Përmendorja e Dom Simon Filipaj, shqipëruesit të Biblës, në fshatin Shën Gjergj

Shkruan Msc Anton Lulgjuraj

Fshati Shën Gjergj ndodhet 15 km larg në verilindje nga qyteti i Ulqinit, në bregun e djathtë të lumit Buna, pranë vijës kufitare në mes Malit të Zi me Shqipërinë. Fshati ngrihet në rrënxën lindore të Malit të Brisë, i cili përfundon në lumin Buna i rrethuar nga një ambient i bukur natyror. Përreth kishës në rrënxën e malit ngrihet fshati në një lartësi më të madhe mbi detar. Kjo për arsye te lagështisë dhe përmbytjeve që në të kaluarën e afërt ishin të shpeshta sidomos me ngritjen e nivelit të lumit Buna në gjysmën e shek. XIX.

Kisha e Shën Gjergjit, prej të cilit shenjtor edhe fshati e ka marrë emrin, dodhet në qendër të fshatit, në fushën aluviale të formuar prej shumë kohësh më parë nga prurjet e lumit Drin dhe Buna.

Më së pari fshati është paraqitur në hartat e Coronellit për Dalmacinë lindore (Coronelli, Carta Dalmazia). Ndërsa në dokumentet historike emri i fshatit përmendet nga Marin Bici në vitin 1610. Ai tregon se fshati atëherë kishte 30 shtëpi, të ritit katolik me kishën e Shën Gjergjit e cila ishte shumë e vogël dhe e bukur. Me mure të piktura në afresk të shënjtorëve dhe sidomos të Shën Mërisë mbi altar, dyshemenë të pa niveluar me varre. Në krahasim me Bicin, pak më vonë Bolica tregon se fshati kishte vetëm 20 shtëpi me kryetar të vetin Marin Kolën. Në shek. XVIII sipas dëshmive arkivore të përgatitura nga Zmajeviqi, del se kisha në fshat ishte e zbuluar.

Sot ruhet mirë kisha bashkë me varreza dhe është funksionale për komunitetin katolik vendas. Sipas dëshmive të njerëzve të vjetër, kisha e vjetër ishte më e vogël se kisha e sotme dhe mbi të është ndërtuar dhe rindërtuar kisha e sotme. Sipas të dhënave të kishës, ajo është rindërtuar rreth vitit 1927 nga misionari Alberto Esposito. Dëmtohet përsëri nga termetët katastrofale të vitit 1968 dhe 1979, riparohet përsëri dhe sot është kishë funksionale.

Kisha është e rrethuar me varre të reja dhe të vjetra. Ato të vjetrat spikasin me larmin e simboleve si: diellit, hënës dhe figurës njerëzore. Këto varre me këto simbolika janë të gjitha karakteristike për Shqiptaret e veriut të Shk. XVIIIXIX. Po ashtu në anën e djathtë të portës kryesore ndodhët varri i famullitarit të Shën Gjergjit, Zef Ashta (+1874) i shkruar në gjuhën shqipe.

Në fshat sot egzistojnë toponime të ndryshme që dëshmojnë lashtësi dhe që kanë lidhje me vendbanimin mesjetar dhe me kishën. Gjurmë rrugësh ka në lokalitetin e quajtur Vau i Shnjergjit që ndodhet rreth 100 m. në jug të kishës dhe të urës në lokalitetin “Vija e Shnjergjit”, që ndodhët rreth 1 km. më në veri. Duket se këndej kalonte rruga mesjetare që ishte edhe rruga kryesore që lidhte qytetin e Ulqinit me Shkodrën. Ajo kalonte përmes këtij fshatit dhe vazhdonte përgjatë lumit Buna në drejtim të fshatrave Fraskanjel dhe Belaj.

Pra fshati i Shnjergjit ka luajtur një rrol të rëndësishëm në historinë mesjetare të rrethinës së Ulqinit, duke ju falënderuar pozicionit të mirë pranë lumit Buna e cila ishte edhe porta e Shqipërise Veriore për në det por edhe në aspektin religjioz, për të cilën dëshmojnë burimet histrorike dhe kisha e bukur.

/Marrë nga Buzuku/

By admini