“FËMIJËT e ULQINIT – promotorë të tolerancës” vizituan Muzeun Etnografik në Draginë, i cili funksionon në kuadër të Shoqatës “Shtëpia e Trashëgimisë”. Pjesëmarrësit e këtij aktiviteti patën rastin të njoftohen më për së afërmi me eksponateve të këtij muzeu, të cilët janë të rralla dhe me vlerë të madhe për historinë e trevës së Anës së Malit e më gjerë. Gjatë gjithë kësaj vizite nxënësit treguan interes duke pyetur për objekte të veçanta apo edhe për mënyrën organizimit të jetës e të punës në të kaluarën e kësaj treve. Ata diskutuan edhe për ruajtjen dhe promovimin e trashëgimisë kulturore, por edhe për nevojën e njohjes më të mirë të zonave rurale të komunës tonë nga të rinjtë e Qytetit.

Në vazhdim të këtij programi, nxënësit nga Ulqini vizituan shkollën “Gjergj Kastrioti Skënderbeu” në Krajë. Të shoqëruar nga drejtori i kësaj shkolle z. Beqir Berjashi si dhe nga bashkëmoshatarët e tyre vendas, mysafirët e rinj nga Ulqini patën mundësi të njihen me ambientet tepër komode të kësaj shkolle, me arritjet e shumta të nxënësve të këtushëm si në mësime ashtu edhe në aktivitetet jashtëshkollore, por edhe me sfidat me të cilat ata ballafaqohen.

Puna e palodhur e me shumë kreativitet e kolektivit të kësaj shkolle, vërehej në çdo pjesë të saj, duke filluar nga kabinetet e mësimit, ambientet sportive, hapësirat ndihmëse e deri tek biblioteka e pasur e shkollës kopshti i vogël zoologjik.

Vizita u realizua në kuadër të këtij projektit “Fëmijët e Ulqinit – promotorë të tolerancës së diversitetit”, të cilin e OJQ “Horizonti i Ri” e realizon në partneritet me Bibliotekën e Qytetit dhe Shkollën Fillore “Marshall Tito”, mbështetur nga Ministria e Arsimit e Malit të Zi.

By admini