Ostrosi

(Vështrim mbi monografinë “Shëndetësia në Krajë” të autores Ganimete Hoxha)

Nga Argëzon SULEJMANI

Monografia “Shëndetësia në Krajë” e autores, njëkohësisht mjekes specialiste të mjekësisë familjare, Ganimete Hoxha, përbën një vlerë me peshë në lëminë e historografisë, mjekësisë dhe trashëgimisë kulturore. Në të sotmen e pushtuar nga rrjetet sociale dhe aplikacionet e tyre përcjellëse, shpesh-herë përdoret shprehja: nuk është fotografuar, pra nuk ka egzistuar. E djeshmja, e jetuara, historia është më e vrazhdë, njëkohësisht më e drejtpërdrejtë me faktet kur thotë se: nuk është shënuar, pra nuk ka egzistuar. Për këtë, vlerat e botimit në fjalë janë multisferike, kurse në qendër kanë njeriun, humanen, shëndetin. Shëndeti gjithnjë ka qenë qendër e botës së njeriut të anëve tona. Nga kjo monografi, si nga secila që do të përshkruante të kaluarën tonë, veçohet stërmundimi i njeriut deri në vetëmohim, izolimi deri në përndjekje dhe pashkollimi deri në shkallim. Megjithatë, edhe si i tillë, njeriu i këtyre anëve nuk e ka humbur asnjëherë durimin, toruan dhe shpresën. Popullorëshe të tilla si: mendja e shëndoshë në trup të shëndoshë; mendja kolonisë trupin, etj. tregojnë për një filozofi ndërlidhëse të hershme të mendjes me trupin, të mendimit me fizikun, ndërlidhje këto që shkencat natyrore e mjekësore u përvishen këtyre ditëve. Trashëgimia e pamatshme kulturore e këtyre viseve tregon për një sistem paralel model në kushte të rënda shoqërore. Si e tillë, e kaluara e viseve tona malore është laborator “in vivo” njeri-natyrë. Kështu, njeriu i atyre kohëve do të kërkonte jetën e shëndoshë larg shëndetësisë, do të kultivonte dijen e maturinë larg shkollimit dhe do të njihej me botën mënjanuar prej saj. Mehmet Kraja në një intervistë mbi fëmijërinë e tij e përmendë Krajën si një vend me një “shpërpjesëtim” të thuktë në mes të mrekullive që ofron natyra dhe vështirësive që hasen në të jetuar (Oral History Kosovo, shkurt 2015). Shtjellimi i tillë i këtij vështrimi është i qëllimshëm. Caku i kësaj qasjeje nuk është t’ua rrëfej monografinë në fjalë, por të ju shtyjë që ta lexoni atë.

•Mona dhe Gjilpëra

Libri nisë me sqarimin e vendndodhjes së lokalitetit të Krajës. Një rrip toke ndërmjet dy detrave (Liqeni i Shkodrës u afrohet përmasave detare), në mes majave malore e erërave të ngrohta e freskuese. Afër jetës e larg botës, do të mund të thuhej për Krajën e ublave. Autorja që në fillim na bën me dije se përkujdesja shëndetësore në Krajë nisë tek pas Luftës së II-të Botërore. Luftërat, këtyre anëve kanë qenë dhe vazhdojnë të mbesin referenca kohore të shpeshta. Mjekësia, nëse nuk është një luftë, është betejë që nisë rishtas përditë, kurse mjeku është ai që beson në diell edhe kur drita shterron. Libri jo pa qëllim nisë me punën vullnetare të infermieres Mona Gordon Wilson, në kuadër të Kryqit të Kuq Amerikan pas Luftës së Parë Botërore në Shqipëri e Mal të Zi. Ditari i saj nga qëndrimi në ato anë është rrëqethës. Tuberkulozi, poliomieliti, malaria, parazitozat do të kishin gjetur parajsën e tyre që krekosej rëndë e më rëndë falë bestytnive primitive dhe analfabetizmit të popullatës. Atëbotë, vaksinat as nuk paramendoheshin, aparati fotografik mbahej si “syri i keq” për fëmijët, kurse vajzat rriteshin me bindjen që më mirë t’i vizitojë vdekja se sa një doktor mashkull. Kush do thonte që një shekull më pas e në të njëjtat hapësira, vaksinat do të paragjykoheshin, kurse fotografitë e fëmijëve do të ktheheshin në sy magjik. Shënimet e znj. Wilson ngjajnë në pjesën më të madhe të tyre me jetën e personazhit Doktor Gjilpëra të Faik Konicës. Meqenëse dhe vepra e Konicës është botuar në 1924, marrim provë që këta dy personazhe të jetës reale dhe letrare i bën bashkë koha, vendi dhe përjetimet. Kjo sekuencë nga Doktor Gjilpëra e sqaron më së miri gjendjen në të cilën ndodhej Shqipëria dhe Ballkani atëbotë:

(…) Doganieri që gërmonte valixhen e Dr. Gjilpërës zbuloi një kuti të madhe me pluhur për të fshirë dhëmbët: menjehëre kalli dy gishtërinj të palarë, me thonj të zinj dhe nisi të rrëmojë e të shohë se çkish brenda. Pyeti në çpunë hynte ky toz.
“Për të fshirë dhëmbët”, tha dr. Gjilpëra.
“Axhip!”, bëri doganieri, pastaj thirri një shok dhe i tha: “Shiko se ç`thotë ky njeri: këtë e paska për të fshirë dhëmbët!”
Që të dy doganierët qeshnë duke shfaqur nofullat e ndryshkura e gjysëm të kalbura.

Autorja e monografisë me zhgënjim e cekë që zonja Wilson u dekorua në Itali dhe Rusi për punë vullnetare e humanitare, por jo edhe në Malin e Zi. Porse, në verën e vitit 2019, zonja Wilson do të dekorohej në Krajë përmes përkujtimit të shndërruar në një libër nga një zonjë kolege që e kupton më së miri sakrificën, humanizmin dhe profesionalizmin. Fjala është pikërisht për monografinë “Shëndetësia në Krajë”. Libri vazhdon me mjekët që kanë shërbyer në rrethinën e Tivarit gjatë dhe pas dy luftërave botërore. Bie në sy Dr Frederik Shiroka, kirurg në Qendrën Spitalore Shkodër. Edhe pse ka rrjedhur shumë ujë, autorja ka arritur të gjejë përjetime të krajanëve nga raporti me Dr Shirokën. Secili nga ata e vë theksin tek mjeshtëria e pazakontë e tij, afërsia dhe arritjet. Përvojat mbresëlënëse të atëhershme, kryesisht të rasteve akute me “zorrë qorre” që kanë gjetur shpëtim nga duart e Dr Shirokës, tregojnë që Kraja pa liqenin dhe Shkodrën mund të jetë veç zorrë qorre. Botimi vazhdon me të tjera kohë e personazhe. Autorja nuk i ikë njeriut gjatë gjithë kohës, sepse këtë ia ka mësuar mjekësia por edhe tradita. Me rend vihen emrat e të gjithë mjekëve që kanë shërbyer në Krajë, por të njëjtin vlerësim marrin edhe kuadri i mesëm profesional e plotësues. Një kapitull i veçantë i kushtohet mjekësisë popullore, që në shekullin XX duket të jetë praktikuar nga autoritete të çmuara. Tutje, mendoj që mjekësia popullore siç muzika popullore ka zënë në këmbë të çalë. Kjo është një arsye më shumë që t’u japim hakun meritorëve të kohës së shkuar. Vlerat duhet të promovohen dhe të bashkëveprojnë.

•Mjekësia – shtëpia e përbashkët

Gjatë leximit do të takoni një thënje me peshë: kirurgjia s’ka atdhe, kurse kirurgu po. E tillë është e gjithë mjekësia. Megjithatë, duhet cekur atdheun e formimit të autores që për koincidencë është dhe atdheu i formimit tim dhe shumë mjekëve të tjerë. Është Prishtina, është Qendra Klinike Universitare e Kosovës. Është ai trung që ka arritur të përçojë puls nëpër degët e veta të largëta pavarësisht plagëve vetanake. Janë vlerat universale të qindra mësimdhënësve tanë, të cilët besonin në dituri e humanizëm aq sa në liri. Kështu, përmes sa e sa mjekëve, siç mësuesëve e profesionistëve të tjerë, pulsi prishtinas do të arrinte të pulsojë në Krajë gjatë këtij gjysmë shekulli. Pa dyshim, një vend të veçantë në atë podium vlerash zë vetë autorja e kësaj monografie, Dr Ganimete Gashi Hoxha, e cila ka hyrë në dekadën e tretë të shërbimit mjekësor në Ostros. Ajo ka ditur që më së miri të ofrojë dhe përparojë shërbimet shëndetësore, të përfaqësojë e përqafojë risitë në konferenca e simpoziume mjekësore brenda dhe jashtë vendit për të kulmuar në vitin 2014 ku do të veçohej e nderohej si mjekja më e dalluar e vitit në Malin e Zi. Për gjithçka që mund të lexoni në këtë monografi, ndajë mendimin që e njëjta do duhej promovuar së paku dhe në Prishtinë e Shkodër. Vlerat e secilit botim dinjitoz rriten me kalimin e viteve, ashtu dhe botimi në fjalë me kohën do motivojë dhe peshojë edhe më rëndë. Në këtë libër do t’i gjeni tok kohët e brezat, si dhe mjekët krajanë anë e kënd botës. Në këtë libër do t’i gjeni tok sakrificat dhe risitë, si dhe mjekët krajanë që do të shkruajnë të ardhmen. Në këtë libër do t’i gjeni tok mjekët e shumë rretheve, sepse mjekësia është shtëpia jonë e përbashkët.

Koha Javore, dt. 19 shtator 2019, nr. 880, fq. 18 dhe 19.

By admini