Shkruan Drita Llolla

Nëse do bëja një vështrim mbi gjendjen në qytetin tim nuk i shmangen dot çështjes së mungesës së sistemimit dhe keq menaxhimit të hapësirave publike. Jo vetëm mungesës së lidhjes organike midis zonave të ndryshme, por asaj që ndodh në zemrën e çdo lagjeje.

Parqet, këndet e lojërave, terrenet sportive dhe përgjithësisht hapësirat e gjelbërta në ÇDO lagje mungojnë. Për t`a kuptuar rëndësinë e tyre, mjafton të kujtojmë që këto hapësira janë vendi ku fëmijët tanë për herë të parë bëhen protagonistë në procesin e krijimit të identitetit të tyre, të shkëputur nga ambienti familjar. Kjo është arsyeja parësore pse duhet qasur me përgjegjshmëri projektimit dhe mirëmbajtjes së tyre. Gjithashtu, në hapësirat e përbashkëta zhvillohet përkatësia kolektive, në aspektin fizik, kohor dhe kulturor.

Hapësira publike është elementi më demokratik i qytetit, që ju përket të gjithëve pavarësisht nga statusi shoqëror apo ekonomik. Sigurisht, në krah me mirëqenien sociale, sigurimi i një balance midis zhvillimit të bizneseve, te vogla, të mesme dhe të mëdha, bashkon dy aspekte të rëndësishme që transformojnë komunitete, nëpërmjet zhvillimit të njëtrajtshëm, duke e shpjerë qytetin në rrugën e prosperitetit.

Në Ulqin jemi krenuar gjithmonë me gatishmërinë për të akomoduar kultura të ndryshme, e megjithatë sot ju kemi zënë frymën vendeve ku promovohet fqinjësia e mirë, komunikimi dhe shkëmbimi aktiv i vlerave midis njerëzve. Përkundrazi, në Ulqin më shumë se asnjëherë vërehet fenomeni i margjinalizimit të grupeve shoqërore, madje edhe në zona fare pranë qendrës. Është zbehur dukshëm cilësia e jetës në komunitet duke mos sistemuar dhe zhvilluar hapësirat e përbashkëta, si edhe duke mos i shfrytëzuar ato në dobi të komunitetit, për t’i bashkuar qytetarët me aktivitete rekreative, kulturore e sportive. Në rastin tonë, krahas pamundësisë financiare, në rritje është një fenomen tjetër – qytetarët që gjejnë strehë në komunitete të instaluara me axhenda të dyshimta, radikalizuese. Ky është realiteti i sotëm dhe një këmbanë që po bie fortë, për të gjithë ne!

Ne i duam stadiumet e reja dhe jemi shumë dakord me ndërtimin e tyre, por paraprakisht duhet të zhvillojmë kulturën qytetare, që nesër t’i gëzojmë stadiumet ku do luajnë fëmijët tanë, të cilët kontaktin e parë me botën e sportit e kanë krijuar në lagje. Duam prindër, të rinj e të vjetër, që mbushin stadiume, teatro, koncerte – sa për fëmijët, nipërat dhe mbesat e tyre, aq dhe për kënaqësinë personale.

Sistemimi i hapësirave publike, zhvillim i përgjithshëm ekonomik, promovimi i jetës së shëndetshme në komunitet, si edhe ekspozimi ndaj përmbajtjeve emancipuese, kulturore dhe intelektuale – kjo duhet të jetë rezoluta e cilit do që do të jetë në krye të qytetit në vitet në vazhdim!

/Marrë nga faqja e autorës/

By admini