ShkruanXheladin Zeneli

Siç dihet, Tuzi ( Malësia) ka gëzuar statusin e vet të komunës së plotë deri në vitin 1957, atëherë kur në mënyrë arbitrare iu muar ky status nga pushteti i atëhershëm monist malazezo-jugosllav. Me vendosjen e pluralizmit politik në vitin 1990 aktualizohet çështja e komunës së Tuzit ( Malësisë), ku subjekti i parë politik shqiptar ( LDMZ),më vonë edhe subjektet e tjera shqiptare ( ku disa prej tyre devijuan nga kërkesa për komunë të plotë dhe të pavarur), si dhe organizata joqeveritare në Malësi, shtruan këkesën, përpiluan eloborate dhe u angazhuan për çështjen e komunës se Tuzit (Malësisë).Kurse diaspora shqiptare në SHBA, në forma të ndyshme ka qenë e angazhuar vite me radhë në aspektin e ndërgjegjësimit dhe lobizmit të kësaj kërkese legjitime të banorëve të Malësisë.

Gjithashtu, me vite të tëra çështja e Komunës së Tuzit ( Malësisë) u bë objekt i marrëveshjeve në mes subjekteve ( koalicioneve) shqiptare dhe qeverisë; me vite të tëra çështja e komunës së Tuzit u bë “mollë sheri” në mes subjekteve politike shqiptare ; me vite të tëra partia e pushtetit qendror e shfrytëzoi me mjeshtri mosunitetin dhe mospajtimet partive shqiptare si preteks për zvarritjen afër tre dekadave e së drejtës themelore të vetëqeverisjes lokale të qytetarëve të Malësisë.

Një ndër zhgënjimet e para lidhur me realizimin e komunës së barabartë të Tuzit ( Malësisë) me komunat e tjera në Mal të Zi, do të vij në vitin 1997,me ç’rast u arrit një marrëveshje në mes të faktorit të atëhershëm politik shqiptar dhe qeverisë së Malit të Zi (“Marrëveshja mbi parimet minimale për zhvillimin e infrastrukturës demokratike në Mal të Zi”), me përbërje prej pesë pikash ku pika e parë e saj bënte fjalë për organizimin teritorial të Malit të Zi në kuptimin e themelimit të komunave të reja dhe “decentralizimin e pushtetit”, ku aludohej për komunën e Tuzit . Mirpo asgjë nuk u arrit në këtë pikëpamje nga ajo marrëveshje. Në ndërkohë disa vendbanime me popullsi sllave themeluan komunat e veta të plota kurse Tuzit në vitin 2006 i jepet statusi i ashtuquajtur “komunë urbane”, çka do të thotë entitet me të drejta dhe ingjerenca të cunguara dhe e kontrolluar nga Podgorica. Pas zhgënjimit të vitit 1997 do të pasojnë zhgënjimet apo mospërmbushja e premtimeve të tjera dhe zvarritjet e radhës nga ana e pushtetit qendror dhe partisë në pushtet ( PDS-së) ndaj banorëve të Malësisë si ai i vitit 2001, 2006, 2009 dhe 2014.

Më në fund, me 27 Prill 2017 Kuvendi i Malit të Zi me 42 vota ( nga gjithësejt 81), aprovoi Ligjin për organizimin territorial i cili parashihte realizimin e statusit të komunës së plotë për Tuzin .

Ky ligj hyri në fuqi me 1 Shtator 2018.Pra,realizimi i komunës së plotë të Tuzit (Malësisë) muar 27 vite të pluralizmit politik !?. Nëse kërkesat apo të drejtat e shqiptarëve realizohen me ketë ritëm kohor , atëherë paramendoni se sa kohë do të marrin realizimi i të drejtave të tjera të shqiptarëve në Mal të Zi, të cilat janë po aq të rëndësishme dhe jetike për ruajtjen e identitetit të tyre kombëtar!?.

Mirpo, përse u bë zvarritja kaq e gjatë e jetësimit të komunës ?

Kjo u bë për disa arsy,por sipas mendimit tim, tre janë më kryesoret:

1. Qeveria e Malit të Zi dhe partia që mban pushtetin që nga viti 1990, pra PDS-a me qëllim dhe në mënyrë perfide e ka zvarritur realizimin e komunës së plotë të Tuzit për shkak të faktorit demografik. Në vitin 1991 Malësia e Tuzit kishte rreth 93% banorë me përkatësi kombëtare shqiptare, kurse në vitin 2011 ( sipas regjistrimeve zyrtare) kishte rreth 68% . Ka mundësi reale që gjatë 7 viteve të fundit, përqindja e shqiptarëve ka pësuar edhe një rënie tjetër të mëtejshme dhe që tani, falë politikës së vazhdueshme çkombëtarizuese dhe kolonizuese të pushtetit qendror ndaj kësaj treve,ka mundësi që shqiptarët mos të jenë më shumicë absolute në Malësi (!?).Pra, pushteti ka pasur për qëlllim që mos t’i jap komunë një treve me shumicë absolute shqiptare por një treve e cila gradualisht do të kthehet në një trevë me popullsi “multietnike” ku shqiptarët nuk do të dominojnë në aspektin demografik dhe zvarritja i shërbeu atij pushteti për të blerë kohë për realizimin e qëllimit të tyre;

2. Ka qenë gjithëmonë strategjia i pushtetet malazez( partisë udhëheqëse të saj, PDS-së) që t’a shfrytëzoj apo t’a “mjelë” në maksimum kërkesën e shumicës shqiptare të Malësisë për interesat e veta politike. Gjithënjë duke e arsyetuar këte me preteksin se kinëse me shkëputjen eventuale të Tuzit si komunë në vehte mund të ndikojë në ate që udhëheqja politike e Podgoricës të “kalojë në duart e opozitës serbe!?

3. Për 27 vite me radhë të kohës së pluralizmit politik në Mal të Zi , kërkesa për realizimin apo rikthimin e komunës së Tuzit ka qenë në fokusin kryesor të subjekteve politike, OJQ-ve dhe strukturave të tjera shoqërore në hapësirën shqiptare në Mal të Zi dhe ka konsumuar shumë kohë dhe energji, madje dhe polarizime të shumta të faktorit politik dhe apolitik shqiptar në Mal të Zi,me theks të veçantë në Malësi, çka ka ndikuar në largimin e vëmendjes ndaj kërkesave të tjera jetike të shqiptarëve në këtë republikë.Gjithashtu , si pjesë strategjisë ogurzeze të partisë në pushtet ishte edhe dhënia fillimisht e statusit të Komunës urbaane e më vonë në formën e një statusi tjetër,ate të Komunës në kuadër të kryeqytetit çka ndikoj në përçarjet e mëtejshme të faktorit politik shqiptar në Malësi, duke e ndarë ate në dy pjesë: pjesa e cila pajtohej me statuset gjysmake të lartëpërmendura dhe një pjesë tjetër e cila insistonte vetëm në statusin e Komunës së plotë dhe të barabartë me komunat e tjera në Mal të Zi. Pra e gjithë kjo ishte pjesë e një skenari dhe loje të paramenduar e cila dirigjohej nga Podgorica për interesat e PDS-ë, ku në grancën e tyre fatkqësisht rënë edhe disa subjekte politike shqiptare në Malësi.

Duke pasur parasysh ate çfarë u tha më lartë është i kuptueshëm rezervimi dhe skepticizmi i një pjese të banorëve shqiptarë të Malësisë lidhur me statusin e ri të komunës së tyre.Pra,edhe pas 1 shtatorit 2018, dilemat e dyshimet egzistojnë si dhe pyetjet që kërkojnë përgjegje:
-A do të jetë Komuna e ardhshme e Tuzit ( Malësisë) një komunë jo vetëm de jure por edhe de fakto, pra një vetëqeverisje lokale dhe decentralizim i pushtetit në kuptimin e mirëfilltë të fjalës apo do të vazhdohet gjithënjë me diktim dhe dirigjim nga Podgorica?;
-Cili do të jetë kufiri i territorit të Komunës së Tuzit dhe a do të përfshihen gjithë vendbanimet me shumicë apo me një pjesë të konsiderueshme të popullsisë shqiptare në at territor ? dhe
-A do të ushtroi Komuna e Tuzit ( Malësisë) kompetenca të plota mbi sipërfaqen e territorit të vet administrativ duke marrur vendime të pavarura lidhur me menxhimin e resurseve të veta natyrore ?.
Përgjgjën në këto pyetje si dhe ate se çfarë do të sjell statusi i ri i komunës për të ardhmen e popullsisë shqiptare të Malësisë, më së miri do ta jap koha.
3 shtator 2018

By admini