
Nga Arbnor Halili
Me qëllim e lashë, titull i rëndomtë (do thonin edhe klishe). Dhe nuk do zgjatem, e di, shkrimet e gjata pak kush i lexon sot.
Prapë jemi në atë udhëkryqin që na përsëritet çdo 4 vjet, prapë sillemi slloganeve, sharjeve, fyerjeve, premtimeve, iluzioneve e shumëçka tjetër. Prapë duhet të zgjedhim me shpresën që bëjmë zgjidhje. Para kësaj zgjedhjeje, dy fjalë shkurt.
Prapë jemi të ndarë në taborre, ndonëse vetëm në dy të mëdha. I bie që përballë kemi vetveten dhe partitë joshqiptare (të ndara poashtu në shumë taborre, me shumë ngjyra). Cili është rreziku dhe çfarë orientimit duhet marrë?! Përse duhet mbetur besnik partive shqiptare?! Janë shumë arsye, sot shkurt disa.
E para, për shkak të dinjitetit, ai që nuk e do veten nuk mund të dojë tjetrin më shumë. Pa dinjitet, ç’e do jetën!?
E dyta, për shkak të traditës, për shkak të historisë e kulturës. Më mirë se ne nuk na e ruan dot kush as gjuhën, as traditën e as kulturën. Ç’na duhet përfitimi i çfarëdo lloji nëse nuk e flasim gjuhën tonë, nëse nuk i kemi doket e zakonet tona, nuk e kemi traditën tonë?!
E treta, për shkak të mërgatës sonë. Djemve, vajzave, motrave e vëllezërve tanë të shumtë të ikur në periudha të ndryshme kohore, si pasojë direkte e atyre që nuk flasin shqip. Njëherë me presion e kërcënim fizik e më pastaj me presion e kërcënim ekonomik, me punësime partiake, mediokre, me drejtorë injorantë, me funksionarë tugjarë. Atyre që na i mbushin dasmat, na i mbushin xhepat, e prapë kthehen me lot në sy, po me shpresën që prapë “Xhamadanin vija vija” do ta këndojnë në dasmat e vitit tjetër.
E katërta, për shkak të fëmijve tanë. Ata që çmojmë më së shumti, që na dridhen këmbët kur ndëgjojmë për aksidente, na dridhen dhëmbët kur i shohim tek enden pa zgjidhje, kur pushteti i kërcënon me vende pune. Ky pushtet që nuk flet gjuhën tonë.
E pesta, e po e lë me kaq, se “i joti mishin ta han, por ashtin ta len, i huaji as ashtin” thotë populli ynë i urtë. Ndoshta edhe në asht kemi shkuar por ashtin nuk na e hanë, se janë tanët, janë si ne, kanë hallet tona, e edhe Zotit i lutemi njëjtë, me këtë gjuhë.
Para kutisë është vendim i vonë, vendim i rrezikshëm, pas orës 20:00 të ditës së votimit, janë edhe katër vite, që mund t’ju ngjajnë 4 shekujve, andaj kujdes, voto shqip, “mishin edhe ta han, por ashtin ta len”.
P.S. nuk është ekstremizëm, as nacionalizëm, është natyrshmëri.