NACIONALIZMI  DHE  IDENTITETI KULTUROR (II)

Nikë Gashaj

Konceptet e nacionalizmit

Ideali nacionalist i bashkimit ka lënë pasoja të thella. Para së gjithash, ai ka nxitur idenë mbi pandasinë e kombit dhe e ka arsyetuar çrrënjosjen apo shfarosjen shpeshherë me dhunë, të gjitha tipareve dhe cilësive të ndryshme, si dhe të dallimeve lokale, në interes të homogjenitetit kulturor dhe politik. Nga kjo kanë rezultuar programet për mobilizimin e masave me qëllim të integrimit shoqëror dhe politik, programet sipas të cilave shteti bëhet përfaqësues i “kombit të ardhshëm” dhe krijues të “bashkësisë politike” dhe të “kulturës politike”, me të cilat duhet të ndërrohen kulturat e ndryshme etnike të popullatës heterogjene. Aty koncepti nacionalist i bashkimit ia kthen shpinën rrënjëve të veta etnike dhe kërkon uniformitetin, i cili me kombin e projektuar të të kapërcejë dallimet kulturore.

Më në fund, me konceptin e autonomisë ai hyn në botën kantonike të “vetëvendojes”. Nga ideali i autonomisë, të cilin Fihtja, Shlegeli dhe romantikët e tjerë gjermanë e kanë aplikuar ndaj grupeve, dhe jo vetëm ndaj individëve, ka zënë fill dhe është krijuar filozofia e vetëvendosjes kombëtare dhe të luftës kolektive për sendërtimin e vullnetit dhe dëshirës autentike-për shtetin e vet. Vetëm atëherë bashkësia do të ishte e aftë për të ndjekur “ritmet e brendshme” të veta, për të përgjuar zërin e vet të brendshëm dhe për të u kthyer në gjendjen e mëparshme të pastër dhe me kurgjë të njollosur. Mu për këtë arsye nacionalistëve iu duhet për t’i përkushtuar një kohë dhe mundim të tillë mbledhjes së vullnetit të vërtetë nacionalist, në mënyrë që pjesëtarët e kombit të mbesin me të vërtetë të painfektuar me ide dhe zakone të huaja, të cilat me siguri do ta prishin, shkatërrojnë, rrënojnë dhe ndalin zhvillimin e tyre dhe zhvillimin e bashkësisë në tërësi.

Nacionalizmi paraqet një ngritje të kombit dhe të pjesëtarëve në raport me të drejtat e tij kolektive. Përvojat autentike dhe bashkësia autentike, me fjalë të tjera janë parakusht të një autonomie të plotë, pikërisht vetëm autonomia ia mundëson kombit dhe pjesëtarëve të tij që në mënyra autentike të arrihet vetësendërtimi. Autonomia është qëllimi i çdo nacionalisti.

Koncepte të tilla-autonomia, identiteti, shpirti kombëtar, autenticiteti, bashkimi dhe vllazërimi-krijojnë një gjuhë të përbashkët ose diskurs i cili i ka ceremonitë dhe simbolet ekspresioniste. Aty bëjnë pjesë atributet e kombit-flamujt, hymne, paradat, monetat, kryeqytetet, metropolet, betimet, veshjet kombëtare, muzetë folklorike, përmendoret e luftëtarëve, komemoracionet përkujtimore, pasaportat, kufinjtë- si dhe aspektet e tyre të fshehura, p.sh. llojet e rekreacioneve kombëtare, natyra, heronjtë dhe heroinat kombëtare, dokrrat, rregullat e sjelljeve të mira, stilet arkitektonike, ndërtimore, zanatet apo mjeshtëritë popullore, format e ndryshme të rregullimit urbanistik, procedurat juridike, praktika e arsimit dhe kodeksi ushtarak-të gjitha zakonet e veçanta, normat kolektive, stilet dhe mënyrat e veprimit dhe të ndenjave që vlejnë për të gjithë pjesëtarët e bashkësisë si entitet të kulturës historike.

Simbolet kombëtare, zakonet dhe ceremonitë për shumë arsye paraqesin aspektet më të fuqishme dhe më afatgjata të nacionalizmit. Ato mishërojnë nacionet themelore të tij, duke i bërë ato më të dukshme dhe më të qarta për çdo pjestar të kombit, duke i njoftuar me parimet e një ideologjie abstrakte, me një gjuhë konkrete e cila nxit, ngacmon dhe provokon reaksione momentale emocionale të të gjitha shtresave të bashkësisë shoqërore. Simbolet dhe ceremonite qëmoti kanë marrë cilësi emotive, kolektive, pasi që për nacionalizmin vetëm kombi është koncept dhe dukuri hyjnore.

Emocionet të cilat ai i zhvillon janë emocione të bashkësisë të kthyera drejt vetvetes, të bashkësisë e cila në mënyrë të vetëdijshme e lavdëron dhe glorifikon vetveten. Virtytet dhe tiparet të cilat nacionalizmi i kremton, janë virtyte të vetme dhe ekskluzive të “kolektivitetit kombëtar”, ndërsa krimet të cilat i dënon janë krime me të cilat kërcënohen shkatërrimet e kolektivitetit në fjalë. Nëpërmjet ceremonive, zakoneve dhe simboleve, çdo pjesëtar i bashkësisë merr pjesë në jetën kombëtare, me emocione e cilësi dhe përmes tyre, përsëri i përkushtohet fatit kombëtar. Duke artikuluar dhe duke bërë të prekshme ideologjinë e nacionalizmit dhe nocionet e kombit, ceremoniali dhe simbolika i kontribuojnë sigurimet të kontinuitetit dhe fatit të një bashkësie abstrakte historike.

Parashtrohet pyetja se cilat sentimente i nxit ideologjia nacionaliste, gjuha nacionaliste, si dhe simbolet? Ata kanë të bëjnë me tri gjëra kryesore: territorin, historinë dhe bashkësinë. Në etnitë popullore të cilat marrin pjesë në “mobilizimin vernakular-autentik”, inteligjencia ka bërë përpjekje të konstruktojë mapat kognitive të botës së kombeve dhe të mbjellë parime ekspresive, të qarta e të spikatura morale. Për atë qëllim janë zbatuar dy strategji kryesore: përdorimi i peizazheve ose i hapësirës poetike, dhe përdorimi i historisë dhe i periudhës së artë. Në të vërtetë strategjitë e tilla kanë qenë të rrënjosura në qëndrimet e popullit ndaj hapësirës dhe kohës dhe të besnikërisë drejt vendlindjes dhe të parëve. Një besim dhe lidhje e tillë e lashtë apo antike për atdheun dhe të parët, si dhe breznitë e paraardhësve i kanë përdorur nacionalistët duke e përpunuar, hartuar dhe sajuar një ideologji të re, gjuhën dhe simbolikën e një abstraksioni të përbërë – të identitetit kombëtar.

Koncepti i ri i kombit është dashur të shërbejë si kornizë kohore – hapësirore për përgatitjen e një gjendjeje kaotike dhe të ideimit dhe projektimit të univerzumit duke i shfrytëzuar synimet dhe sentimentet masive para moderniste të drejtuara në besnikëri dhe në lojalitetin lokal dhe familjar.

Mbi këtë pikëpamje ka qëndruar një faktor i rëndësishëm tërheqës i ideologjisë nacionaliste.

Mirëpo, ndoshta sentimentet më të rëndësishme të nxitur dhe të ngacmuar me nacionalizëm kanë qenë paradoksale, sentimentet familjare- paradoksale për arsye se familjet e vërteta mund të paraqesin pengesë idealit mbi kombin homogjen. Porosia e Davidit në përbetimin e Horacit e ka përmbajtur dhe një kuptim të tillë. Femrat në anën e djathtë të fotografisë qajnë e vajtojnë për humbjen e të dashurve dhe për arësye të prishjeve të lidhjeve të veta familjare në të ardhmen. Në të njëjtin hov metafora e familjes për nacionalizmin është e domosdoshme. Kombi shpjegohet si një familje e madhe, ndërsa pjesëtarët e tij si vëllezër dhe motra në mëmëdhe të cilët flasin në gjuhën amtare.

By admini