Nga Gladiola Jorbus

Në përgjithësi, shqiptarët po zhvishen nga origjinaliteti. Ritet e dasmave shqiptare kanë marrë ngjyrimet, sipas vendeve ku ata kanë jetuar në emigracion. Një institut i rëndësishëm i së drejtës zakonore familjare, i njohur që në kohët më të lashta mbetet martesa, me karakteristikat e saj të cilat janë komercializuar në maksimum.

Në dasmat dhe pagëzimet shqiptare nuk mund të mos bien në sy konfetat ose bonbonieret (ende s’kemi një fjalë të mirëfilltë shqipe për t’i emërtuar, ndaj huazojmë nga fqinjët). Qytetet bregdetare janë gjithnjë më të ndjeshme ndaj ndikimeve dhe zakonet tradicionale priren të zëvendësohen, apo të shkrihen e njëjtësohen me trendet e reja.

I mëshoj vazhdimisht argumentit, se duhet të përbëjë motiv të fuqishëm krenarie, fakti që i përkasim Dyrrahut ; qytetit ku kanë studiuar romakët dhe perandorët e tyre. Vetë Ciceroni shprehej për Dyrrahun, duke e konsideruar , “qytet i luksit dhe i dritës”. Siç dokumentohet dhe në faktet historike, një student romak i shkruante të atit: “Baba më dërgo para; se këtu i thonë Dyrrah, e jo Romë”. A jemi të ndërgjegjshëm vërtet se nga vjen origjina jonë ?!

Kontrasti midis trashëgimisë antike dhe të sotmes “moderne” po bëhet gjithmonë e më i dukshëm dhe në dëm të vlerave “jo vetëm arkeologjike” të Dyrrahut tonë. Në kaosin modern të ndryshimit të sistemit të vlerave, thirrja organike për mëshirë e traditës dhe e folklorit popullor, sidomos në momentet e gëzimeve apo derteve familjare, shkakton një lloj konfuzioni të vështirë për t’u menaxhuar.

Martesa është kurorëzimi i dashurisë. Ajo mbetet një ditë e paharrueshme. Konfeta është një aksesor i pazëvëndësueshëm në botën perëndimore. Por ajo s’duhet të mungojë kurrsesi në ngjarjen më të rëndësishme të jetës, edhe këtu tek ne, sipas parametrave aktuale. Kozmopolitizmi ka sheshuar dallimet mes kombeve dhe orvatet të ndërkombëtarizojë gjuhët, vlerat, monedhat, kulinarinë, doket etj. Por ç’janë konfetat? Ç’ përcjellin? Ç’rol luajnë? Llokumet tradicionale shqiptare duket se janë zëvendësuar dukshëm me to (konfetat) dhe shenja e mosbarazisë u jep prioritet këtyre të fundit.

Zanafilla e konfetave daton shumë më herët në histori, që para viteve 1000 në gadishullin arabik. Gjithashtu kjo traditë është gjurmuar dhe tek romakët e lashtë, të cilët shpërndanin konfeta (bajame të mbuluara me mjaltë e sheqer) në dasmat e tyre dhe në lindjet e fëmijëve.
Termi konfet vjen nga fjala latine confectum që do të thotë e përgatitur. Në Venecia janë vënë re për herë të parë retth vitit 1200. Konfetat kishin ardhur nga Lindja e largët. Në Perandorinë Bizantine ishte zakon, që me rastin e Karnavaleve, këto ëmbëlsira të hidheshin mbi popullin që festonte, nga vetë fisnikët.

Numri i konfetave duhet të jetë gjithmonë tek ( 1, 3ose 5) për të simbolizuar pandashmërinë. Pesa është numri më i bukur, pasi përfshin pesë bekimet më të mëdha për një çift të ri siç janë : Shëndeti, Dashuria, Pjelloria, Jetëgjatësia dhe Begatia.

Në botëkuptimin tonë, konfetat njejtësohen vetëm me martesat, por ato i dhurojnë hijeshi të gjitha eventeve të jetës duke filluar që nga lindja ,fejesa, martesa, ceremonitë fetare (pagëzime, kungime, krezmime, diplomime, datëlindje, përvjetorë etj. Konfeta është simboli i ditës së shënuar.Ajo do të shërbejë si shenjë dashurie dhe miqësie midis jush dhe të dashurve tuaj duke ju kujtuar gjithmonë, çastet më magjike të jetës.Në fund lind dhe një pyetje tjetër. Po fëmijëve ç’do t’u kultivojmë?!

Makarenko thotë : “ Prindër , mos mendoni se e edukoni fëmijën tuaj vetëm kur flitni me të, kur e këshilloni ose kur e urdhëroni. Ju edukoni në çdo moment të jetës së tij, madje edhe atëherë kur nuk jeni në shtëpi. Si visheni, si flitni me njerëzit e tjerë, si gëzoheni, si silleni me miqtë, si qeshni …- të gjitha këto kanë ndikim të madh te fëmijët, sepse ne jemi shembujt që ata ndjekin; shembuj në krizë vlerash, ndaj dashtë Zoti që feedback-u të jetë pozitiv.

By admini