Nikë Gashaj
Dominimi dhe hegjemonia, majorizimi dhe diskriminimi, privilegjet dhe margjinalizimi, si dhe imperializmi kulturor janë elementet më të rëndësishëm të interpretimit të padrejtësisë dhe janë në lidhje të ngushtë me pakicat kombëtare. Mirëpo, shoqëritë bashkëkohore njohin dukurinë e institucionalizimit, përkatësisht të formësimit juridik të masave të detyrueshme me anë të të cilave lehtësohet dhe sigurohet egaliteti dhe barazia e pakicave në sferat e ndryshme të jetës shoqërore. Masat e këtilla në kuptimin më të gjerë emërtohen si aksion afirmativ, por janë në përdorim edhe nocione të tjera: diskriminimi pozitiv, diskriminimi i padëmshëm, trajtimi preferencial, sistemi i kuotave etj.
Aksioni afirmativ nga njëra anë shikohet si kompensim apo shpërblim për diskriminimin në të kaluarën, kurse nga ana tjetër ai u kundërvihet paragjykimeve të sotme dhe njëanshmërisë së dhënësve të vendimeve, si dhe padrejtësisë dhe diskriminimit të pakicave. Ndonëse politika diskriminuese sot është e kundërligjshme dhe e ndaluar, pakicat e veçanta janë edhe tutje viktima të stereotipeve dhe të njëanshmërisë së atyre që marrin vendime, të cilët i përkasin shumicës, përkatësisht nga grupimet e favorizuara. Kurse më e keqja ndodh atëherë dhe kur disa nga të ashtuquajturit funksionarë publikë nga pakica e veçantë diskriminojnë pjesëtarët e pakicës tjetër etnonacionale.
Së këndejmi, në institucionet e sistemit politik duhet të ekzistojnë programe të fuqishme të politikës së aksionit afirmativ, në mënyrë që të kenë efekt të caktuar në ndryshimin e strukturës themelore të grupimeve të favorizuara dhe të diskriminuara. Kjo është kërkesë për drejtësi sociale, përkatësisht për ndreqjen e padrejtësisë shoqërore për liri, vetëpërcaktim dhe dinjitet. Në përputhje me këtë, ithtarët e multikulturalizmit janë të orientuar kundër ideologjive shtypëse dhe praktikave shoqërore që i referohen objektivitetit të rrejshëm, universalitetit dhe shtetit qytetar, kurse në realitet u shërbejnë interesave të veçanta të grupeve dominuese të shoqërisë. Politika e multikulturalizmit njeh legjitimitetin e veçantisë kulturore dhe sociale të pakicave kombëtare. Modeli i multikulturalizmit nënkupton se individët dhe grupet e ndryshme kulturore mund të inkorporohen plotësisht në shoqëri, duke mos humbur veçantinë e vet apomundësinë për participim të plotë në shoqërinë e gjerë. Pikërisht ky proces është proces i participimit të plotë i kuptuar si kyç për tejkalimin e kundërthënieve etnike, tendosjeve etnike dhe demokracisë jostabile. Për ta arritur këtë qëllim të participimit të plotë, institucionet shtetërore duhet të transformohen thellësisht në mënyrë që t’u sigurojnë pakicave kombëtare mundësi të barabarta të inkuadrimit në shërbime publike.
Multikulturalizmi është padyshim opozitë ndaj paragjykimeve etnike dhe bazohet mbi afilacione relativisht të qëndrueshme.
Në dallim nga neutraliteti i zakonshëm i trajtimit jodiskriminues ndaj pakicave, aksioni afirmativ shquhet me ndërmarrjen e masave pozitive që kanë për qëllim të avancojnë pozitën e pakicave në shoqëri dhe në sistemin politik të vendit konkret. Bie fjala, përfaqësimi i pakicave në organet e pushtetit – në forumin legjislativ, në organet ekzekutive dhe administrative, në jurisprudencë dhe në shërbimet publike, në institucionin e Avokatit të Popullit si dhe në institucionet arsimore, kulturore dhe informative etj.
Pra, aksioni afirmativ mund të përfshijë një gamë të gjerë të masave të ndryshme në favor të të drejtave të pakicave. Masat e aksionit afirmativ kanë për qëllim vendosjen e barazisë reale, në dallim nga ajo formale, vetëm të proklamuar, të pakicës me shumicën. Realizimi i barazisë midis individëve dhe grupeve, pavarësisht nga dallimet përkitazi me prejardhjen, racën, besimin, gjuhën apo gjininë, është qëllim thelbësor i mbrojtjes së pakicave.
Në kohën e sotme, nje sërë aktesh me karakter juridik ndërkombëtar përmban norma për masat e aksionit afirmativ, i cili në realitet i autorizon shtetet për ndërmarrjen e masave të tilla. Është fjala për disa nga konventat më të rëndësishme në sferën e të drejtave të njeriut dhe të mbrojtjes së tyre, siç janë:
Konventa ndërkombetare për Eliminimin e të Gjitha Formave të Diskriminimit Racial, Konventa kuadër për mbrojtjen e pakicave nacionale dhe Konventa e Organizatës Ndërkombëtare të Punës, nr. 107 mbi popujt autoktonë dhe fisnorë (1958) dhe nr. 111 kundër diskriminimit në lidhje me punësimin dhe profesionin (1958)etj.
Konventat e lartpërmendura të cilat përmbajnë norma mbi masat e aksionit afirmativ obligojne shtetet për t’i implementuar ato. Kësisoji, Konventa kuadër për mbrojtjen e pakicave nacionale, në nenin 4, paragrafi 2 përmban normën e cila obligon shtetet që në fushat e jetës ekonomike, sociale, politike dhe kulturore, aty ku është e nevojshme, të miratojë masat përkatëse për avancimin e barazisë së plotë dhe efektive të pakicave nacionale.
Është me rëndësi të ceken edhe Rekomandimet ndërkombëtare nga Lundi mbi pjesëmarrjen efektive të pakicave nacionale në jetën publike (1999), që janë shprehje e nevojës që problemi i pjesëmarrjes së pakicës nacionale në jetën publike të shprehet në formën e rekomandimeve për shtetet. Zbatimi në jetë i kësaj të drejte vlerësohet si pjesë thelbësore e shoqërisë paqëdashëse dhe demokratike. Ekzistojnë dy forma thelbësore të kësaj të drejtë: pjesëmarrja në marrjen e vendimeve dhe vetëqeverisja.
Sa i përket pjesëmarrjes në marrjen e vendimeve shteteve u rekomandohet që të sigurojnë përfaqësimin e posaçëm të pakicave në të gjitha institucionet e sistemit politik dhe juridik dhe që normat juridike të shërbimeve publike të jenë edhe në gjuhët e pakicave. Gjithashtu, shteteve u duhet që në procesin e zgjedhjeve të sigurojnë pjesëmarrjen e pakicave (të votojnë, të jenë të kandiduar) si dhe t’u mundësojnë themelimin e partive politike. Rekomandohet që sistemi elektoral të jetë i tillë që pakicave t’ua lehtësojë përfaqësimin dhe influencën (për shembull që të jepen disa forma të votimit preferencial). Rekomandohet edhe formimi i forumeve konsultative si kanale për dialog midis organeve qeveritare dhe pakicave nacionale.
Formë tjetër e pjesëmarrjes së pakicave kombëtare në jetën publike paraqet dhënia e vetëqeverisjes. Qoftë kur kemi të bëjmë me zgjidhjet territoriale apo jashtë territoriale, dhënia e vetëqeverisjes rekomandohet kur një gjë të tillë e kërkon pjesëmarrja frytëdhënëse e pakicave në jetën publike.
Autonomitë janë formë e posaçme institucionale e sigurimit të participimit politik të pakicave kombëtare. Ato më së shpeshti janë territoriale, ashtu që një territor i caktuar në të cilin jetojnë pjesëtarët e pakicës kombëtare fiton status të veçantë. Në një pozicion të tillë ato fitojnë të drejtën për të rregulluar në mënyrë të pavarur çështje dhe raporte të shumta, sidomos ato që janë me rëndësi jetike për banorët e saj (të cilët në numrin më të madh dhe kryesisht janë nga përbërja e pakicave kombëtare). Formë e veçantë e autonomive janë të ashtuquajturat vetëqeverisje të pakicave, të cilat gëzojnë të drejtën e përfaqësimit të interesave të pjesëtarëve të pakicës së vet kombëtare, madje të kryejnë për ta edhe punë të caktuara publike, përfshirë edhe ato që janë në fushëveprimin e organeve të pushtetit ekzekutiv. Përveç kësaj, janë gjithnjë e më të shpeshta kërkesat që, krahas autonomive territoriale ekzistojnë edhe të ashtuquajturat autonomi funksionale, të cilat nuk do të lidheshin për ndonjë territor të caktuar, por do ta përbënin pjesëtarët e pakicës kombëtare të caktuar nga territori i gjithëmbarshëm i shtetit konkret. Si argument kryesor për këtë formë të autonomisë theksohet disperziteti i vendbanimit të tyre.
Formë e participimit politik të pakicave kombëtare i cili është tejet i pranishëm në praktikë dhe i cili jep rezultate të mira, janë të ashtuquajturat forume konsultative pranë organeve të shkallëve të ndryshme të pushtetit legjislativ, ekzekutiv dhe administrativ. Ato në mënyra të ndryshme mund të përfshihen në procesin e marrjes së vendimeve, kurse qëndrimet e tyre mund të kenë shkallë të ndryshme të detyrueshrmërisë për organin i cili merr vendime. Zgjidhjet më të shpeshta janë se lidhur me çështjet e tilla nuk mund të merret vendim pa dhënien e mundësisë paraprake forumeve konsulatative që të deklarohen në lidhje me to, që qëndrimi i këtyre forumeve duhet të merret parasysh me rastin e marrjes së vendimit dhe që organi i cili merr vendimin është i detyruar për ta informuara forumin konsultativ në lidhje me qëndrimin që ka marrë sipas propozimit, respektivisht kërkesës së tij.
Aksioni afirmativ nuk është në kolizion me konceptin e shtetit qytetar. Përkundrazi, ato janë mjaft kompatibile. Për shembull, një shtet liberalist, si SHBA-ja, e cila për një kohë të gjatë do të na japë shembull dhe do të jetë model përkitazi me zhvillimin e demokracisë, të shoqërisë qytetare dhe të shtetit qytetar si dhe përkitazi me respektimin e parimit të profesionalizmit, qysh në vitin 1964 kanë shënuar në Amendamentin VII të Ligjit mbi të drejtat e qytetarëve: “Ai punëdhënës i cili në çfarëdo mënyre ka diskriminuar të punësuarit, duhet të zbatojë parimin e diskriminimit pozitiv në mënyrë që të korrigjojë praktikën e gabuar të mëparshme”.
Presidenti Lindon Xhonson më 1965 nxori Dekretligjin me të cilin i urdhëroi të gjitha organet federale që me rastin e plotësimit të vendeve të punës, me rastin e avancimit në detyrë, të zbatohet parimi i diskriminimit pozitiv, madje edhe në qoftë se nuk ka pasur kurrë raste të diskriminimit negativ. Nga fillimi i viteve të 70-ta të shekuilit të kaluar Komiteti për Mundësi të Barabarta të Punësimit shkoi edhe një hap më tej, duke përcaktuar në bazë të treguesve statistikorë kuotat e llogaritura të punësimit të grupeve të caktuara etnike dhe minoritare.
Në Kushtetutën e Malit të Zi, në nenin 79, ndër të tjera, përcaktohet që: Pjesëtarëve të popujve pakicë dhe të bashkësive të tjera nacionale të pakicave u garantohet e drejta e përfaqësimit përpjesetimor në shërbimet publike, në organet e pushtetit qendror dhe të vetëqeverisjes lokale. Ndërkaq, kjo dispozitë e Kushtetutës zbatohet në mënyrë jokonsekuente në praktikën shoqërore konkrete, në radhë të parë kur është fjala për pjesëtarët e kombësisë shqiptare. Me fjalë të tjera, në vazhdimësi është i pranishëm problemi i nënpërfaqësimit të pjesëtarëve të pakicës kombëtare shqiptare në institucionet e sistemit, siç janë: gjyqësia, prokuroria, ministritë e veçanta, organet e veçanta të vetëqeverisjes lokale, shërbimet publike dhe institucionet e tjera shtetërore me rëndësi jetike për realizimin e të drejtave të njeriut dhe të pakicave, që është juridikisht dhe politikisht e pabazuar dhe e papranueshme.