mbiemrit në alfabetin e gjuhës serbokroate etj. Shqiptarëve u janë imponuar mbiemrat me prapashtesën “viq”, në të shumtën pa dëshirën e tyre, ku ofiqarët i kanë shkruar vetë me direktivë nga lart (pushteti), kurse ata që e kanë refuzuar apo janë përpjekur t’i ndryshojnë mbiemrat, duke i shqipëruar ato, janë ballafaquar me pasoja të ndryshme.
Të gjitha partitë shqiptare në programet e tyre kanë të përcaktuar luftën për të drejtat nacionale të shqiptarëve, ku pa dyshim bën pjesë edhe e drejta e zgjedhjes dhe përdorimit të lirë të emrit dhe mbiemrit, si dhe e shkrimit të tyre në gjuhën amtare dhe alfabetin shqip. Tashmë që kjo e drejtë është arritur ligjërisht, nuk ka asnjë arsye që ajo të mos shfrytëzohet në praktikë. Më duket e pakuptimtë dhe e pashpjegueshme që shqiptarët të mos e shfrytëzojnë këtë të drejtë për të cilën kanë luftuar. Edhe më absurd e bën këtë realitet fakti që partitë shqiptare, 30 vite pas ndërrimit të sistemit politik dhe zbatimit të shumëpartiakësisë, vazhdojnë të përfshijnë në listat zgjedhore kandidatë me mbiemra me prapashtesën “viq” apo emrat dhe mbiemrat e të cilëve nuk janë të shkruar në gjuhën shqipe, por në gjuhën malazeze. Më duket demagogji të proklamosh se gjoja lufton për të drejtat e shqiptarëve, kur në fakt në praktikë dëshmon të kundërtën duke ligjëruar vetë dukuri të tilla.
Jam i vetëdijshëm se mbiemri me apo pa “viq” nuk të bën as më patriot, as më pak patriot, por çdo njeri që i thotë vetes shqiptare/e duhet ta kuptojë se prapashtesa “viq” është një mish i huaj, një tumor të cilin na e kanë injektuar padrejtësisht të tjerët në qenien tonë. Nëse diçka e tillë edhe mund të kuptohej në të kaluarën kur shqiptarët ishin të detyruar, sot kjo gjë nuk ka kurrfarë arsyetimi. Prandaj u sugjeroj partive shqiptare që të fillojnë “luftën” së pari nga radhët e veta, duke i pastruar listat nga ata persona që i kanë mbiemrat me “viq” apo të shkruar me alfabetin në gjuhën joamtare. Vetëm në këtë mënyrë do të dilnin ballëhapur ndaj votuesit duke treguar se janë vërtet përfaqësuesit e vetëm autentikë të shqiptarëve, siç deklarojnë. Për më tepër, unë nuk mund ta kuptoj se si mund të marrë guximin dikush t’i përfaqësojë shqiptarët dhe të drejtat e tyre kur vetë nuk i shfrytëzon të drejtat që i janë garantuar me ligj?!
Një gjë tjetër që më ka rënë në sy te listat zgjedhore shqiptare ka të bëjë me profesionin e kandidatëve. Një numër i tyre, krahas profesionit ka shtuar edhe përcaktorin (mbiemrin) “i/e diplomuar”, si për shembull “jurist i diplomuar”, “ekonomist i diplomuar” etj. I mora si shembull këto dy profesione ngaqë vërej se te këto përdoret më së shpeshti “i/e diplomuar”. Për mendimin tim, këto janë reminishenca të trashëguara nga sistemi arsimor i kaluar sepse nuk e di të përdoren diku tjetër në botë sot?! Ose je jurist, ose nuk je! Ose je ekonomist, ose nuk je! Mbiemri “i/e diplomuar” krahas profesionit, as ia shton dhe as ia ul vlerën dikujt! Përndryshe, sipas logjikës së thjeshtë, i bie që ata të tjerët të cilët nuk e kanë shënuar te profesioni “i/e diplomuar” janë “të padiplomuar”!