(Vështrim mbi botimin Namatisje – Refleksione të autores Manjola Busulla Jorbus)
Nga Argëzon SULEJMANI
Deri tek një përshtypje e tillë, që më pas mund të zë vend dhe në krye të vështrimit, arrihet me të lexuar temat e para të autores Gladiola Busulla, të tubuara nën titullin “Namatisje -Refleksione”. Leximi i mëtutjeshëm i refleksioneve veçse e përforcon më tej këtë ide, që me të përfunduar dhe faqet e fundit del të jetë konstatim i qëlluar. Rrjedha dokumentare e rrëfimeve, gjuha e pasur dhe shtjellimi shkollor krijon një ambient të afërt e miqësor me lexuesin, ambient që të jep kohën tënde të mendimit, dialogimit dhe përfundimit. Për korrektësi, duhet të theksoj që me dhe për autoren Busulla nuk kisha kontaktuar e as dëgjuar më përpara. Kjo ishte sfidë më vete, sfidë e autorëve të rinj, autorëve të panjohur që paragjykohen, cënohen e përjashtohen. Ndjenja që i jep secilit lexues të emancipuar gjetja e një krijuesi me peshë, për më shumë në gjuhën e kulturën amtare, është ngazëlluese. Ashtu do të mund të shënohej dhe takimi im me Gladiolën, që më pas do merrja vesh të kishte lidhje të ngushtë me Ulqinin e këtyre brezave.
Në botimin e fundit, rrëfimi i autores është i ndarë strukturalisht në ese që e bëjnë më të lehtë leximin dhe namatisjen, por që asnjëherë nuk e humbin shiritin e hollë intelektual e letrar që i ndërlidhë organikisht titujt e nëntitujt e botimit. Vepra, si e tillë mund të analizohet veç si tërësi, kurse mund të lexohet pjesë-pjesë dhe nëpër kënde çlodhëse. Thënë më troç, është një prej atyre botimesh që mund të të shoqërojnë ditëve të verës, kurse me patjetër të të trazojnë netët dimërore.
Qasja ndaj çështjeve të caktuara, që duhet thënë që janë të shumta e të larmishme, si dhe gjuha e ndërtimi i secilës përqasje vijnë tek lexuesi fort natyrshëm, çka të jep të drejtë t’i vlerësosh si transkripte të vlera të një takimi miqësor me përmbajtje të çmuar deri në paharrim. Problematikat që ndërmerrë t’i trajtojë autorja janë komplekse e të rënda, kurse shtjellimi dhe analiza e tyre vijnë të afërta dhe të rrjedhshme sa që të krijojnë ndjenjën e një “deja vu”-je që të konsolidon. Në globalizmin e këtyre kohëve thuhet gjithçka përditë, çështja është si të gjendet një mundësi që ditët të shënohen, temat të mos harrohen e idetë të bëjnë vend në memorje. Pikërisht këtë autorja arrinë ta bëjë mjeshtërisht në botimin me ese. Shtuar kësaj, njohuritë e shumta profesionale e enciklopedike që gërshëtohen natyrshëm në secilën temë, libri në fjalë merr dimenzione vërtetë të çmuara për botët e lexuesve, krijuesve e studiuesve të pothuajse secilës lëmi. Laramania që krijojnë nëntitujt e veprës përbën pikë lidhëse me gati secilën veprimtari të përditshme shoqërore. Temat sociale që e dominojnë frekuencën e librit, pastaj ato letrare, pedagogjike, gazetareske e deri estetike e mjekësore që përbëjnë hallkat ndërlidhëse të rrëfimit, krijojnë një mozaik plot ngjyra të zbehta ballë dritës e rrezeve që jep informacioni, shkenca, narracioni dhe perspektiva e autores. Përdorimi i disa internacionalizmave që ditë e përditë po e dominojnë shqipen dhe letërsinë tonë është i moderuar dhe nuk e dëmton pamjen e plotë të veprës.
Autorja tregon karakter të fortë në shumicën e temave dhe analizave që bën. Titujt dhe çështjet që ndërmerr t’i trajtojë kërkojnë njohje, botëkuptim dhe guxim, të cilat autorja me elegancë i përmbushë. Krijohet bindja që temat fluskojnë në një format rrethorë, ku në qendër dhe me shkronja të mëdha qëndron “statusi social”; ai i njeriut të kohës sonë, qytetarit, intelektualit, nënës, mësueses, letrarit… “Statusi social i intelektualit sot përfaqësohet nga manipuluesit e trurit, rrufjanët politik, artistët mediokër, opurtinistët apo sahanlëpirësit mediatik – të cilët për të realizuar synimet e tyre shkelin mbi gjithçka.” (shënim i autores).
Për fund, mendoj që botimi i Gladiola Jorbus Namatisje – Refleksione përbën një vlerë të çmuar në eseistikën e gjuhës dhe gjeografisë shqipe, me theks të veçantë për publicistikën dhe median e shkruar në gjuhën tonë. Padyshim dhe në shumë raste, si shembuj të mirë mund të shërbejnë “Refleksionet” e Gladiolës që vijnë si titra çlodhës, të saktë e analitik, të një filmi që nuk do ta shohësh veç një herë.