Juria e edicionit të 5-të të Filmit Ndërkombëtar të Filmit SEANEMA, që u mbajt nga data 18 deri më 22 shtator në Ulqin, me anëtarë Ilir Butka, ish-Kryetari i Qendrës Kinematografike të Shqipërisë, Velisha Popoviq, producent nga Mali i Zi dhe Jovana Bojoviq, dramaturge po nga Mali i Zi, vendosën që çmimi si filmi më i mirë t’i shkonte filmit “Delegacioni” me regji nga Bujar Alimani.
” Bëhet fjalë për një histori komplekse dhe universale, ngjarja e së cilës është e vendosur në periudhën e rënies së sistemit komunist, dhe fillimin e demokracisë. Filmin e karakterizon një gjuhë e theksuar filmike, shoqëruar me fotografi, regji, skenar dhe përzgjedhje aktorësh të shkëlqyer”, ishte shpjegimi i jurisë për vendimin.
Çmimi i regjisë i shkoi filmit “E punësuara” nga regjisori grek Nikos Labot.
“Filmi flet për një situatë të rëndë ekonomike, jo vetëm në Greqi. Fokusi është te individualiteti, nga njëra anë dhe familja, nga ana tjetër. Fotografia gjithashtu e shkëlqyer mund të konsiderohet protagoniste më vete, e cila pavarësisht elementëve të tjerë mbart një mesazh pozitiv”, u shpreh juria rreth këtij filmi.
Filmat “Gjinjtë” me regji të Marija Peroviq dhe “Derë e hapur” me regji të Florenc Papas, morën çmimin e veçantë të jurisë.
“Dy filmat që ndajnë çmimin e jurisë trajtojnë temën e gruas, por në mënyra të ndryshme. “Gjinjtë” karakterizohet prej karakterëve të ndryshëm dhe mjaft të shtresëzuar që reflektojnë gjendjen aktuale në shoqëri, dhe që ka të bëjë me pozitën e grave. Filmi trajton problematikën në fjalë me një ton pozitiv, bazuar në solidaritet dhe miqësi. Ndërsa, “Derë e hapur” na kujton edhe një herë në rëndësinë e vlerave të familjes, të cilat po humben në botën moderne – një botë e cila çdo ditë e më shumë po mbështet individualizmin dhe materializmin”, u shpreh juria rreth këtij vendimi.
Filmat e përzgjedhur janë produkt i bashkëpunimeve ndërmjet Shqipërisë, Serbisë, Greqisë, Kosovës, Italisë, Maqedonisë së Veriut, Francës, Kroacisë dhe Malit të Zi. Disa prej tyre janë mbështetur prej Euroimage dhe SEE Cinema network, dhe përbëjnë një shëmbyll të shkëlqyer të bashkëpunimit rajonal dhe rajonit me Europën.
Juria e programit të filmave të shkurtër në konkurrim, e përbërë nga Dushan Kasalica, regjisor dhe producent malazez, Maja Shusha, aktore dhe drejtore artistike e festivalit “Bašta fest” në Serbi, si edhe Nita Deda, producente dhe drejtore e festivalit Dokufest në Prizren, Kosovë, vendosën që çmimi i filmit më të mirë metrazh i shkurtër t’i jepet FURGONI (The Van) me regji të Erenik Beqiri. Sipas jurisë, “Furgoni” është një film i fuqishëm dhe bindës në të gjithë segmentet e tij, veçanërisht në performancën e protagonistit të filmit, i cili tregon historinë se deri ku mund të shkojë lufta për një jetë më të mirë, jo vetëm për individin por edhe për familjen.
Çmimi i regjisë në kategorinë e filmave të shkurtër iu dha filmit “Vëllazëria” (Brotherhood) nga regjisorja Meryam Joobeur për aftësinë e demonstruar në udhëheqjen, njëkohësisht emocionuese dhe komplekse të ekipit dhe aktorëve të shkëlqyeshëm, në procesin e ndërtimit të një historie prekëse për fenomenin e radikalizimit të familjes dhe marrëdhëniet ndërmjet anëtarëve të saj.
Çmimi i jurisë në këtë kategori i shkoi filmit “Imazhi i fundit i babait” me regji të Stefan Gjorgjeviq, “një film i mirëmenduar dhe interesant i cili përmes lojës së aktorëve në mënyrë delikate dhe identitetin autentik vizual, në mënyrë dinjitoze paraqet marrëdhënien mes babait dhe djalit si dhe në mënyrë të plotë transmeton emocionin e fortë”.
Slogani i festivalit këtë vit ishte IN/EXCLUSION, i cili organizohet tashmë tradicionalisht nga OJQ Unë veproj (iACT). Gjatë pesë ditëve u shfaqën 50 filma në disa vende në Ulqin, duke ndërthurur cilësinë artistike me qasjen aktive ndaj temave të angazhuara shoqërore.