Është promovuar libri “Krijime popullore shestanase”, nga autori Simë Gjon Dobreci.

Ky libër, u tha në promovim, është dëshmi e kujdesit dhe e seriozitetit shkencor për mbijetesën e fakteve kulturore shqiptare.

Sipas librit shestanas e quajnë vetën banorët e krishterë të Shestanit, Pinçit, Ljares, Briskut dhe Thjanit ose ata që janë me rrënjë prej këtyre katundeve. Në libër thuhet se populli po shpërngulet me shumicë dhe shestanë ka në rrethin e Ulqinit, të Tivarit dhe të shpërndarë nëpër krejt botën.

Në promovim të këtij libri, drejtori i Institutit Albanologjik, Hysen Matoshi, tha se po promovojnë një libër shumë të rëndësishëm për një trevë e cila dita ditës po ju rrëshqet nga duart, por që ai tha se në aspektin kulturor kjo vepër është një dëshmi që do ta përjetësoj këtë krahinë.

“Vepra ‘Krijime popullore shestanase’ e botuar sivjet në Ulqin është dëshmi e kujdesit dhe e seriozitetit shkencor në trajtimin e materies dhe e dashurisë pa masë ndaj të parëve, për mbijetesën e fakteve kulturore shqiptare. Mund të ndryshojmë edhe mijëra herë struktura demografike e këtyre viseve, por nuk mund të zhbëhet ky fakt kulturor që po e paraqesim sot si kontributin e çmuar të profesorit tonë të nderuar. Askush nga ne nuk do të mund ta niste një shqyrtim rreth kësaj vepre pa e shqiptuar që në fillim një falënderim të madh për këtë punë kolosale, e cila them se për shumë arsye nuk do të mund të bëhej më kurrë asnjëherë”, tha ai.

Recensenti i librit, Hajrullah Koliqi, foli për kontekstin e librit, ku ai tha se shtrati i këtij libri është Shestani.

“Dua të them dy, tri fjalë për kontekstin, shtratin prej nga ka dalë ky libër, vlerat e saj, përmbajtja e saj. Shtrati i këtij libri është Shestani, për të cilin është folur dhe është shkruar shumë me të drejtë për vlerat e tij historike, kulturore, gjuhësore, patriotike, njerëzore me rrënjë të thella në lashtësinë etnike shqiptare”, tha ai.

Ndërkaq, autori i librit Simë Gjon Dobreci, foli për rëndësinë e këtij libri për të, si dhe shpjegoj se çka përmban ky libër.

“Në këtë libër paraqitën krijimet popullore shestanase, këngë, fjalë të urta, thënie të botuara në revistën ‘Buzuku’, si edhe demografia dhe autoktonia e shestanasve, e kjo e fundit edhe në gjuhën malazeze. Krijimet e autorëve në frymën shestanase i shoh si të afërta me krijimet e mirëfillta shestanase, prandaj i përfshiva në këtë libër. Në këtë libër u shkrua edhe për disa shestanas ma në za. Krijimtaria popullore e shestanasve më ka gëzuar dhe entuziazmuar gjithmonë”, tha ai.

Libri “Krijime popullore shestanase” përbëhet prej dy kapitujve, ku kapitulli i parë përmban këngë dashurie, këngë lirike-dasme, këngë të barinjve, këngë kurbeti, vajtime, këngë humoristike, këngë të reja, këngë të autorëve, këngë historike, këngë balade elegji dhe këngë kreshnike.

Kapitulli i dytë përmban thënie, ‘shestanasit ma në za’. Ky libër ka gjithsej 266 faqe.

By admini