Kryetari i Ulqinit Nazif Cungu ka takuar sot Presidentin e Republikës, Z. Ilir Meta, pas një ftese nga ky i fundit.
”Sot isha i ftuar për takim nga Presidenti i Republikës, Z. Ilir Meta i cili vlerësoi kontributin e dhënë nga shqiptarët e Malit të Zi, në forcimin e marrëdhënieve shumë të mira mes Shqipërisë dhe Malit të Zi, për Pavarësinë si dhe për anëtarësimin në NATO dhe integrimet Evropiane të Malit të Zi”, shkruan Cungu në faqen e vet.

”E njoftova për arritjet tona gjatë mandatit të fundit si pjesë e koalicionit qeveritar që ka zgjidhur çështjen e përdorimit të simboleve dhe gjuhës shqipe, që ka miratuar Planin Hapësinor të Ulqinit, që ka mundësuar formimin e komunës së Tuzit. Po ashtu kërkova ndihmë nga Presidenti Meta, që të ndikojë tek autoritet qendrore të Malit të Zi, në përmirësimin e ligjit zgjedhor në Mal të Zi për të përmirësuar përfaqësimin e shqiptarëve në Parlamentin e vendit. Prej tij mora mbështetjen për shtimin e pikave të kalimeve kufitare mes Shqipërisë dhe Malit të Zi, sidomos zgjerimin e kalimit kufitar Sukobinë – Moriqan duke patur këtu parasysh nevojën e përdorimit të kësaj pike edhe për qarkullim mallrash. Presidenti Meta gjithashtu vuri në dukje rëndësinë e madhe që ka përkrahja e shqiptarëve të Malit të Zi për partitë shqiptare, si në zgjedhjet vendore ashtu edhe në ato qendrore, si parti që mbrojnë drejtpërdrejtë interesat e tyre”, përfundon Cungu.

 

By admini