(…) liria është një m.. i madh dhe s’e vlen as jetën ta japësh për të (…) – B. Çapriqi
Shkruan Argëzon Sulejmani
Me logjikën, njohurinë, qëllimin me të cilën i bëhet kritikë, analizë, stuçdim vargut të P. Vasës “feja e shqiptarit është shqiptaria”, pyes veten se në çfarë mënyre do të duhej ta kryqëzonin çlirimtarët e idealistët poetin Çapriqi për vargun e lartëshënuar.
Mendoj që, të gjitha shkencat dhe lëmitë bashkëveprojnë me njëra-tjetrën. Ne, thjeshtë duhet të ndjekim valsin e tyre. Jo t’i cementojmë e fiksojmë ato. Islami, por dhe tjerat fe, kanë shumë poetikë në vetvete dhe kjo është për t’u vlerësuar. Tutje, ata nuk përbëjnë ndonjë gjetje apo kulminacion letrar a poetik e, kësisoj mund edhe të bien ndesh me frymën apo stilet letrare, por kjo nuk duhet t’i përjashtojë apriori nga kërkimet studimore të studiuesëve të rinj letrarë por dhe të shkencave të tjera.
Njëjtë dhe poezia a letërsia mund të përmbajë ‘diç fetare’, por që kjo jo domosdo duhet ta bëjë të shenjtë atë copë rrëfimi a vjershe.
Nuk ka poezi të shenjta e as fe elizabetiane! Besoj pajtohemi.
Po, ç’ne që i jemi rrekur me kaq zemëratë atij vargu të P. Vasës?
Sikur të ishte ajo vjershë ndonjë formulë e diktuar bekimi a licencimi. Ajo është veç një vjershë. Vjershë që i bën nder secilës mendje të ndritur, që, vlerëson gjithçka që shtjellon, pra dhe fenë.
E përsëris, nuk ka vjersha të shenjta, apo!? Edhe sikur të thuhej “feja e shqiptarit është myslimania” prapë s’do fitonte atribute hyjnore e njëjta, apo!? As kështu nuk do hynte në lutjet e ndonjë vakti, apo!? Atëhere, pse!? Pse gjithky tellall!?
Tutje, nocioni “fe” është nga kryesensi letrar. Nga folja “rrëfe”. Unë jam rritur në ambient ku shpesh është përdorur togu: “be e rr’fé”; rr’fe – nga rrëfe, rrëfim. Rrëfimi, trilli, mbi gjithçka është letrar. Dhe Vasa, po të lodhemi ta studiojmë sado pak, thotë: – (rrë)feja e shqiptarit është shqiptaria. – rrëfimi i shqiptarit është shqiptaria. Rrëfimi besonjës, jo besimi rrëfyes. Pra, ky është rrëfimi që ai ia beson dëshirën dhe intelektin e, jo besimi fetar që po na rrëfen të jetë i (pa)duhuri. Është më thellë dhe më gjërë se ku po notojmë ne autori.
Të lexojmë, të studiojmë, njerëzi! Mos ta nëpërkëmbim letërsinë, por dhe besimin fetar me barcaleta e thaethashe çarshie, për të mos thënë kafeneshë. Ngutja e zemërata veç urti/dituri nuk përçojnë. Ju uroj: Ińim (i ngimë, i ngirë, i ngopur) të lehtë! Qëllimi i këtij muaji është pikërisht qartësimi i “ngimjes/ngopjes fizike” dhe madhështia e të ushqyerit shpirtëror/intelektual.
Tjetër, po nga perlat e trashëguara të të parëve tanë. Nëse do pyesni sot një bashkëvendas timin për gjendjen e tij, ndër të tjera do iu tregojë, se: “jam/është in’u’shëm” (dmth, i ngueshëm, i bindur, i dëgjueshëm). Ky është një tjetër qëllim i këtij muaji të shenjtë: të bindurit, të dëgjuarit, të mësuarit.
E shihni sa bukur bashkëjetojnë lëmitë dhe kohët. Mos t’i trazojmë, t’i studiojmë.
Po, rrëfimi im është shqiptaria. E, rrëfimi është si lumi. Rrjedhë. S’lahesh dot dy herë në të njëjtin lum.