Argëzon SULEJMANI
- Java që shkoi në Kosovë, ndër të tjera, u shënua dhe nga filmimi i rënkimit të një personi të moshës së tretë korridoreve të Qendrës Klinike Universitare, përkatësisht Qendrës Emergjente. Lajmi që u përhap me shpejtësi virusale ishte se, i moshuari për orë të tëra kishte lënguar pritoreve të qendrës urgjente pa arritur të marrë as përkujdesjen minimale mjekësore. Një person në mezomoshë kishte filmuar dhe përshkruar gjithçka sipas këndvështrimit të tij, që me pak fjalë mund të thuhej: plaku ishte dënuar të vuajë korridoreve spitalore, para hundës së personelit mjekësor të lig.
Kaq mjaftoi dhe rrjetet e portalet (anti) sociale nisën të bluajnë rëndë e trashë. Ishte natë, pastaj mesnatë, shtoi kësaj dimrin e ngricat dhe sheh se si kompletohet në tërësi një ambient përrallorë thashethemesh që përmbushë shpirtërat (lexo: mendjet) e ngushtë, aty ku pak më tutje vlon pa prá gjygymi i çajit si lebetitjet e vrerosura në drejtim të mjekëve e personelit mjekësor.
Mallkohen, çnderohen e kërcënohen fund e krye dhe prapë nisin nga e para me fyerje sa folkloriste aq anakronike. Iu lakohen nënat, bashkëshortët, iu nëmen fëmijët, iu përulet karakteri një herë, dy herë, pa mbarim herë… Ndonjëri që provon të thotë se, mbase duhet pritur të zbardhë drita që të dalë në shesh e vërteta, pa e mbaruar të thënën i sulen mallkimet, fyerjet e kërcënimet me pretekstin që dhe ai është i lig si ata, domethënë si mjekët.
Nënat dhe fëmijët e rojtarëve të jetëve tona lakohen rrugaçërisht, si të mos mjaftonte ndjenja e mysafirësisë që ata e ndjejnë në shtëpitë e tyre, shkaku i orëve të panumërueshme në shërbim. Por, edhe pas shërbimit e kudo që të ndodhet, para mjekut gjithnjë ulet këmbëkryq sëmundja, gjë që nuk ndodhë në asnjë profesion tjetër. Thashethemet janë si serialet, që mund edhe të mos jenë turke, ku shikuesi do të donte që të mos mbaronin kurrë, anipse fundin e di nga fillimi. Por, ja që, me ose pa dëshirën tonë, sërish zbardhë drita, mbyllet një seri dhe e vërteta del në shesh. Në rastin në fjalë, e vërteta mësohet të jetë krejtë ndryshe nga se u fol e u shkrua me orë e frymë të tëra. I moshuari kishte marrur në kohë shërbimin mjekësor, biles bëhej fjalë për vizitë të detajizuar mjekësore, ku përfshihet vizita, diagnostika, konsulencat e trajtimi. E gjithë ajo re barcore e zezë e një nate më parë, e mbushur me të nëma e sharje, kishte dalur e shterpë para rrezes së diellit. Të gjitha moduset e ndërtuara të thashethemeve, të gjitha gjetjet më banale të përçmimemeve e kërcënimeve kishin shkuar huq, ose më saktë i ngjanin pështymës ose urinës së gjuajtur përpjetë. Mjekët dhe personeli mjekësor, në fund, ishin të vetmit që mbetën të pastërt nga loja me lloçin që kishte nisur dimërorçe një natë më parë. Kërkimfalja tek fjala s’ka kuptim. Sepse, fjala është më e rëndë se shpata, domethënë më e rëndë se bomba atomike, përshtatur në ditët e sotme. - Contrecoup është nocion francez që në shqipërim të parë mund të përkthehet si kundërgoditje. Përdoret për të shpjeguar dëmtimet mekanike në mjekësi, ku pjesa e dëmtuar është e ndryshme, tëhu, pjesës së goditur. Më shpesh vihet re tek goditjet e pjesës së përparme të kokës, kryesisht ballit e, që për pasojë kanë dëmtimet, kryesisht hemoragjike, të pjesës së pasme mbizverkore të kokës. Haset më së tepërmi tek dëmtimet në komunikacion, por edhe tek sportet luftarake si boks e karate. Pa hyrë në procesin detal patognomatik të fenomenit, qëllimi i përmendjes së këtij nocioni, ka të bëjë me rastin e lartëpërshkruar, ku tjetërkush goditet e tjetëkush realisht është pësuesi. Veçse, nga rasti i thashethemnajës me të moshuarin e shumë të tjera si këto, vështirë të gjendet balli. Balli që simbolizon krenarinë. Krenarinë e përhumbur dhe përligjur që nuk ka të bëjë veç me vjedhje e kriminalitet, por edhe me mashtrim, shpifje e dyfytyrësi. Krenarinë e shkelmuar jo veç në jetë publike e politikë, por akoma më keq, në shoqëri, shkollë e familje.
- Tregimi i kompletuar tregoi që bëhej fjalë për një të moshuar vetmitar nga Mitrovica që jetonte në varfëri. I moshuari, në orët e natës, kishte kërkuar dhe marrë ndihmë mjekësore në Qendrën Emergjente të Prishtinës. Pas vizitës, në mungesë familjari (thekso: familjari) dhe mundësie për transport, ishte vërtitur me orë të tëra nëpër ulëset e pritores së emergjencës. Nje person, që nga ngjyra e zërit del të jetë mashkull i moshës së mesme, ka vërenë e më pas ka filmuar përpëlitjet e plakut që, më shumë se nga dhembjet e sëmundja, duket të jenë nga lodhja, uria e etja. Filmuesi nuk ka gjetur kohë ta pyesë personazhin në fjalë për brengën, por ka ndezur kamerën dhe filmimin e ka shoqëruar edhe me komentet e tij banale.
Qëllimi i goditjes ishte manteli i bardhë, mjeku, i cili thuhet që duhet të jetë i mëveshur deri në ngulfatje me humanitet. Mbase, kjo logjikë e arsyeton bankierin, i cili s’ka pse të jetë human, ai duhet të jetë një derr i pangopshëm që ha pa prá, që na e shkurton e cungon ymrin, përkitazi natyrës së mëveshur të tij. Contrecoup ose kundërgoditja u mor, përkitazi shpjegimit të mësipërm, matanë shënjeshtrës. Mjeku e banakieri, jo domosdoshmërisht duhet të jenë humanë e derra, por njeriu duhet të jetë pikësëpari njeri e derri pikësëpari derrkuc. Në mjekun e në gjithsecilin prej nesh duhet të jetojë pikësëpari njeriu, human’ja siç parapëlqejmë të themi. Në rastin e përshkruar, do të ishte e metë e riparueshme mungesa e humanes në mjekun përkatës. Do të ishte goditje, goditje jo e lehtë, por vetëm kaq. Ndërkohë që kundërgoditja tregon më të keqen, më të shëmtuarën, më të ligën; mungesën e humanes në shoqëri e familje. I moshuari në fjalë është lënë vetmitar, jeton rëndë e keq. Në momentin kur nuk ka mundësi për t’u kthyer në shtëpi, personat që e rrethojnë nuk i dalin në ndihmë, për më keq, njëri nga ata e filmon dhe e denigron për motive të ulëta. Një shoqëri e tërë merr të bëjë gjyqin, duke u thirrur në paragjykimet e mendjeve të veta të ngushta e të papërdorura. Në fund, kur mjekët del të jenë korrekt (lexo: human), mësohet e vërteta më e dhimbshme e kësaj kohe që, shoqëria dhe familja jonë ka humbur toruan dhe thelbin, ka humbur njerëzoren (lexo: humanen). Kësaj, nuk ka Ferid Murat t’i gjejë pilulë. Quae nocent, saepe docent! Gjithë këtë, uroj ta filmojnë në mendjet e tyre fëmijët tanë që po rriten, në mënyrë që të marrin mësimin e duhur. Sado pak njerëzi e maturi të kenë, nuk e besoj se do ia tregojnë kujt këtë marre të madhe që na ka mbuluar ballë e fytyrë. (Koha Javore, nr. 848)