CREATOR: gd-jpeg v1.0 (using IJG JPEG v80), quality = 100

Shkruan: Esat Mehmeti

Heshtja nuk është gjithmonë pajtueshmeri, është më tepër pajtim me të keqen. Heshtja është jo vetëm antivlerë, por  qyqarllëk, është  servilizëm. Andaj, reagimet dhe  protestat janë dhe do mbesin përgjithmonë vlera të  përgjithshme qytetare me  të cilat tregojmë se nuk jemi indiferent ndaj padrejtësisë, qoftë politike, ekonomike, sociale, ekologjike, kulturore, arsimore etj.

Shpesh nuk jam në njëmendje me thënien ‘’heshtja është flori’’, ose “ heshtja është pajtueshmeri”. Kështu që, aty ku është e drejta të flasësh, nuk ke pse të heshtësh. Megjithatë, shpeshherë, autoritetet shëndetësore pohojnë; “ heshtja ndihmon në rigjenerimin e qelizave të trurit”. Mirëpo, në këtë kohë që po jetojmë, nuk mundesh të jesh emocionalisht edhe aq indiferent, dhe padashje të shtyrë të përballesh me sfida të ndryeshme. Andaj, ne duhet të flasim në kohën e duhur dhe në vendin e duhur.Të ruajmë dhe mbrojmë interesat tona përmes fjalës së lirë.

 Si koncept,heshtja nuk flet, por dhe si rrjedhojë nuk ka edhe kuptim. Heshtja është një ndrydhje e shpirtit, sepse nga brenda të pëshperit diçka !.Shpesh njerëzit nuk mund të kuptojnë heshtjen tënde, ndodh që edhe nuk e kuptojnë mesazhin e saj. Nganjëherë heshtja e ka filozofinë e vet, por nuk është gjithmonë zgjidhje e duhur, është vetëm tejkalim i problemeve pa zgjidhje !

                     Në fillim, politika shkëlqeu, por më vonë të gjitha premtimet u harruan

 Dikur ishim me ëndërra plot. Shpresuam për një  jetë më të lumtur, për një të ardhme më të mirë, për ne dhe fëmijët tanë. Ndërsa sot me këtë politikë, që e ka katandisur vendin, po shuhet flaka e shpresës. Shikuar nga një anë, ky vend asnjëherë s’ka qenë më i pasur se sot. Me njerëz të rinj, të përgatitur me vlera të larta intelektual e kulturor, të cilët, jo vetëm që janë krahu më i fortë, më vital i kombit, por janë pasuria më e madhe, janë e ardhmja jonë, janë forca e këtij vendi. Mirëpo, në anën tjetër, sot jemi  më të  varfër, ekonomikisht dhe shpirtërisht. Këtë plagë dukshëm po e ngacmon niveli i  lartë i papunësisë, paperspektiva e të rinjtve tanë, të cilëve u janë ndrydhë ndjenjat, iu  është vrarë shpresa, andaj edhe ky vend heshtazi po boshatiset çdo ditë e më shumë. Shumë vendbanime janë zbrazur sa kurrë ndonjëherë, ndërsa të tjerat i pret i njejti fat .

Sot është shumë vështirë për ta gjetur një njeri i cili kurrë në jetën e tij nuk ka hasur në ndjesi të çuditshme dhe të pakëndshme dhe hesht…Andaj, heshtja  është  shndërruar në një lloj sëmundje, në një epidemi të llojit të vet, e cila  na tregon se jemi shoqëri e paperspektivë që jetojmë në një atmosferë të çekuilibruar.

Shkenca ka vërtetuar se sëmundja nuk mund të jetojë në një trup të shëndoshë, me atë që është në gjendje të shëndetshme emocionale. Por, shtrohet pyetja: si të rrish i qetë, kur në heshtje veprojnë mendime të ndryshme. Ato vijnë varg e vijë. Shpesh vërdallë me sillen në mendime gëzimet, fitoret e brishta, dështimet, hidhërimet, mallëngjimet e shumë çka tjetër. Shumëherë pyes vetën: ku humbën ëndërrat, idealet, shpresat, ku shkoi krenaria ?!…  Çka u bë me këtë tranzicion të stërzgjatur, që vendin e ka katandisur ?!

                                            Deri kur duhet të kafshojmë gjuhën ?

Pse tregohemi të shurdhër dhe të verbër ?! Shtiremi sikur nuk dëgjojmë e nuk shohim mirë ! Jo, kjo është filozofia e heshtjës sonë. Ne heshtim për shumëçka. Heshtim për gjërat madhore, për atdheun, për gjuhën, kulturën, zakonet, trditën. Heshtim për simbolet kombëtare, për historinë, për figurat, ngjarjet dhe datat  kombëtare, heshtim për identitetin tonë ! Heshtim për dukuritë dhe fenomente negative, për padrejtësitë politike, për emigrimin e popullsisë, për shkatërrimin e resurseve natyrore. Heshtim për kushtet e jetesës, për standardin e ulët jetësor. Heshtim ndaj  papunësisë, papërspektivës së të rinjve. Heshtim për ata të cilët  me çelësin partiak, pa kurrëfarë  kontributi, vlere e merite kanë kapur majat e hierarkisë. Heshtim për pensionet e ulta, për mospagesen e rregullt mujore, që me muaj të tëra i presim  në heshtje. Heshtim ndaj  taksave dhe borxheve të larta që çdo ditë po na zënë frymën. Heshtim ndaj  shtrënjtimeve të artikujve ushqimore dhe asortimenteve të tjera të përditëshme. Heshtim për ilaçet e shtrënjtë, për lojërat e fëmijëve që me përbuzje i vështrojnë prindërit, ngase s’mund t’i blejë !  Andaj, harruam shumëçka, e heshtim për gjithçka, me një fjalë, po  pajtohemi me të keqen ! Vallë, deri kur do të heshtim ?!!! Deri kur do të kafshojmë gjuhën ?!!! Sa keq…,o Zot !

Heshtja nuk është gjithmonë pajtueshmeri, është më tepër pajtim me të keqen. Heshtja është jo vetëm antivlerë, por qyqarllëk, është servilizëm. Andaj, reagimet dhe  protestat janë dhe do mbesin përgjithmonë vlera të  përgjithshme qytetare me  të cilat tregojmë se nuk jemi indiferent ndaj padrejtësisë, qoftë politike, ekonomike, sociale, ekologjike, kulturore, arsimore etj. Tani, pothuaj të gjithë po heshtim. Po heshtim për çdogjë. Deri kur do të zgjas kjo heshtje, kjo anomali ? . Sa keq…, o Zot ! .

By admini