Frank-shkreliNga Frank Shkreli

“Të gjithë ne, fajtorë ose jo, të rinjë apo të vjetër, duhet ta pranojmë të kaluarën. Të gjithëve na prekin pasojat e sajë, që na kanë goditur. Të gjithë ata që mbyllin sytë para së kaluarës, janë të verbër në të tashmen”.   Ish-Presidenti i Gjermanisë, Richard von Weizsäcker.
Zyra e presidentit të Gjermanisë,  Z. Joachim Gauck njoftoi se të shtunën ndërroi jetë në moshën 94-vjeçare ish-Presidenti i Gjermanisë Richard von Weizsäcker.  Ai kishte shërbyer në detyrën e presidentit për një periudhë prej dhjetë vitesh, nga viti 1984 deri në 1994 dhe më përpara ai kishte shërbyer si kryetar i Bashkisë së Berlinit nga viti 1981 deri në vitin 1984.  Ndonëse detyra e presidentit në Gjermani është më tepër një post ceremonial, megjithëkëtë ai dijti ta përdorte postin e lartë shtetëror për të inkurajuar diskutimin e çështjeve me rëndësi kombëtare dhe ndërkombëtare — dhe për të nxitur debatin mbi rolin që duhet të luaj Gjermania në botë.  Ish-presidenti gjerman konsiderohej si një udhëheqës i respektuar në fushën ndërkombëtare dhe si një figurë  integruese dhe pajtuese brenda  vendit të tij dhe me fqinjtë e Gjermanisë.  Gjatë mandatit të Presidentit Richard von Weizsäcker dhe pas shëmbjes së Murit të Berlinit, Gjermania u ribashkua me 3 tetor, 1990.

Presidenti i tanishëm i Gjermanisë, Joachim Gauck në mesazhin e tij me rastin e vdekjes së para-ardhësit të tij tha se Presidenti Weizsacker, “Ishte simboli i integrimit të Gjermanisë në komunitetin e vendeve demokratike të botës dhe se ai dëshironte një Republikë Federale gjermane e cila do të përballej me të kaluarën e saj.”  Ndërsa Kancelarja e Gjermanisë, Angela Merkel e cilësoi shuarjen e Richard von Weizsäcker si, “Një humbje të madhe për Gjermaninë.”

Ndërkombëtarisht, Richard von Weizsäcker mori famë me fjalimin që ai mbajti në vitin 1985 drejtuar parlamentit të Gjermanisë Perëndimore në Bon, me rastin e 40-vjetorit të kapitullimit të Gjermanisë naziste në Luftën e Dytë Botërore.  Ai e cilësoi me atë rast ditën e fitores mbi nazizmin si një “ditë e çlirimit nga sistemi çnjerzor i tiranisë nacional-socialiste.”  Ishte ky një fjalim, që sipas Kryetarit të Komisionit Europian, Jean Claude Juncker, “Ndikoi  mbi një gjeneratë të tërë dhe një fjalim që ka përcaktoi imazhin e Gjermanisë si një forcë integruese, në qëndër të kontinentit tonë.”

Në atë fjalim i ndjeri Weizsäcker u bëri thirrje të gjithë gjermanëve — të gjeneratës së tij dhe të brezit të ri  që të përballen me historinë e tyre — që të pranojnë turpin e kombit të vet në të kaluarën, duke theksuar se kjo ishte e vetmja mënyrë për të realizuar një të ardhme paqësore dhe të për siguruar pajtimin me njëri tjetrin dhe midis gjermanëve dhe shumë popujve fqinjë të cilët kanë vuajtur nga nacizmi hitlerian. Me atë rast ai pohoi se, “Pothuajse çdo vend në historinë e vet mund të fajësohet për luftë dhe dhunë”, por sipas tij, si krim, “gjenocidi kundër hebrejve është i pakrahasueshëm në histori.”  Gjatë atij fjalimi, që bëri shumë bujë në atë kohë, ai pat përcaktuar të ardhmen e gjermanëve me Perëndimin, deklaruar gjithashtu se Gjermania është përgjithmonë e lidhur me Komunitetin Europian dhe me Aleancën Perëndimore.
Si bir i një zyrtari të lartë të regjimit nazist, dhe si anëtar i regjimentit ushtarak që pushtoi Poloninë në vitin 1939, Richard von Weizsäcker mbante mbi supe barrën e historisë jo vetëm si një gjerman i thjeshtë, por edhe si udhëheqës i Gjermanisë demokratike, pasardhëse e një regjimi që shkaktoi aq vuajtje.  I ngarkuar me barrën e historisë, ai ishte presidenti i parë gjerman që vizitoi Izraelin dhe e i pari udhëheqës gjerman i cili shënoi 50-vjetorin e invadimit të Polonisë nga forcat naziste me një letër që ai i kishte dërguar homologut të tij polak, me të cilën i shkruante se Gjermania nuk do të ketë kurrë pretendime mbi ish provincat perëndimore gjermane të Polonisë.   Për më tepër, ai vizitoi Poloninë për herë të parë në vitin 1990, menjëherë pas shëmbjes së Murit të Berlinit, vizitë të cilën ai e ka quajtur si më të rëndësishmen e karierës së tij politike.  Në vazhdën e përpjekjeve të tija për pajtim me fqinjtë europianë, Presidenti von Weizsäcker priti presidentin e parë demokratik çekosllovak, Vaclav Havel për një vizitë në Munich, aty ku Hitleri kishte siguruar nënshkrimin e marrveshjes për ndarjen e Çekosllovakisë, dhe disa javë më vonë — me rastin e 51-vjetorit  të hyrjes së forcave pushtuese naziste në Pragë, të prira nga vet  Hitleri — presidenti  Weizsaker u gjënd në Pragë për të shënuar atë përvjetor në liri.

Në një koment të radios gjermane Deutsche Welle (DW) kushtuar jetës dhe veprimtarisë së ish-presidentit gjerman — duke e cilësuar atë si një “figurë morale të rëndësishme”, nënvijohet rëndësia që presidenti Weizsäcker i kushtoi gjatë mandatit 10-vjeçar të tij, pajtimit të Berlinit me vendet e Europës Lindore dhe me Izraelin.  Ai ishte i bindur, thuhet në komentin e DW-së, se nuk mund të shënohej një fillim i ri në marrëdhënjet e Gjermanisë me këto vende duke fshehur të kaluarën, por donte që të rivendoste lidhje të reja integruese dhe pajtimi midis gjermanëve dhe popujve të tjerë, duke kujtuar dhe rikujtuar atë histori dhe duke diskutuar të kaluarën, sado e dhimshme që ishte, me qëllim për të mos e harruar kurrë.

Madje edhe pasi u largua nga posti i presidentit, Richard von Weizsäcker vazhdoi të luante rolin e tij integrues dhe pajtues në Europë midis vendit të tij dhe vendeve të Europës Lindore.  Mendimet e tija kërkoheshin dhe këshillat e tija dëgjoheshin,    pasi konsiderohej si mbështetës i vendosur i demokracisë, i lirisë dhe të drejtave të njeriut për të gjithë dhe kudo dhe si njëri që besonte se historia sado e keqe dhe e dhimbshme të ketë qenë duhej të shpalosej për brezat e ardhëshme në përpjekje që të mos përsëritet kurrë më.

Në një kryeartikull mbi Kosovën, botuar në gazetën amerikane Washington Post më 28 mars, 2007 me bashkautor ish-ministrin e mbrendshëm Italian, Giuliano Amato, i ndjeri ish-presidenti gjerman Richard von Weizsäcker tregon  interesimin e tij edhe për gjëndjen në Kosovë. Në atë artikull ai shprehte shqetësimet e tija mbi status quonë në Kosovë (më 2007) duke i bërë thirrje Bashkimit Europian për një angazhim më të madh dhe më të vendosur në Kosovë dhe në Ballkanin Perëndimor, duke shkruar se “E ardhmja e Bashkimit Europian nuk mund të ndahet nga e ardhmja e Ballkanit Perëndimor. Vendet e Ballkanit tani janë aq afër suksesit sa janë edhe afër dështimit. Luftërat kanë marrë fund, por profili i rajonit është një numër shtetesh të dobëta dhe protektorate ndërkombëtare të cilat shpresojnë të antarësohen në Bashkimin Europian, por nuk dinë se kur dhe si.”

Ata vazhdojnë artikullin duke theksuar se, “Ne europianët kemi një përgjegjësi të veçantë për çka ka ndodhë në Ballkan.”  Dhe duke pranuar dështimet e politikës europiane ndaj Ballkanit gjatë 1990-ave, ata shkruajnë në gazetën Washington Post se, “Ne dështuam të parandalonim shpërthimin e luftërave në zemër të Europës, megjithëse tani,  ndërhyrja jonë ushtarake dhe ekonomike, kryesisht, i ka dhënë formën gjëndjes së tanishme të kirjuar në atë rajon”, dhe theksonin se “shumica e forcave ushtarake sot në Kosovë janë europiane dhe se Europa ka kontribuar shumicën e fondeve në Kosovë gjatë dekadës së fundit”, nënvijojnë bashkautorët e artikullit mbi Kosovën.  I ndjeri Richard von Weizsäcker, së bashku me kolegun e tij Italian, e përfundonte artikullin mbi Kosovën duke u bërë thirrje vendeve anëtare të Bashkimit Europian që të kenë një qëndrim të përbashkët për njohjen e Kosovës duke bërë thirrje që “Me çdo kusht, Europa duhet të mos lejojë që disa vende europaine të përkrahin njohjen e Kosovës e disa të tjera jo”, përfundonte artikulli i botuar në gazetën e kryeqytetit amerikan në vitin 2007.

Ish-presidenti i parë i Gjermanisë së ribashkuar, Richard von Weizsäcker dhe figura që konsiderohet si “ndërgjegja morale e kombit” të vet, ndërroi jetë të shtunën që kaloi në moshën 94-vjeçare.

By admini