kosova-e-mali-i-zi-bashkepunim-per-ndricimin-e-personave-te-yhdukur-kosova-mali-ziRepublika e Kosovës dhe Republika e Malit të Zi kanë rënë dakord për intensifikim të bashkëpunimit në procesin e ndriçimit të fatit të personave të zhdukur.

Një delegacion i Republikës së Kosovës i kryesuar nga Kryetari i Komisionit Qeveritar për Persona të Zhdukur, Prenk Gjetaj, po qëndron për vizitë zyrtare në Republikën e Malit të Zi me ftesë të kryetarit të Komisionit Qeveritar për Persona të Zhdukur të Malit të Zi, Dragan Dukanovic.

Gjetaj, prezantoi të arriturat e deritanishme dhe aktivitetet e planifikuara, përfshirë edhe angazhimin në nismat rajonale, me qëllim të ndriçimit të fatit edhe të 1653 personave, që vazhdojnë të jenë të evidentuar si persona të zhdukur, gjatë luftës së fundit në Kosovë, raporton Telegrafi.

Kryetari i Komisionit malazez për Persona të Zhdukur, Dragan Dukanovic, shprehu gatishmërinë për përkrahjen e Kosovës dhe intensifikim të bashkëpunimit në këtë proces si dhe koordinim në nismat rajonale, me qëllim që familjet dhe familjarët e personave të zhdukur, të kenë sa më parë përgjigje për fatin dhe vendndodhjen e familjarëve të tyre të zhdukur.

Kryetarët e Komisioneve shtetërore të mandatuara për ndriçimin e fatit të personave të zhdukur, u dakorduan që të fillojnë procedurat për hartimin dhe nënshkrimin e një Protokolli Bashkëpunimi, me qëllim të intensifikimit të bashkëpunimit në mes të dy shteteve, në kuadër të procesit të ndriçimit të fatit të personave të zhdukur, si pasojë e luftërave në territorin e ish-Jugosllavisë.

Po ashtu, përmes këtij protokolli do të trajtohen të gjitha rastet me interes të përbashkët të personave të zhdukur, dhe inicimin e procedurave për hetim të lokacioneve të mundshme të vend varrezave me mbetjet mortore të viktimave të luftës.

By admini