NACIONALIZMI  DHE  IDENTITETI KULTUROR (IV)

Nikë Gashaj

Nacionalizmi si ideologji dhe simbolikë

Një tipologji e tillë themelore ndihmon  krahasimin e nacionalizmave në çdo njërën prej kategorive të përmendura dhe që t’i vendosim në kontekste të gjera krahasuese, dhe njëkohësisht mundëson shpjegime të përgjithshme. Në këtë mënyrë nuk mohohen cilësitë e përbashkëta të shembujve  të veçantë të nacionalizmave. Përkundrazi: vetë fakti se është treguar  i nevojshëm idejimi i “thelbit doktrinar” dhe i termave e simboleve themelore të nacionalizmit paralajmëron dhe dëshmon rëndësinë e tipareve të tjera të nacionalizmit konkret, të cilat janë karakteristikë për çdo rast të veçantë. Doktrinat dhe konceptet  specifike luajnë rol gjallërues dhe kanë efekt në çdo shembull të veçantë. Sepse, pikërisht ato doktrina dhe ide specifike japin një simbolikë dhe ceremoni me të cilat zgjohen emocionet, aspiratat, dëshirat, synimet më të thella popullore, – veçanërisht kur ato gërshetohen me shumë simbole dhe ceremoni të vjetra. Shfaqja mbi Poloninë si “Krisht i dëmtuar“, si figurë mesiane e shpëtimit, që e përshkon poezinë e poetit të madh polak Mickieviç, është e bashkuar me fuqinë dhe forcën e shpëtimit të Madonës, e cila akoma është temë e kultit fetar masiv.

Shëmbëlltyra etno-religjioze katolike e vuajtjes dhe e shpëtimit është me rëndësi qenësore për kuptimin e ideologjisë, gjuhës dhe simbolikës së nacionalizmit polak. Ngjashëm me atë, pranimi dhe njohja e heronjve dhe perëndive të hindusëve, sikurse të shivaxhisë dhe të perëndeshës Kali, të cilës i janë përkrahë Tilaku dhe ithtarët e tij, edhe pse e larguar nga ideologjia profane e nacionalizmit si të tillë, ka luajtur një rol gjallërues në krijimin e nacionalizmit hindus-indas, i cili i ka ndarë elementet unike dhe me vlera të vërteta të kombit indian.

Rëndësia e doktrinave specifike nacionaliste dhe e simboleve tregon për një domethënie të thellë të nacionalizmit-si ideologji, gjuhë, vetëdije. Në botën e kombeve çdo komb është unik dhe çdo një është “i zgjedhur“. Nacionalizmi është profan, ekuivalent modern i botës mitike paramoderniste mbi zgjedhjen etnike. Sipas një doktrine të re të unitetit policentrik, nacionalizmi predikon universalitetin e vlerave të pandërrueshme kulturore. Derisa dikur çdo bashkësi etnike ka qenë botë për vete, qendër e universit, dritë në errësirë, tani trashëgimia dhe vlerat kulturore nga thesari i së njëjtës bashkësi, të zgjedhura, përsëri të shpjeguara dhe të renditura, e përbëjnë një identitet nacional unik në mesin e shumë të tjerëve, në mënyrë të barabartë dhe konform me një identitet kulturor unik. Ajo do të thotë se çdo kulturë, madje edhe ajo më e pazhvilluara, më e prapambetura, ka në dispozicion  një “vlerë“ të pazëvendësueshme dhe mund t’i kontribuojë fondit të përgjithshëm të vlerave kulturore të njerëzimit. Nacionalizmi, si ideologji dhe simbolikë e legjitimon çdo konfiguracion kulturor, duke i thirrur gjithkund intelektualët dhe në çdo vend kulturën e “ulët“ ta transformojnë në një kulturë më të “lartë“, traditën gojore letrare në atë të shkruar , me qëllim që për pasardhësit të ruhet fondi i saj i pazëvëndësueshëm i vlerave kulturore. Popujt e zgjedhur në kohët  e lashta i kanë zgjedhur hyjnitë; sot i zgjedh ideologjia dhe simbolika , të cilat e grisin atë që është unike dhe individuale, duke e transformuar në një njëmendësi globale. Dikur popujt janë zgjedhur për arsye gjoja të virtyteve të tyre; sot janë të thirrur që ata të bëhen kombe për shkak të trashëgimisë kulturore.

By admini