Nga Dr.Nail Draga
Ne rrethanat e reja si pasojë e pushtimit të territoreve të tyre shqiptarët u shpërngulën kryesisht në Shkodër por edhe në vende të tjera të Shqipërisë. Vetëm nga Ulqini bëhët me dije se janë shpërngulur 143 familje, e po ashtu edhe nga Tivari, Kraja e Ana e Malit, Podgorica, Spuzha e Zhablaku.
Ishte kjo koha e ekzodit i cili ka pasur pasoja të mëdha për popullsinë shqiptare. Në lidhje më këto çështje shqiptarët kanë ngritur zërin duke shkruar memorandume, letra e peticione përfaqësive të ndryshme diplomatike, duke treguar gjendjen e tyre momentale dhe dëshirën për tu kthyer në vendet e tyre.
Në letrën e protestuese dorëzuar ambasadorit francez në Stamboll më 8 maj 1878, të cilët e kanë nënshkruar delegatët nga Podgorica, Shkodra, Ulqini, Malësia e Tivari thuhet:
Ne poshtë të nënshkruarit, përfaqësues të Podgoricës, Spuzhës, Zhablakut, Tivarit, Ulqinit dhe rajoneve të Grudës(Malësia), Kelmendit, Hotit e Kastratit, të krahinës së Shkodrës, kemi nderin t ju drejtohemi shkëlqesisë Suaj, që përfaqësoni në këtë kryeqytet Republikën Franceze, për ti parashtruar sa vijon:
Fqinjët tanë malazezë, me anë të sulmeve të vazhdueshme kundër qytetëve tona na kanë detyruar prej shekujsh të jetojmë në gjendje mbrojtjeje të përhershme dhe nëpërmjet veprimeve të tyre të egra kanë bërë që të mos kemi asnjë lloj sigurie.
Ne, katolikët e myslimanët, vëllezër që prej shekujsh dhe që jetojmë në bashkësi interesash e zakonesh, kemi qenë gjithnjë të bashkuar për t u rezistuar akteve të kusarisë dhe kemi derdhur lumenj gjaku për të mbrojtur qytetet dhe fshtarat tona.
Mirëpo sot morëm vesh nga gazetat se qeveria osmane, duke mos i rezistuar dot presionit të Rusisë u detyrua të pranojë aneksimin tonë nga ana e malazezve të egër, armiqt tanë që prej katër shekujsh.
Është fakti që në gjirin tonë ka një pakicë të vogël sllavësh, që u takojnë viseve të Podgoricës e Tivarit, ndërsa nëntë e dhjetave të banorëve të këtyre vendeve janë myslimanë dhe katolikë. Midis nesh (katolikë e myslimanë) dhe malazezëve nuk ka kurrfarë lidhjeje në pikëpamje feje, kurse ne jemi në pjesën më të madhe shqiptarë si nga feja, ashtu edhe nga gjuha.
Malazeztë, duke mos respektuar kushtet e armëpushimit dhe duke përbuzur të gjithë zakonet e paqës,njerëzimit dhe qytetërimit, u janë vërsulur pronave tona dhe ullishtave, kanë plaçkitur pasuritë tona, në vlerë prej 100.000 lirash , e kanë keqtrajtuar priftin tonë, të cilin më në fund edhe e kanë arrestuar, kanë djegur me zjarr tempujt tanë, kanë detyrua të gjithë bashkëkombësit tanë nga 15 deri 70 vjeç për të kryer shërbimin ushtarak, fakte këto të pa parë në historitë e popujve, dhe kanë arritur deri atje sa edhe gratë tona i kanë çuar në fushën e luftës.
A mund të lejojë Republika e Francës që vende të zhvilluara të shndërrohen në rrënoja? Mbeshtetur në sa u parashtrua mbi bazën e ligjeve të vendeve të civilizuar është e domosdoshme që forcat okupuese të largohen prej territoreve tona.
Ne kemi … ruajtur gjatë pesë shekujsh zakonet dhe fenë tonë, gjuhën dhe kombësinë tonë, prandaj ne protestojmë pranë Fuqive të Mëdha kundër aneksimit të vendit tonë nga Mali i Zi.
Në qoftë se Evropa… dëshiron të na ndihmojë për të gëzuar një shkallë më të lartë qytetërimi nga ajo që kemi arritur deri më sot dhe ka dëshirë të garantojë përparimin dhe sigurimin tonë, si mund të lejojë aneksimin tonë nga një vend (tjetër)…
Shkurtimisht, ne shohim rrezikun që na kërcënon dhe sa të vdesim nesër të poshtëruar dhe të skllavëruar, pëlqejmë të asgjësohemi sot duke mbrojtur nderin dhe lirinë tonë, prandaj kemi vendosur të mos biem nën skllavërinë e Malit të Zi.
Lusim që shkëlqesia e Juaj të ketë mirësinë për t ia paraqitur ketë kërkesë tonën qeverisë franceze para se të mblidhet Kongresi i Berlinit”.