Nga Qani Osmani
Manipulimet dhe dështimet e dhimbshme të faktorit politik shqiptar në Mal të Zi, siç po duket nuk kanë fund. Këtë e dëshmuan edhe me rastin e mbledhjes të Kuvendit Komunal të Ulqinit ku shumica e këshilltarëve votoi për një vendim të turpshëm për shitjen e pronës publike të quajtur “Pylli i pishave”, me qëllim shlyerjen e borxhit për të cilën siç thonë ato nuk janë fajtor,në këtë drejtim me të drejt parashtohet edhe pyetja “për kë bien këmbanat”? Për kë bien këmbanat kur vdes një njeri? Sigurisht jo për të vdekurin, do të thoshte Ernest Heminway! Pasi që të vdekurit nuk i dëgjojnë dot këmbanat. Këmbanat bien për të gjallët, për t’i ftuar të përcjellin të vdekurit, dhe për t’ua kujtuar se ka vdekje!
Këmbanat, bien sot edhe ndër shqiptarët e Malit të Zi, e në këtë rast edhe për qytetarët e ndershëm të komunës së Ulqinit. Madje kohëve të fundit bien edhe më fortë. Janë këto këmbana alarmi, që sërish, nuk bien për të vdekurit por për të gjallët. Dhe kur them të vdekurit, nuk e kam fjalën për të vdekurit biologjik, por për klasën politike shqiptare në Mal të Zi, që ka vdekur prej kohësh kombëtarisht, shpirtërisht, moralisht…bashkë me ca intelektualë në shërbim të tyre.
Këmbanat bien sot për ty përcjell…ato lider dhe shumë funksionar të lartë të partive politike shqiptare që me dekada në fushatat zgjedhore valvitën me flamujt e manipulimit mbi kokat e qytetarëve shqiptar të diskriminuar në të gjitha sferat e jetës sociale e politike. Ishin këto flamujt e shkaktarëve të mjerimit, në pushtet dhe atyre që kërkuan pushtetin, sepse brumi i shumë politikanëve shqiptar siç po duket është zënë me farë të prishur. S’ka si të jetë ndryshe, i tillë është zënë që në gjirin familjar, shoqëror, në kundërshtim me vlerat etike-morale që fisnikërojnë shpirtin për të zbatuar minimalisht premtimet, drejtësin dhe ligjin.
Këmbanat bien edhe më fuqishëm për ato parti politike dhe politikan shqiptar që manifestonin fuqishëm aktivitete parazgjedhore partiake me simbole të flamurit kombëtar, thërisnin fuqishëm në patriotizëm të zjarrtë duke rahur edhe gjoksin. Promovoheshin si personalitete të mëdha shqiptare nga mediat anëkënd shqiptarisë, ndërkoh vepronin në rolin e mashës të përfaqësimit politik (DPS) duke stopuar dhe sulmuar edhe gjërat më jetike të identitetit kombëtar dhe barazisë qytetare të shqiptarëve etnik në Mal të Zi. Krijonin përçarje dhe tradhëti në trungun politik shqiptar, shkaktonin urejtje në proceset zgjedhore, zhvillonin fushata parazgjedhore duke kritikuar pushtetin qendror dhe përfaqësimin politik (DPS) dhe me mbarimin e zgjedhjeve bënin Pazar për tu futur në pushtetin qendror dhe lokal pa vullnetin e elektoratit zgjedhor shqiptar dhe në kurriz të të drejtave shqiptare, hipokrizi e të gjitha niveleve etj.
Sot, janë këmbanat e shumta që bien për këtë marrëzi politike e marrjes me veten, ose thënë më sakt, e krijimit të ndërkëmbëzave që e ka rrënuar autoritetin përfaqësues të shqiptarëve dhe që është shoqëruar me afera të shumta të “keqpërdorimeve” të shumë liderëve dhe funksionarëve të lartë të disa partive më të mëdha shqiptare, dosjet e të cilëve janë “online” në sirtarët e qeverisë së Malit të Zi si alternativë kërcnimi dhe kushtëzimi. Si pasojë e dosjeve kompromentuese të politikanëve shqiptarë, liderët dhe shumë funksionar të lartë e këtyre partive shkelin mbi dinjitetin shqiptar, historinë, moralin dhe vlerat tona qytetare e kombëtare. Mendoj se zhvlersimin që u bëjnë shqiptarëve aktorët politikë shqiptarë, në të ardhmen do të evidentohen si “turp politik i paprecedent”.
Fakti që në mbledhjen e Kuvendit Komunal për shitjen e pronës publike që quhet “pylli i pishave” votuan pro shitjes ishin po ato përfaqsues të partive politike shqiptare që kanë edhe obligim statutar partiak dhe programor zgjedhor rruatjen dhe kthimin e pronave tregoi hipokrizinë e të gjitha hipokrizive të partive politike shqiptare. Prandaj, të nderuar qytetar shqiptar, popujt që e duan lirinë nuk bëjnë kompromise me të drejtat e veta të ligjshme, nuk do të kishin pranuar me asnjë çmim këtë degradim, katandisje, regres, përçmim dhe përdhunim të vullnetit politik të keqpërdorur nga një grushtë politikanësh mashtrues, të paaftë, interesxhi, të koruptuar, të etshëm për pushtet, që me kaq përulje i realizojnë agjendat e huaja në kurriz të qytetarëve shqiptar në përgjithësi e në rastin konkret me qytetarët e ulqinit.
Duke u nisur nga kjo që u tha më lartë dhe nga fakti se ky pushtet lokal i ka veshët e shurdhër dhe dyert e mbyllura për problemet, hallet dhe nevojat e qytetarëve dhe shumëçka tjetër që nuk u përmend, madje, përkundër shumë epopeve dhe lirikave të lavdishme të cilat janë shkruar dhe kënduar deri tani për këtë qytet të lashtë dhe vital, si dhe duke marrë parasysh tentativat e vazhdueshme për “ngulfatjen” dhe “gjunnjëzimin” e këtij qyteti në çdo aspekt, është koha që për Ulqinin të thuren “elegji”, në shenjë alarmi dhe kujdesi ndaj një gjendjeje të këtillë në të cilën është pru sot.
Dhe në fund kur them se këmbanat e alarmit bien për të gjallët, e kam fjalën për ata qytetar shqiptar që janë akoma në gjendje të kuptojnë se “heshtja” dhe dëgjueshmëria i bën gjërat akoma ma keq, e ikja nuk është integrim e as zgjidhje e problemeve të tyre. E kam fjalën për ata të gjallë të cilët akoma ka shpresa që tingujt e këmbanave të alarmit t’i vetëdijësojnë për faktin se duke mos vepruar bëhen bashkëfajtor në shkatrimin e perspektivës dhe ardhmërisë së fëmijëve të tyre. Këto këmbanat bien në veçanti për të pavendosurit, që sot vendosin me votë, për t’i vetëdijësuar se rrugë të ndërmjetme nuk ka! Është rruga e ndershme, e moralshme, e ndërgjegjes së pastër por edhe e sakrificës. Dhe rruga tjetër e pandershme, e pamoralshme, e ndërgjegjes së vrarë dhe e turpit…!