Shkruan : Esat Mehmeti, gazetar në Radio Ulqin

13 shkuri është Dita Botërore e Radios. Kjo datë, ka vite që shënohet në shumë vende të botës. Me këtë rast, kujtoj fuqinë unike të radios sot, funksionin promovues, qasjen në informim dhe lirinë e shprehjes .

“Radioja ende mbetet medium që arrin audiencë më të gjerë në të gjithë botën, në kohën më të shpejtë të mundur”, thuhet në deklaratën e UNESCO-s.

Përgjithësisht, mendoj se media nuk ka qenë asnjëherë më e rëndësishme sesa tani. Pa dyshim, Radio është një ndër shtyllat kryesore të informimit të një shoqërie. Rroli i saj çdo ditë e më shumë është  faktor më  rëndësi në shoqëri. Radio pasqyron çeshtjet sociale dhe ndikon në formimin e opinionit publik  për imazhin në shoqëri. Radio, sot luan një rol shumë vendimtar në ndërtimin e binarëve të një shoqërie të mirëfilltë. Ajo bartë në vehte një ngarkesë të madhe sociale. Në një shoqëri jo fort të zhvilluar si e jona, radio ka luajtur dhe gjithnjë luan rolin e madh në ndryshimin e mentaliteteve të vjetra sociale.

 Ka ndihmuar të ecë përpara shoqërinë, ka sjellë modele të një jete bashkëkohore etj. Por, nga ana tjetër, mund të themi se sot, shoqëria jonë është ndoshta, më e lodhura në  shkallë Evrope nga politika. Këtu, faji, pa dyshim bie dhe mbi mediat. Këtu, aktorët politikë kanë një rol aktiv dhe instrumentalizimi i tyre  është i përhershëm. Në një shoqëri të politizuar, si kjo, në mesin e të cilës  ne jetojmë, është shumë vështirë të kemi radio me vlera cilësore .

Vështirësitë financiare me të cilat përballen mediat në përgjithësi, janë arsyet kryesore për cilësinë e tyre

            Për të pasur një radio pro interesave të publikut dhe jo pro interesave personale të pushtetarëve, duhet që fillimisht të sigurojë të ardhura financiare, që do t’i bëjë ato të pavarura financiarisht nga sistemi politik. Jemi të vetëdijshëm se radio nuk i bën njerëzit më të mençur, por as më të paditur, por mund t’i orientojë pozitivisht në sjelljet e tyre. Radio sot, luan një rol të rëndësishëm në ndryshimin dhe përmirësimin e opinionit shoqëror në lidhje me imazhin e një individi, grupi, apo të shoqërisë në përgjithësi. Në këtë mënyrë, me një përkujdesje më të madhe, radio mund të arrijnë të ndryshojë sjelljet, qëndrimet, normat dhe vlerat, që përcaktojnë dhe ndikojnë në shoqërinë tonë. Vetëm kështu, në rolin e tyre unik, radio mund të përcjellë zhvillimet, ndryshimet dhe fenomenet më të reja në shoqëri, qoftë ato pozitive apo negative.

        Qëllimi parësor i radios  sot, është Informim i mirë, i shpejtë dhe objektiv. Me informim të mirë, kuptojmë informimin e qytetarëve në mënyrë të saktë, të drejtë, objektiv dhe të paanshëm.Të jesh mirë i informuar do të thotë, të qëndrosh syhapur e vigjilent ndaj të gjitha ngjarjeve dhe zhvillimeve të rëndësishme rreth teje. Një radio që arrin të informojë mirë publikun e saj, gjithashtu, arrin të krijojë një shoqëri të përgatitur për të analizuar çdo veprim të zhvillimit në shoqëri. Gazetari i mirë, është sikur mjeku i mirë për pacientin, që kur e kontrollon, ia gjenë sëmundjen dhe ia mjekon trupin. Andaj, edhe gazetari duhet të ketë një vizion të qartë, të përgjegjshëm dhe objektiv ndaj dukurive në përgjithësi.

Por, në këtë hapësirë, ende ekziston nevoja për shumëllojshmërinë e temave që trajtohen në programet e radiove. Ka ende nevojë të bëhet më shumë për cilësinë e përfaqësimit të çështjeve, ngjarjeve ,dukurive dhe individëve. Ka nevojë për një reflektim të problemeve të barazisë gjinore. Ka nevojë për pasqyrimin e sukseseve, sado të vogla të jenë, por që mund të nxisin nisma dhe përpjekje që mund të krijojë mbështetje nga mbarë shoqëria. Radio sot, me një vizion modern dhe me një punë të palodhur, mund të bëjë edhe gjëra të mëdh. Andaj, është parimore që radio sot të punojë në çrrënjosjen e steriotipeve, të shmangin fjalorin diskriminues dhe të afirmojë gjuhën e tolerancës. Është përgjegjësi e radios të inkurajojë dialogun dhe debatin, të avancojë krijimtarinë e shtresave  dhe gjinive të ndryshme, të riafirmojë njohuritë e të rinjëve, si dhe të shoqërisë në përgjithësi.

            Sot, shumë stacione radiofonike me mangësi teknike dhe profesionale  nuk arrijnë  të tërheqin vemendjen  e duhur të publikut

            Shtrohet pyetja : a është përmbajtja e  radios në përgjithësi e kënaqëshme  për gjithë shoqërinë ?  Besoj se Jo. Mendoj se duhet angazhim  edhe më i madh. Andaj, radio ka në dorë të luaj rolin historik. Përballë kësaj situate që reflektohet sot në radio, shoqëria jonë duhet të reflektojë të njëjtat karakteristika që pasqyrohen nga radiot e vendeve me zhvillim demokratik . Thënë shkurt, një vend pa gazetari të fortë dhe realiste, nuk mundet me qenë  vend me zhvillim të lartë demokratik. Kjo më së miri është dëshmuar në disa vende të Europës, ku  gazetaria dhe fjala e lirë zënë vend kyç në shoqëri .

Mediat sot nuk janë vetëm ato tradicionale, si gazeta, radio dhe televizioni, por është shtuar numri i medieve që transmetohen përmes internetit apo mediave “online”. Viteve të fundit, falë zhvillimit teknologjik, sot kemi mundësi të shohim një shpërthim të medieve sociale. E vërtetë është se Interneti, teknologjia informative e ka transformuar radion,  e ka lënë  pak nën hije. Por, kjo shumëllojshmëri, është pjesë e rëndësishme  dhe mendoj se sjell pasuri kulturore, shoqërore e historike. Qëllimi i këtij rrjeti të ri mediatik është shkëmbimi i eksperiencave profesionale. Mbledhja e informacioneve dhe shpërndarja  e tyre me shpejtësi  kudo në media,ofron  mundësinë e komunikimit  më të shpejtë e më objektiv. Ndërtimi i urave të reja të komunikimit, është shpresa për të ardhmen. Kështu jemi më afër njëri-tjetrit, jemi më afër ngjarjeve dhe zhvillimeve në përgjithsi. Mediat në përgjithësi që përkrahin  zhvillimin  demokraitik të një vendi, dukshëm ndikojnë që ai vend, gjithnë e më shumë të bëhet pro-demokratik .

Kontributi i secilit është sipas vlerës së vendit që ka. Radio Ulqini është  një medium, pak specifik, medium ku emiton programin  në dy gjuhë ( gj. shqipe dhe gj.serb-malazeze).Radio Ulqini, relativisht me një përvojë  32 vjeçare, pa dashur të thellohemi në strukturën  dhe problematiken fiunaciare që po përballet sot  ky medium, megjithatë , është bartëse e një tradite  të fortë  shoqërore, që me programet e saj, gjatë luftës në Kosovë, ishte urë lidhëse mes fatit të  shqiptarëve. Radio Ulqini  nga themelimi e kendej ka qenë dhe është urë-lidhëse mes radiove si në rrafshin kombëtar, ashtu dhe atë ndërkombëtar, dhe kjo u arrit falë zhvillimit teknologjik .Radio Ulqini, është një dritare  që na lidhë me botën .

 Duhet theksuar se mediat në  gjuhën shqipe, në Malin e Zi, kanë një përparim pozitiv, por është i pamjaftueshëm. Mali i Zi është mjedis multikulturor, por nuk ka modelin e vet të zhvillimit kulturor sa duhet si në vende të tjera demokratike  dhe multikulturore.

Me zhvillimin kulturor, me zhvillimin dhe demokratizimin e mediave,  vetëm në këtë mënyrë do të kemi pluralizëm kulturor dhe demokratizimin e vendit në praktikë .

By admini