Nga Nikë Gashaj
Në gjysmën e dytë të viteve tetëdhjetë të shekullit të kaluar, pak kush ka besuar se shpërbërja e Jugosllavisë është e mundshme, kurse edhe më pak se ajo do të ndodhë me luftë. Një bindje e tillë e qytetarëve ka qenë e formuar në bazë të asaj se në ish-Jugosllavi ishin të zhvilluara marrëdhëniet e shumta ndërnjerëzore të jetës dhe të punës, lidhjet farefisnore, afariste, profesionale, pronësore, politike dhe kulturore.
Është e pamohueshme se në këtë hapësirë ishin të pranishme format e ndryshme të bashkëpunimit midis kombeve, konfesioneve, kulturave dhe rajoneve. Mirëpo, megjithatë erdhi deri tek shthurja e ish-Jugosllavisë. Më se gjysma e popullsisë së saj, dmth më se 12 milionë njerëz formuan shtetet e reja, përfshi dhe Kosovën.
Ezistojnë shifra të mëdha të të vrarëve, të të përsekutuarve, të refugjatëve, të të pikëlluarve, të të trishtuarve dhe të të dëshpëruarve si pasojë e luftës së pamëshirshme, me rastin e shkatërrimit të ish-Jugosllavisë.
Shumë faktorë dhe akterë me kohë kanë punuar dhe vepruar pikërisht në favor të shkatërrimit të ish-Jugosllavisë dhe atë me luftë. Në lidhje me këtë veçanti duhet theksuar verbimin historik të ideologëve dhe të politikanëve serbë mbi projektin e tyre në krijimin e Serbisë së Madhe me mjete jodemokratike. Ndërkaq, ambienti politik në Evropën e Mesme dhe atë Lindore, rënia e udhëheqësve të tyre komuniste, si dhe rrënimi i Murit të Berlinit kanë qenë në favor të ndërrimeve në hapësirën e eks-Jugosllavisë. Mirëpo, nuk është tragjike që është harxhuar një sistem ideologjik dhe politik. Nuk është tragjike se është shpërbërë një shtet, por është tragjike se të dy këto procese janë realizuar me konflikte, me luftëra dhe shkatërrime. Nga shkaqet të cilat kanë çuar deri te shpërthimi i Jugo-dramës po cekim disa prej tyre:
1.Shmangia, minimizimi, mosnjohja dhe mospranimi i krimeve nga Lufta e Dytë Botërore kanë qenë një kërcënim real i ndarjes paqësore të eks-republikave të Jugosllavisë dhe Krahinës Autonome të Kosovës. Si zjarri që digjet pa flakë dhe ngadalë, ashtu ka qenë për një kohë të gjatë i pranishëm motivi hakmarrës dhe “shpagimi i borxheve” nga e kaluara historike. Ajo ishte një ndër shkaqet e instalimit të kësaj lufte. Këtu mund të thuhet se frika e gjenocidit masiv i ka ushqyer dhe nxitur jo vetëm antagonizmat e aktorëve publikë dhe politikë, por edhe ata të popullsisë së thjeshtë.
2. Pas Luftës së Dytë Botërore çështja e Kosovës dhe statusi i saj është rregulluar në mënyrë jodemokratike, pa pëlqimin dhe dëshirën e popullit shqiptar në Kosovë.
Njohjet empirike dhe teorike-shkencore tregojnë në mënyrë të qartë, se zgjidhjet jodemokratike mbi çështjet kruciale, sikurse është statusi i Kosovës, shikuar në afat të gjatë, nuk kanë gjasa të jenë të suksesshme. Fatkeqësisht, një njohje të tillë nuk e ka pasur në dijeni, apo nuk nuk ka dashur ta respektojë udhëheqësia politike e ish Jugosllavisë. Prandaj, statusi i pavolitshëm i Kosovës dhe demonstratat studenteske më 1981 në Kosovë, ishin fillimi i shthurjes në gjak të ish-Jugosllavisë.
3. Mosbesimi ndërnacional dhe mbyllja e ish-republikave në feudet e veta nacionale, të artikuluara në vitet para shpërbërjes së Jugosllavisë, domosdoshmërisht e ka gjeneruar variantin e ndarjes me luftë të ish republikave dhe të Kosovës.
4. Neveritja dhe urrejtja ndaj të tjerëve, ndaj kolektiviteteve të ndryshme nacionale/etnike, të cilat monoliti i mëparshëm politik-ideologjik me decenie të tëra i ka amortizuar dhe kontrolluar, i ka krijuar presupozimet për qërimin e hesapeve me luftë.
5. Prapambeturia, moszhvillimi, ndarja jo e drejtë e “mjeteve të veta” në republika të tjera (kolektivitete), shpesh herë ka paraqitur një arsenal për akuzime reciproke.
6. Popullsia e ateizuar, pa besim në zotin dhe në kishë, ka qenë një ndër shkaqet e krimeve dhe të rrënimeve.
7. Egoizmi i personave dhe i grupeve dhe stimulimi i formuar për fitim, për plaçkitje dhe pasuri, ka kontribuar në krijimin e një ambienti luftarak, në të cilin merret, grabitet dhe plaçkitet pa dënim.
8. Në ish-Jugosllavi ka munguar krijimi i institucioneve të reja të demokracisë dhe të tregut, të cilat janë të domosdoshme për vendet në tranzicion. Institucionet e vjetra nuk kanë mundur t’i përgjigjen konstelacionit të ri shoqëror.
9. Matrica popullistike joracionale, e cila i ka mobilizuar masat në aksion ka çuar drejt shkatërrimit të eks-Jugosllavisë.
10. Në ish-Jugosllavi, pas Luftës së Dytë Botërore, problem i pajtimit ndërmjet të fituesve dhe humbësve, të çlirimtarëve dhe të tradhtarëve, të mbijetuesve dhe të viktimave, gjatë gjithë kohës ka mbetur i shtangur.
11. Pohimi mbi lidhjen e jugo-dramës me përçarjen dhe konfliktin serbo-kroat, që i ka “ringjallë” atavizmat dhe antagonizmat e vjetër, nuk është i gabuar.
12. Paaftësia e elitave politike, jokompetente dhe inferior, që nuk kanë qenë të afta, që me punët shtetërore të udhëheqin me dituri, urti dhe përgjegjësi, në drejtim të ndërrimit të domosdoshëm të sistemit politik, i ka gjeneruar shpërthimit të luftës.
13. Një përgjegjësi të madhe për skenarin e luftës në këto hapësira e ka patur edhe Bashkësia Ndërkombëtare. Nuk ka qenë në pyetje vetëm mosgjeturia dhe mosnjohja e marrëdhënieve subtile të ish-Jugosllavisë, por edhe hysteria anti-komuniste, të cilën e kanë prodhuar, duke i nxitur kohortat nacionale/nacionaliste si ekzekutues të punëve në shthurjen e shtetit socialist.
Argumentimi i lartpërmendur tregon se në shpërbërjen me luftë të ish-Jugosllavisë ka dominuar instrumentalizimi politik i marrëdhënieve nacionale/nacionaliste dhe pranimi që nga e kaluara historike dhe traditat, të ringjallen dhe të kthehen, kryesisht, format anakrone. Në lidhje me këtë Llatinka Peroviq pohon se kah fundi i viteve tetëdhjetë proceset e modernizimit janë ndërruar me tradicionalizëm, mitologji dhe me reinkarnimin e së “kaluarës historike të lavdishme”.
Në një analizë temporale, fillimi dhe grumbullimi i proceseve të cilat më vonë do të kalojnë në konflikte luftarake, shikuar nga një prizëm manifestues, mund të ofrohet si vijon:
“Shorti është hedhur” në demonstratat e Kosovës më 1981. Kryesia e atëhershme politike ka qenë e burokratizuar dhe e paaftë, e preokupuar se si të mbahet në pushtet, nuk ka arritur që të sanojë në mënyrë adekuate antagonizmat e ndryshëm, apo të shërojë dhe të përmirësojë gjendjen e çrregulluar ekonomike, sociale, politike dhe nacionale. Në atë kohë publikisht shpërtheu dhe gufoi nacionalizmi serb.
D.m.th. nacionalizmi serb filloi ofensivën. Gjatë pesë viteve, mbi Kosovën, shenjtërit, manastiret, brezat apo fisin mbretëror, mbi viktimat e serbëve etj., u botua në mënyrë të pakrahasueshme më tepër se deri atëherë. Mjetet e informimit masiv shqiptarët i kanë paraqitur si armiq dhe me tiparet më të këqija, kërcënuese dhe të rrezikshme për të tjerët, në rend të parë për serbët. Një ngjarje vendimtare në përcaktimin politik të udhëheqësisë shtetërore të Serbisë ka qenë Memorandumi i “pakryer“ i Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Serbisë (1986).
Vërshimi popullist i luftës për unitetin e Serbisë, në verën e vitit 1988, me manipulimin politik të popullsisë serbe të Kosovës, gjithsesi ka çuar deri te gufimi dhe shkallëzimi i konfliktit, jo vetëm në kryesinë e Federatës së eks-Jugosllavisë, por edhe midis udhëheqësive politike të ish-republikave.
Kongresi i XIV-të i LKJ-së, i cili nuk përfundoi dhe të cilin të parët e lëshuan përfaqësuesit e LK të Sllovenisë, për shkak të presioneve të delegacioneve serbo-malazeze, si dhe acarimi i marrëdhënieve ndëretnike dhe ushtrimi i territorit shtetëror serb ndaj shqiptarëve në Kosovë, kanë shtyrë edhe më tutje rrokullisjen e rrotave, tashmë të skuqura, drejt pamjes së një flake të madhe të lëkundjeve gjithnjë e më të mëdha të shtetit jugosllav.
Referendumi dhe pastaj, më 1991, ndarja e Sllovenisë nga ish-Jugosllavia, me një indiferencë dhe gjakftohtësi të udhëheqësisë federale, e cila tashmë ishte e hutuar dhe e përçarë.
Transferimi i potencialeve ushtarake prej Sllovenie në Jugosllavinë e mbetur dhe instrumentalizimi i armatosur i momentit etnik. Ndërkaq, le të përkujtojmë fillimin e luftës në Kroaci më 1992.
Përçarjet dhe mosmarrëveshjet etnike në Bosnje e Hercegovinë më 1992, kanë rezultuar me daljen demonstrative të delegatëve nga Parlamenti dhe përhapjen e tyre nëpër rrugat dhe sheshet e Sarajevës, Mostarit dhe të qyteteve të tjera.
Mbrojtja e armatosur e shteteve të reja, të krijuara, në Kroaci dhe Bosnje e Hercegovinë ka zgjatur në vitet e ardhshme, deri në përfundimin e luftës, më 1995 dhe 1996, me intervenimin e Bashkisë Ndërkombëtare.
Hapja dhe eskalacioni i luftës në Kosovë më 1998. Terrori masiv, vrasjet dhe masakrimet e shqiptarëve nga shteti serb.
Intervenimi i NATO-s në Serbi dhe Mal të Zi më 24 mars 1999, si dhe hakmarrja dhe shpagimi mbi regjimin, që nuk ka patur aftësi dhe fuqi, që nëpërmjet të matricës paqësore dhe demokratike të zgjidhë statusin e shqiptarëve dhe çështjen e Kosovës. Përkundrazi, shteti serb ndërmori masat më të ashpra dhe më brutale, që i njeh historia e njerëzimit, të ashtuquajtura – gjenocid.
Si përfundim: Në ish-Jugosllavi nuk ka qenë e nevojshme të vihet deri te lufta. Edhe shtetet e tjera të bllokut të Lindjes janë ndarë në këto vite, por jo me luftë. Në prapavijën e luftës, në hapësirat e ish-Jugosllavisë ka qëndruar një utilitarizëm i thellë dhe një interes i madh i oligarkive politiko-ushtarake, të cilat janë fshehur prapa floskulave mbi patriotizmin, orën e fundit, shpagimin e padrejtësive historike, mbrojtjen e dinjitetit etj. Në realitet, puna më profitabile, por në anën tjetër edhe më tragjike, në këto vise, ishte tregtia me luftë. Hapësira kulturore, pa dyshim, ka qenë poligon stimulues i konflikteve në ish-Jugosllavi. Nuk është e panjohur se një numër jo i vogël i intelektualëve të lartë ka qenë i kyçur në vallen e luftës dhe të krimeve. Lufta dhe akterët e këtyre kohëve nuk mund të shtyhen, të amnistohen dhe as të mbesin në harresë. Parashtrohet pyetja: a kanë kuptim projektet politike, të lara me gjak dhe me jetën e njerëzve? natyrisht, jo. Sido që të arsyetohet, lufta është krim i palejueshëm. Njeriu ka vetëm një jetë dhe pse duhet të përcaktohet me luftë? Civilizimi dhe korpusi i vlerave të tij, shikohet pikërisht në ndalimin, shmangien dhe mposhtjen e asaj që është e keqe, e errët, e paarësyeshme dhe iracionale, qoftë tek individi apo në bashkësitë njerëzore. Sot katarza është e domosdoshme për drejtësimin e njëmendësisë, në një komponim të ri të ardhmërisë. Është i nevojshëm rishqyrtimi i vetëdijes, i ndërgjegjes dhe i së vërtetës, meqënëse prej saj varet fati i njerëzve dhe i popujve.
Ndërkaq, është i nevojshëm grumbullimi i një energjie pozitive dhe ndërmarrjes së një hapi demokratik përpara, i cili do të çojë në ujëra më të qeta të jetës dhe të krijimtarisë.
Në veçanti është me rëndësi normalizimi i marrëdhënieve dhe njohja reciproke shtetërore ndërmjet Kosovës dhe Serbisë në kufijtë ekzistues.