Nga Zyhni Beqiraj

Shoqata Kulturore “ULQINI”-Durrës, iu rikthye veprimtarive të nderimit të anëtarëve të saj, për kontributet e dhëna gjatë viteve. Sipas propozimeve të bëra nga ana e saj, Bashkia Durrës, nderoi me titullin “Mirënjohja e Qytetit” , mjeken pediatre zonjën Ganimet Peku Pronjari, mësuesit, zotërijtë Reshat Bilali, Syrri Fani dhe Gëzim Bimi, si dhe biznesmenin zotin Rexhep Keçi (pas vdekjes). Veprimtaria u zhvillua në Odeonin “Nikolin Xhoja” të Pallatit të Kulturës “Aleksandër Moisiu”, ku nuk mungonte jo vetëm pjesmarrja e anëtarëve të Shoqatës, pjestarëve ë familjeve, por edhe nipërit dhe mbesat e të nderuarve, të cilët ia shtuan bukurinë veprimtarisë, jo vetëm me praninë e tyre, por edhe me buqetat me lule që dhuruan për gjyshen dhe gjyshërit e tyre. Në veprimatrinë e organizuar merrnin pjesë edhe z. Lavdosh Beqiraj, Drejtor i Kabinetit Kryetarit Bashkisë z. Dako, si dhe Adrian Gurra, Drejtor i Drejtorisë Arsimit dhe Kulturës pranë Bashkisë Durrës. Sipas traditës, pjesëmarrësit në në këtë veprimtari u mblodhën nën tingujt e këngëve kushtuar Ulqinit, “Mall për Ulqinin”, “Kanga e Ulqinit”, etj, duke krijuar një atmosferë të bukur festive. Ulqinakja Aishe Stari, Mjeshtre  e Madhe, njëherësh edhe anëtare e Kryesisë së Shoqatës, e hapi veprimtarinë me një fjalë përshendetëse për të pranishmit, si edhe falenderimi për zonjën Ganimet Peku Pronjari, zotërijtë Reshat Bilali, Syrri Fani, Gëzim Bimi dhe Rexhep Keçi, për punën dhe kontributet e tyre në sektorët ku kanë punuar, duke qenë shemdull profesionalizmi, ndershmërie e përkushtimi, si dhe për vlerat e spikatura morale e qytetare në familje e komunitet. Gjatë tërë kohës që zhvillohej veprimtaria, me video-projektor shfaqeshin pamje të ndryshme nga Ulqini.

Veprimtaria rrodhi natyrshëm nën një atmosferë të bukur, ku të gjithë anëtarët e Kryesisë, Ermira Peku, Bela Kalamishi, Fuat Bilali, Isuf Fani etj, folën për jetët e të nderuarve. Pati edhe ndonjë diskutim a fjalë përshëndetëse edhe nga salla. U promovuan vlerat, kontributet dhe rezultatet në punë si mësues për Reshat Bilalin, Syri Fanin dhe Gëzim Bimin. Por sejcili kishte veçoritë e tij. Veç të tjerave për Reshat Bilalin u fol edhe për kontributet e tij në proçeset demokratike edhe si këshilltar i zgjedhur i PD në Këshillin e Rrethit, si dhe punën dhe rezultatet në administratën dhe ndërmarrjet e Bashkisë Durrës. Zotit Syri Fani për angazhimet dhe kontributet si sportist, si administrator dhe punonjës specialist për arsimin në Bashkinë e Durrësit. Interesante dhe mbresëlenëse ishin vlerësimet për kontributet e zotit Gëzim Bimi si sportist dhe kampion kombëtar në sportin e gjimnastikës, si edhe si trajner i ekipit kombëtar po në këtë sport, duke evukuar rezultatet e arritura. Ndërsa zonja Ganimet Peku Pronjari, mori gjithë vlerësimet për punën e saj si mjeke pediatre, kontributin e saj për krijimin dhe konsolidimin e shërbimit të urgjencës në këtë repart, për profesionalizmin, përkushtimin, sakrificat e panumurta pothuaj gjithmonë 24 orë në shërbim të shendetit të fëmijve. Zoti Rexhep Keçi, biznesmen, një figurë e njohur dhe mjaft popullore në Durrës, u vlerësua për shërbimin plot pasion e ciësor ndaj qytetarëve durrsakë dhe jo vetëm, por edhe pë vlerat e virtytet edhe si dhëndër ulqiank i familjes Fazlli Rrashketa.

Çertifikatat “Mirënjohja e Qytetit” u dorëzuan nga zotrijtë Lavdosh Beqiraj dhe Adrian Gurra, të cilët folën me respekt jo vetëm për të gjithë ata që u nderuan, por edhe për punën dhe kontributet e ulqinakëve në përgjithësi në qytetin e Durrësit, si dhe për punën e Shoqatës Kulturore “ULQINI”-Durrës. Gjithashtu fjalë të ngrohta e të sinqerta falenderimi shprehen edhe ata që u nderuan me titullin “Mirënjohja e Qytetit”.

Në mbyllje të veprimtarisë, si Kryetar i Shoqatës, shpreha falenderimet e rastit për Bashkinë e Durrësit, Kryetarin e saj Z. Vangjush Dako, për vlerësimin dhe nderimin e pandërprerë që u kanë bërë dhe vazhdojnë që t’u bëjnë, punës dhe kontributeve të ulqinakëve me banim në Durrës. Njëherësh, pasi u premtua se ulqinakët si gjithmonë do të jenë edhe një komunitet kompakt vlerash e virtytesh në Durrës, me përcaktimin e drejtimeve të punës veprimtaritë e ardhshme, siç ishte vizita në Ulqin me rastin e Festës së Ulqinit, pjesmarrësit u shpërndanë për të festuar thjeshtë dhe si gjithmonë me njëri-tjetrin, grupe-grupe dhe sipas lidhjeve familjare e fisnore dhe atyre shoqërore.

Shumë shpejt Kryesia e Shoqatës iu përgjigj ftesës së Komunës së Ulqinit për të festuar bashkë me popullin e Ulqinit në festën e tytre tradicionale. Me ne si gjithmonë erdhën edhe qytetarë durrsakë, e këtë rradhë ishin Ejup Maliqati me bashkëshorten e tij Shyreten, Agim Shehu, Rexhep Gojani e ndonjë tjetër. Si dhe herë të tjera nuk mungoi pritja e ngrohtë e përsonaliteteve nga Ulqini, e ndërmjet tyre edhe e Kryetarit Komunës z. Nazif Cungu. Ishte kënaqësi të ndiqje Seancën Solemne të Kuvendit të Komunës, përshëndetjet e titullarëve të saj, z. Loro Ndrekiq, Kryetar i Kuvendit Komunal, z. Nazif Cungu, Kryetar i Komunës Ulqinit, përshëndetjet dhe urimet e panumurta dhe të rastit nga, drejtuasit më lartë të shtetit të Malit Zi, përfaqësitë diplomatike të akredituara atje, nga Shqipëria dhe Kosova, nga Komunat si motra me Komunën e Ulqinit, nga shoqata etj. Program i pasur artistik,  si dhe dreka e shtruar enkas për ne në një nga lokalet e qytetit, përmbyllën atmosferën festive edhe nëpërmjet fotove të shumta të realizuara edhe me Z. Nazif Cungu. Një shetitje nëpër qytet për të parë dhe shijuar bukuritë e Ulqinit, këtij qytetit të lashtë 2500-vjeçar me plot histori e tradita që nga ajo e detarisë, turizmit, ullishtarisë etj, që padrejtësisht asnjëherë në historinë e tij nuk ka qenë i bashkuar me shtetin amë, Shqipërinë, do të përmbyllte veprimtarinë dhe vizitën në Ulqin dhe më pas, kthimi në Durrës.

Por nuk do të mbaronte këtu. Kryesia e Shoqatës do t’i përgjigjej pozitivisht kërkesës së Bashkisë së Durrësit, për të bërë propozimet përkatëse për disa emra apo figura të nderuara ulqinakësh, që emrat e tyre tua vendosë disa prej rrugëve të qytetit. Kryesia e Shoqatës duke vlerësuar maksimalisht kërkesën, që përmban nderimin pa kufi për emrat që do të propozonte e që të ishin plotësisht të justifikuara e të pakontestuara, punoi me një seriozitet të madh në përzgjedhjen e emrave. Tashmë vendimi është marrë. Disa nga rrugët e qytetit tonë do të mbajnë emrat e disa prej figurave dhe përsonaliteteve me origjinë nga Ulqini. Emrat e tyre do të përfaqësojnë dhe tregojnë adresat e banimit të qytetarëve durrsakë, duke i bërë nder me emrin e tyre të lartuar nga puna plot përkushtim, devocion e sakrifica për qytetin e Durrësit, duke ia shpërblyer me nder mikpritjen në ato ditë të vështira që historia dhe politika e mbrapshtë e kohës rezervoi për ta. Nga sot do te kemi; RRUGA : “Kap. Ahmet Kapidani”, “Hysen Fani”; “Kap. Ahmet Luli”; “Xhevdet Laze”; “Vëllezërit (Hajdar, Faik, Malush) Bilali; “Ing Gani Gorana”; “Dr. Enver Kotorri”; “Ing Hysni Peku”; “Detarët Ulqinakë” dhe ajo “Mustafa Beqiri”, kjo e fundit sipas propozimit të Klubit të Shkrimtarëve të qytetit, të cilin e falenderojmë. Por RRUGA “Detarët Ulqinakë” përmban një numër të madh emrash dhe kontributesh në dekada. Aty përmbahen emrat e e shumë detareve nga Fiset: Aga, Banushi, Brasha, Burri, Fici, Kalamishi, Kapidani (Rana), Krymi, Luli, Molla, Peku, Pelingu, Stari, Shapalaku, Truma, Veliaj, Zenelaga etj, që po të vazhdoja nuk do arrija dot se numri  i fiseve shkon në mbi 70, ndërsa numri i detarëve shkon në mbi 170, për të cilët unë kam shkruar në librin tim, “Malli për Ulqinin në këngë”. Ky nderim, që patjetër nuk është i fundit, i bën nder edhe qytetit të Ulqinit, qytetit të bukur e të lashtë të origjinës, për të cilin ulqinakët e Durrësit kanë aq mall.

By admini